1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Shfaqja e munafikëve është shenjë që bashkësia islame nuk është e dobët dhe disa karekteristika të tyre

Më të lexuarat

Munafikët (hipokritët) ose dyfytyrëshat janë një nga tri grupet, gjegjësisht kategori të njerëzve që janë përmendur në Kur’an, në kontekst të marrëdhënieve të tyre me të vërtetën me të cilën ka ardhur i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s.

Këto tre grupe janë: besimtarët (muslimanët apo mu’minët) të cilët besuan në pejgamberllëkun e Muhamedin, s.a.v.s., dhe Shpalljen me të cilën ishte i dërguar; pabesimtaret – te pafetë (kafirët) të cilët e injoruan pejgamberllëkun e Muhamedit, s.a.v.s., dhe besimin në një Zot, në përgjithësi, dyfytyrëshat (munafiket), të cilët vetëm formalisht dhe verbalisht e pranuan Islamin, në të vërtetë janë pabesimtarë, e në zemrat e tyre bartin urrejtje dhe përbuzje për Islamin dhe muslimanët.
Munafiket kane ekzistuar në të gjitha gjeneratat e muslimanëve pa marrë parasysh nivelin e edukimit islam dhe aplikimeve praktike të ligjeve të Islamit në jetën e muslimaneve. Ekzistenca dhe veprimtaria e tyre është më e rrezikshme se sa ekzistenca dhe veprimtaria e hapur e të pafeve, sepse publikisht deklarohen si muslimanë, e me tërë qenien e tyre e urrejnë Islamin dhe muslimanët. Munafikët janë shtresa më përbuzet e shoqërisë dhe ata do të jenë në shtresat më të thella të xhehennemit, siç konfirmohet nga ajeti kur’anor: ” S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës,” (En-Nisa, 145)
Edhe pse përmes Shpalljes i ka mësuar emrat e dyfytyrëshave në Medinë, Muhamedit, s.a.v.s., nuk i është urdhëruar qe t’i bëjë të njohur emrat e tyre qe t’i dinë të gjithë muslimanët, nga arsyeja e thjesht, ngase pas vdekjes se Muhammedit s.a.v.s., dhe pas përfundimit të Shpalljes, për brezat e ardhshëm të muslimane do të ishte e pamundur gjetja dhe zbulimi i emrave të munafikëve dhe dyfytyrëshave. Për ketë arsye Allahu xh.sh. në Kur’an dhe Muhamedi s.a.v.s., në sunnetin e tij vuri në dukje karakteristikat dhe vetitë e mynafikëve, në mënyre qe muslimanët në çdo kohe të kenë mundësi t’i njohin këta individë dhe grupe të korruptuara dhe të devijuara.
Më poshtë po përmendim karakteristikat më të rëndësishme të munafikëve apo dyfytyrëshave:

1. Munafikët janë gënjeshtarët më të mëdhenj dhe gënjeshtrën e përdorin në të gjitha situatat,
2. Kërkojnë pretekst dhe leje për mospjesëmarrje në projekte dhe aksione të cilat kanë për qellim t’i shërbejnë Islamit dhe muslimanëve, të tilla si: xhihadi, da’veti, ndarja e pasurisë në rrugën e Allahut etj,
3. Përhapin konfuzion në radhët e muslimaneve me qëllim që të ndezin zjarrin në konfliktin dhe armiqësinë në mes muslimaneve,
4. Janë të lumtur kur muslimanët përballen me probleme dhe sprova, e trishtohen në qoftë se muslimanët përjetojnë çfarëdo suksesi,
5. Janë dembel në kryerjen e namazit, e sidomos namazin e sabahut dhe jacisë në xhemat,
6. Ata nuk japin lëmoshë, përveç dëshirë, janë koprrac në dhënien për Islamin, për ndryshe janë shkapërderdhës të mëdhenj dhe shpenzojnë shumë më shumë në luks, argëtim dhe lojëra,
7. Ata përherë tallen dhe i përqeshin muslimanët e sinqertë të cilët përpiqen të jenë sa më të qëndrueshëm në ndjekjen e sunnetit,
8. Munafiket pa asnjë fije turpi dhe vlerësimi flasin për Muhamedin s.a.v.s., sikur të bëhet fjalë për një njeri të zakonshëm,
9. Ata i urrejnë dhe i ofendojnë shokët (sahatet) e Pejgamberit të Allahut, s.a.v.s.,
10. Munafiket, dëshirojnë të përhapin thashetheme të turpshme për besimtarët dhe besimtaret, dekurajojnë njerëzit nga të gjitha të mirat, dhe i inkurajojnë në kryerjen e mëkateve,
11. Nuk e përmbushin premtimin dhe shkelin marrëveshjen.
12. Janë te pafytyrë, të paturpshëm dhe të zhurmshëm në diskutime,
13. Rregullisht e thyejnë amanetin e besuar,
14 .Bëjnë aleanca dhe bashkohen me jobesimtarët dhe armiqtë e hapur të Islamit kundër muslimanëve,
15. I imitojnë pabesimtarët dhe janë krenarë me atë, e i turpërohen përkatësisë së tyre në Islam,
16. Mbajnë fjalime të zjarrta rreth vlerave më të mëdha morale, për amanetin, krenarinë, rilindjen, lirinë, unitetin, konsultimin dhe marrëveshjen, por asnjërën prej tyre nuk e punojnë,
17. Shumë pak e përmendin dhe lavdërojnë Allahun,
18. Munafikët ikin nga fushëbeteja dhe tek ata shfaqet frikë e papërshkrueshme në situata të vështira, sepse ata janë frikacakë të mëdhenj dhe nuk kanë bindje fetare,
19 Sa herë që flitet për njerëzit e këqij dhe të prishur, për munafikllëkun dhe dyfytyrësinë në përgjithësi, ata mendojnë se kjo ka të bëjë direkt me ata,
20. Ikin nga përgjegjësia dhe fajin gjithmonë ua lëne të tjerëve,
21. Ndihmojnë sundimtarët, e nëse sunduesit përkatës humbin pushtetin, atëherë kthehen kundër tyre,
22. Në fjalim janë kontradiktorë, sepse gënjejnë shumë, kështu që harrojnë se çfarë kanë folur dhe premtuar më parë,
23. Derisa t’ju japish, ata janë miqësore dhe mbështetës, e nëse u ndalet diçka për çfarëdo arsyeje, ata bëhen armiq të përbetuar dhe harrojnë çdo bamirësi,
24. I shkëpusin lidhjet familjare dhe i mohojnë të drejtat e prindërve, fëmijëve, vëllezërve dhe të afërmeve të tjerë,
25. Me lehtësi betohen edhe për atë që është gënjeshtër e kulluar dhe shumë betohen në Allahun, sepse ata e dinë se njerëzit nuk u besojnë.
Munafikët janë të rrezikshëm për bashkësinë musliman dhe për shkak të retorikës, aftësisë së tyre manipuluese, jo rrallë arrijnë të kenë ndikim edhe te besimtarët e sinqertë të cilët besojnë në atë që ata thonë dhe e konsiderojnë atë të saktë dhe të vërtetë. Kur’ani përmend pikërisht këtë aftësi dhe tipare të munafikëve dhe në kontekstin e qëndrimit të tyre ndaj Ekspeditës se Tebukut dhe mungesës së qëllimshme nga ekspedita, Allahu xh.sh.tha: “Edhe sikur të dilnin me ju, ata nuk do t’ju shtonin tjetër pos ngatërresës dhe shumë shpejtë do ta përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t’ju turbullojnë. E ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. All-llahu i di shumë mirë hipokritët.” (Et-Teube, 47.)
Në këtë ajet është përdorur hiperbola e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për faktin se disa besimtarë bien pre e lajkave dhe fjalëve të ëmbla të munafikëve dhe siç thotë Kur’ani, shumë i dëgjojnë dhe e mbajnë fjalën e tyre. Jo për shkak të dobësisë së besimit të tyre, ose Zoti na ruajt, për shkak të dyshimit, por për shkak të ndikimit të fortë të retorikës hipokrite, e cila është si sihri – magjia, siç ka thënë Pejgamberi, s.a.v.s: “Me të vërtetë, ata i kane fjalët sikur sihri – magjia” (Buhariu)
Edhe pse veprimi hipokrit është i rrezikshëm për bashkësinë muslimane, megjithatë, muslimanët nuk duhet të shqetësohen së tepërmi për ekzistimin dhe aktivitetin e tyre. Pse themi kështu? Kjo mund të tingëllojë paradoksale, por historia islame na mëson se munafikët nuk paraqiten brenda shoqërisë dhe bashkësisë muslimane atëherë kur muslimanët janë të dobët dhe të paktë në numër dhe kur janë të ekspozuar ndaj sprovave dhe fatkeqësive. Është e njohur se në periudhën Mekase, gjatë misionit të Pejgamberit s.a.v.s. të thirrjes në Islam, ndër muslimanët nuk ishte hipokritë, sepse në atë kohë vetëm njerëzit plotësisht të ndershëm e pranonin Islamin dhe ishin të gatshëm për çdo lloj sakrifice për Islamin. Munafikët në mesin e muslimanëve shfaqen, atëherë kur ajo bashkësi është fortë, kur muslimanët paraqesin një faktor të rëndësishëm në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Atëherë shfaqen hipokritë dhe infiltrohen – depërtojnë në radhët e muslimanëve në mënyrë që të grabisin diçka për veten e tyre nga të mirat e kësaj bote kalimtare që zotëron bashkësia muslimane. Andaj, nuk ka vend për dëshpërim dhe pesimizëm, as për shkak të intrigave të munafikëve kundër bashkësisë tonë lokale muslimane dhe kundër vendit tonë, por kjo duhet të jete nxitje shtesë, që t’i konsolidojmë radhët tona dhe t’i forcojnë lidhjet tona vëllazërore. Sepse, sa me unik që të jemi, sa më shumë që të duhemi dhe të ndihmohemi në emër të Allahut, e të jemi konsistent në ndjekjen e sunnetit të Muhamedit, s.a.v.s., makinacionet – manipulimet e munafikëve do të jenë më të dobëta.
Ne e lusim Allahun xh.sh. që të na ruaj nga munafikllëku dhe dyfytyrësia dhe të na ruaj nga munafikët – tradhtarët, nga veprat e tyre, dhe t’i zbuloi manipulimet e tyre, që të përjetojnë poshtërim në këtë jetë dhe në botën tjetër.



Abdusamed Nasuf Bushatliq
Përshtati: Esat Rexha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit