Pak javë më parë kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu doli në një konferencë për shtyp përmes së cilës deklaroi se shërbimet sekrete të vendit të tij kishin kapur një material prej 54 mijë faqesh të sekreteve bërthamore iraniane.
Pretendimi i tij u rimor nga presidenti amerikan Donald Trump, si dëshmi e rrezikut iranian.
Mesa duket radha për të kundërvepruar i ka ardhur Teheranit zyrtar.
Kreu i shërbimeve iraniane, ministri Mahmoud Alavi, tha se ish-ministri izraelit për Energinë në vitet 1995-1996, Gonen Segev, i akuzuar në muajin qershor të këtij viti për spiunazh, në të vërtetë ka qenë në shërbim të Iranit.
“Seksioni ynë i antispiunazhit është më i fuqishmi në botë, derisa ne kishim një spiun në kabinetin e armiqve tanë”, citohet ai.
Sipas tij, Segev ka rënë në kontakt me iranianët në Ambasadën e Izraelit në Nigeri.
Ai i ka kalur iranianëve informacione konfidenciale për tregun e energjisë, zonat e sigurisë në Izrael, ndërtesat dhe trupat e sigurisë.
Gjyqi ndaj tij po zhvillohet me dyer të mbyllura.