Prishtinë, 22 dhjetor 2021
Me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, në mënyrë solemne është shënuar 70 vjetori i themelimit të Medresesë së Mesme Alauddin në Prishtinë. Në këtë manifestim që u organizua nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Medreseja Alauddin në Prishtinë, morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ish-president i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, përfaqësuesi i Presidentes së Kosovës, z. Bekim Kupina, ambasadori i Republikës së Turqisë, Çağrı Sakar, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane z. Dominik, kryetar i Prishtinës, z. Përparim Rama, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës, drejtori i Institutit Albanologjik, z. Hysen Matoshi, drejtori i Institutit të Historisë, z. Sabit Syla, drejtor i Shoqatës së ish-burgosurve politik, z.Selatin Novosella, drejtori i medresesë Isa Beu, prof. Ibrahim Idrizi, përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe lokale të vendit, drejtues të institucioneve të Bashkësisë Islame, ish-drejtorë të Medresesë, profesorë, pedagogë dhe personeli i Medresesë.
Mysafirëve iu dëshiroi mirëseardhje drejtor i Medresesë, z. Fadil Hasani, i cili i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e këtij manifestimi dhe çmoi kontributin e shkollës të dëshmuar përgjatë viteve, qoftë në rrafshin fetar edhe atë kombëtar. Ai më pas theksoi se Medreseja ishte gjithmonë në shërbim të fesë dhe të atdheut, duke kultivuar hoxhallarë, ushtarë, policë dhe shumë profesione të ndryshme.
Këtë manifestim e përshëndeti edhe Myftiu Tërnava, i cili Medresesë i uroi nga zemra jetë të gjatë, suksese dhe veprimtari të begatë, si dhe përmbushje të plotë të misionit të saj hyjnor, historik e kombëtar. Ai më pas tha se Medreseja Alauddin ishte e para në të gjitha trojet shqiptare, e cila funksiononte vetëm në gjuhën shqipe. Tërnava tha se fati i Medresesë është i lidhur ngushtë edhe me fatin e popullit shqiptar, sidomos në luftën e fundit në Kosovë. “Nuk është e tepërt të potencohet fakti se fati i Medresesë Alauddin vazhdimisht ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës. Ajo gjithmonë mori frymë me popullin e kjo mori vlerë sidomos në periudhën 1998/99 të shekullit të shkuar me veprimtarinë e saj të suksesshme atdhetare. Bashkësia Islame e Kosovës duke qenë e vetëdijshme për problemet, synimet, rrezikun që i kanosej vendit në të shumtën e rasteve ishte më shumë vizionare se shumë ata të cilët kishin për objektiv vizionin”, tha Tërnava. Bashkësia Islame tërë infrastrukturën e saj në tërë vendin e ofroi në shërbim të çështjes kombëtare, e në veçanti do të jetë Medreseja “Alaudin” ajo e cila qysh me rastin e largimit të studentëve nga konviktet e tyre më 1989 do t’i strehoj një numër të konsiderueshëm të tyre dhe do të përkujdeset për ta. Qe këtu e tutje, Medreseja do të jetë pothuajse adresa e të gjitha aktiviteteve politike, shkencore, sindikaliste, artistike, kulturore e sportive në nivel të Republikës së Kosovës. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, në këtë manifestim çmojmë, nderojmë, njohim e vlerësojmë me një mirënjohje të veçantë të gjithë drejtuesit, pedagogët, nxënësit dhe të gjithë ata që me angazhimin, punën, përkushtimin, sakrificën, dijen dhe kontributin e tyre punuan për ngritjen dhe zhvillimin e Medresesë, duke e bërë atë një qendër të rëndësisë së veçantë të edukimit dhe arsimit, e cila medrese jetoj e bashkëlidhur dhe e pandarë me fatin e popullit dhe të vendit tonë.
Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, tha se besimi shërben si direktivë për çdo hap të jetës.Ne duhet ta mirëmbajmë veten tonë si shembull për harmoni ndërfetare, shembull për demokraci dhe shembull që besimi dhe tradita fetare, çfarëdo qofshin ato, mund të përjetohen në mënyrë origjinale edhe në kohërat moderne. Kryeministri Kurti cili përmendi fjalët e profetit Muhamed rreth kërkimit të diturisë deri në fund të botës, ai tha se në besim, në praktikë dhe në lutje, ka përpjekje për edukim të njerëzimit. “Unë e di që sot, më shumë se një shekull pas, mes medresistëve këtu, ka nxënës po kaq të shkëlqyer dhe edhe më shumë të përkushtuar për dije. Leximi, në formë urdhërore si fjala që hap tekstin e Kuranit dhe këshilla e Muhamedit për të kërkuar dijen deri në fund të botës, besoj se janë motiv nismëtar për medresistët këtu, bashkë me synimin për emancipim dhe kontributdhënie në shoqëri.” Ai tha se tradita e besimit dhe ajo shqiptare janë në harmoni të ngushtë dhe duhet të mirëmbahen si të tilla. “Si një popull me shumicë myslimane, shqiptarët ditën ta ruajnë Islamin mes tyre edhe gjatë këtyre dy dekadave të fundit, kur për shkak të luftës globale kundër terrorizmit, të ishe mysliman ishte e vështirë sikur ta mbaje një gacë në dorë, saktë siç kishte parashikuar profeti i islamit, Muhamed. Ne duhet ta mirëmbajmë vetën tonë dhe harmoninë ndërfetare, shembull për demokracinë dhe shembull që besimi dhe tradita fetare çfarëdo qofshin ato, mund të përjetohen në mënyrë origjinale edhe në kohërat moderne”, tha Kurti.
Këshilltari i presidentes Osmani, z. Bekim Kupina, në emrin e presidentes Osmani përcolli medaljen presidenciale “Për liri dhe pavarësi” për Medresenë “Alauddin” për kontributin e dhënë ndër vite. “Muret e këtij objekti janë dëshmitarë të kohës së një pjesë të lavdishme të historisë sonë, ku në këtë vatër diturie, mësimi dhe aktiviteti kombëtar ishin bërë një. Në këtë përvjetor Medreseja Alaudin meriton respekt për kontributin që ka dhënë në procesin e lirisë dhe pavarësisë së vendit. Historia dhe kontributi i Medresesë është njëjtë me historinë e shtetit tonë, ajo nuk mund të shihet ndaras. Rol i kësaj shkolle është për t’u admiruar në krijimin e klimës së tolerancës ndërfetare, e cila është e shquar në popullin tonë dhe ajo thjesht nuk është vetëm një shkollë por është një pikë ndalese e secilit prej nesh, monument trashëgimie e një periudhe historike. Kjo Medrese është histori në vete ” – tha Kupina.
Kryetari i AKR-së dhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në një fjalë rasti, ka uruar suksese të mëtutjeshme shkollës së mesme. “Ju mësimdhënësit, akademikët e këtij tempulli na keni mësuar si të jetojmë si të sillemi më njëri-tjetrin si ta duam njëri-tjetrin”, tha ish-presidenti Pacolli.
Medreseja “Alauddin” i nderoi me mirënjohje ish-drejtorët dhe disa pedagogë me rastin e kontributeve të tyre përgjatë historisë së Medresesë në ngritjen dhe avancimin e saj. Me mirënjohje u nderua ish-drejtori, tani Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ish drejtorët dhe pedagogët, prof. Ekrem Simnica, Bahri ef. Simnica, Jaku ef. Çunaku, Sulejman Osmani, ish sekretar i Medresesë Alauddin në Prishtinë.
Po ashtu mirënjohje ndau edhe kryetari i të burgosurve politik z.Selatin Novella, i cili ka zhvilluar aktivitet kohë të gjatë në ambientet e Medresesë Alaudin në Prishtinë. Ai tha se gjithnjë e kam theksuar se kur të shkruhet historiku i Prishtinës do të jetë i mangët dhe jo i plotë pa përfshirjen e rolit dhe kontributit të Medresesë Alaudin dhe kur të shkruhet historia e UCK-së, posaçërisht ku shkruhet për logjistikën e UCK-së, nuk mund të merret me mend se mund të shkruhet par praninë, aktivitetin, sakrificën e Medresesë Alauddin. Kjo shkollë ishte magjja e UCK-së, andaj me kënaqësi ndaj mirënjohjen më me gëzim në emër të Kryesisë së Shoqatës së të burgosurve politikë për kontributin që Medreseja ka dhënë në Këshillin Republikan për ndihmë emergjente.
Për këtë, ndiejmë mirënjohje të veçantë për krahun e djathtë që e kishte dërguar Zoti për neve si Këshill, e edhe për luftën, që e kishim drejtorin e atëhershëm të kësaj shkolle, Naim ef. Tërnavën, pa mbështetjen dhe pa kontributin financiar të të cilit nuk kemi mundur të funksionojmë. “Medreseja gjatë kohës së luftës ka qenë spital, ka pranuar studentët me ditë e net të tëra dhe i ka strehuar ata të cilat u janë djegur shtëpitë dhe UCK-ja e ka pasur një adresë nëse mbyllen të gjitha rrugët dhe shpeshherë janë mbyll, dera e Medresesë ka qenë 24 orë e hapur për neve ”- tha Novosella.
Me ilahinë “Drita e Prishtinës” u paraqit lexuesi i Kuranit dhe ish-nxënësi i kësaj shkolle Egzon Ibrahimi.
Po ashtu, në këtë manifestim, kori i medresesë Alauddin dhanë një program të pasur kulturo-artistik me ilahi e kaside, si dhe u shfaq versioni i shkurtuar i filmit dokumentar, i përgatitur para 20 vitesh, që trajton historikun dhe kontributin e Medresesë Alauddin ndër vite që nga themelimi.
Krejt në fund pjesëmarrësit patën rastin të shohin ekspozitën me rastin e shënimit të 70 vjetorit të Medresesë Alauddin në Prishtinë.