-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shëndeti, 7 sportet ideale për të djegur yndyrnat

Më të lexuarat

Lëvizja ndihmon gjithnjë për t’u dobësuar, por ka edhe disiplina të veçanta për ata që kërkojnë të humbasin peshë

Aktiviteti fizik është mënyra më e shëndetshme për të eliminuar yndyrnat e panevojshme. Parimi bazë është i thjeshtë: për të lëvizur, organizmi ynë konsumon “karburant” dhe për këtë duhen djegur para së gjithash sheqernat, të thjeshta apo komplekse, që marrim gjatë ngrënies së ushqimeve.

Kur ky burim energjetik i përdorimit të shpejtë ezaurohet, atëherë duhen sulmuar rezervat e yndyrnave. Por çfarë lloj lëvizjeje është më shumë e këshillueshme për ata që duan të humbin peshë?

Para së gjithash duhen marrë disa masa. Muskujt konsumojnë energji edhe kur nuk janë në aktivitet: për këtë, kryerja e aktivitetit fizik dhe sportiv, me shtimin e masës muskulore në vijimësi, shton konsumin energjetik të përgjithshëm të organizmit. Një muskulaturë e zhvilluar mirë, ndër të tjera përmirëson siluetën: një fizik tonik është më i përshtatshëm se një trup që nuk lëviz kurrë. Kush bën sport po ashtu, zakonisht e ka humorin të mirë falë çlirimit të hormoneve të mirëqenies dhe nuk të lejon të hash në mënyrë të tepruar. Një aktivitet fizik korrekt, favorizon ekuilibrin e përgjithshëm, të bën të ndihesh mirë me vetveten dhe përmirëson autostimën. Ja pra 7 sportet ideale që mund të ndihmojnë të djegësh më shumë kalori dhe të jesh në formë.

Të bësh ski – Lëvizja në borë, shpesh me temperatura të ftohta që e detyrojnë fizikun të konsumojë energji për t’u ngrohur, djeg nga 500 deri në 1000 kalori në orë. Është një sport që përfshin të gjithë muskulaturën e trupit dhe është i përshtatshëm për ata që stërviten dhe janë në formë të mirë: të tjerët, kanë nevojë të nisin të ecin gradualisht dhe të mësohen në fillim nga një instruktor.

Biçikleta – Të djeg nga 300 deri në 600 kalori në orë sipas shpejtësisë, nga forma e terrenit dhe nga kushtet klimatike. Është ideale për ata që janë mbipeshë, sepse nuk preken mesi dhe gjunjët. Është e shkëlqyer edhe për shtimin e kapacitetit të frymëmarrjes dhe ritmit kardiak.

Vrapim – Djeg nga 500 deri në 800 kalori në orë sipas shpejtësisë. Kur vrapohet, fiziku zhvillon një punë kardiake dhe muskulore të plotë. Është një sport i përshtatshëm për ata që nuk kanë probleme me kockat dhe kanë një zemër të shëndetshme. Para se ta praktikoni, është mirë t’i nënshtroheni një vizite te kardiologu për një kontroll rutinë dhe më pas rifilloni në mënyrë shumë graduale.

Fitnesi aerobik – (hapa, gjimnastikë, kërcim me litar) – Ju djeg nga 350 deri në 700 kalori në orë, sipas intensitetit të ushtrimeve. Aktiviteti është i shkëlqyer për t’u “skarikuar” dhe djersitur në maksimum.

Noti – Djeg nga 400 deri në 800 kalori në orë sipas intensitetit të punës fizike dhe të temperaturave të ujit. Është një nga sportet më të plotë dhe të përshtatshëm për të gjithë, edhe për ata që janë mbipeshë. Aktivizon muskulaturën e të gjithë trupit, por në veçanti atë të krahëve dhe të këmbëve (duke i zgjatur), përmirëson frymëmarrjen dhe ritmin qarkullues.

Futboll-Basket-Regbi – Sportet në skuadër si futbolli, basketbolli dhe regbia, djegin nga 650 deri në 1000 kalori në orë. Bëhet fjalë për sporte të plota, që kërkojnë shpejtësi, rezistencë dhe…tru. Nëse skuadra juaj është e përbërë nga persona të përgatitur, zbavitja pastaj është e sigurt.

Ecja në shpejtësi – Djeg nga 200 deri në 300 kalori në orë. Nuk është shumë, por mund të jetë hapi i parë për të mbërritur pastaj te vrapimi i lehtë dhe është e përshtatshme për të gjithë. Ekspertët këshillojnë një shëtitje me hap të shpejtë për të paktën 30 minuta në ditë: është e mjaftueshme për “të neutralizuar” tetë orë para kompjuterit të punës!.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit