2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Shëndeti i syve, çlodhini nga stresi

Më të lexuarat

Punoni në kompjuter tetë orë në ditë? Shihni një film në televizorin tuaj të ri plazma dhe ju duket sikur e shihni pamjen të turbullt? Kur i jepni makinës nuk ia dilni dot pa i përpëlitur sytë dhe ju duket se shikimi po ju përkeqësohet? Mos kini frikë, sytë tuaj janë thjesht të lodhur. Ja se si t’i qetësoni ata

Gjithnjë e më shumë njerëz sot bëjnë një punë sedentare, pra qëndrojnë të ulur pas një tavoline. Kjo nënkupton tetë orë e shpesh edhe më shumë qëndrim pa lëvizur para ekranit të kompjuterit. Aty sytë ndjekin imazhe të shpejta, uebsajte të reja hapen dhe mbyllen dhjetë herë në ditë dhe përqendrimi është i madh te fjalët dhe figurat e ndryshme. Shikimi nuk shkëputet asnjë çast, për shkak të skadimit të afatit të një detyre apo projekti që ua ka caktuar shefi juaj. Në këtë mënyrë sytë lodhen dhe madje stresohen. Ndaj ju duhet të ndiqni disa këshilla për të mos i sforcuar edhe më shumë sytë tuaj, tashmë delikatë. Më poshtë renditen gjashtë këshilla se si t’i mbroni sytë tuaj sa më parë:

Praktikojini

Menjëherë sa t’ju krijohet mundësia, shikoni ngadalë përreth: lart, poshtë, ndiqni me shikim një koleg që kalon përballë jush, rrotulloni qepallat e syve në krahun orar dhe kundërorar. Bëjini këto ushtrime sa herë ta ndieni të nevojshme dhe mos e vrisni mendjen nëse dukeni qesharakë përpara kolegëve. Herët a vonë do ta kuptojnë nevojën e atyre shikimeve dhe do t’ju imitojnë.

Përqendrojini

Një truk tjetër për të mos i lodhur sytë është ai që t’i përqendroni tek objekte të ndryshme apo persona me distanca të ndryshme. Ndërkohë që shihni kolegun që kalon përballë tavolinës suaj, fiksoni edhe atë që është mbrapa tij.

Mbyllini

Pikërisht kështu, por mos flini gjumë mbi karrige! Duke qëndruar me sy mbyllur për pak sekonda do të qetësoheni; kjo gjë hidraton kornenë e syve dhe parandalon irritimin e tyre. Po kështu është e këshillueshme që t’i lëvizni shpesh qepallat nëse i ndieni të mpira. Gjithashtu mund t’i prekni sytë shumë butësisht, pasi t’i keni larë duart me sapun (është e këshillueshme të shmangni sapunët e lëngshëm).

Rregulloni ndriçimin e ekranit të kompjuterit

Ndriçimi i shumtë i kompjuterit mund të bezdisë sidomos ata që kanë sytë me ngjyrë dhe e kundërta, pak dritë mund t’i lodhë ata që kanë sytë e errët. Këta persona, duke u përpjekur për të shikuar më qartë, do t’i sforcojnë sytë akoma edhe më shumë.

Kërkoni ndihmë në ueb, informohuni nga aty

Ekzistojnë programe për kompjuter që rregullojnë alternimin e shikimit mbi ekran dhe të pushimit të syve në tavolinë. Por si? Cilët janë? Softuerët si Easy Relax ose Eye Defender vënë në gatishmëri kompjuterin çdo herë që është e nevojshme: në dritaren e funksionalitetit zgjidhen minutat e punës dhe ato të pushimit të preferuara, kompjuteri do të bëjë gjithçka vetë. Këto programe mund të shkarkohen lehtësisht nga interneti.

Mbrojini vazhdimisht sytë

Nëse shefi ju ulëret për shkak të shumë pushimeve që bëni për të ruajtur shëndetin e syve tuaj, kujtoji se kjo gjë është shumë e rëndësishme për ju. Madje, për shembull, në Itali ekziston një ligj në Dekretin Legjislativ nr. 626/94, neni. 54, paragrafi 3 (“Puna në ekran”) ku theksohet se “punonjësi […] ka të drejtë për një pushim pesëmbëdhjetë minuta çdo dy orë.

Shëndeti i syve: ushqyerja korrekte

Të kujdeseni për shikimin tuaj është shumë e rëndësishme, sidomos për të parandaluar përkeqësimin ose shfaqjen e defekteve vizuale. Edhe ushqyerja vjen në ndihmë për ata që kalojnë shumë kohë përpara kompjuterit: vitaminat, mineralet dhe jeta e shëndetshme në natyrë luftojnë rreziqet që mund të përballin sytë. Por kujdes gjatë sezonit të verës. Nuk duhet të nënvlerësoni rëndësinë e syzeve të diellit me lente mbrojtëse. Rrezet UV kontribuojnë për të përkeqësuar shëndetin e syve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit