0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Shëmtia e depolitizimit të vdekjes

Më të lexuarat

Nga Ergys Mërtiri 

Është e vërtetë se mediat janë një nga sferat më problematike në Shqipëri. Ato abuzojnë, ndoshta më shumë se gjithkush tjetër me përgjegjësinë e tyre, duke konsumuar vazhdimisht vepra penale e imorale që rëndojnë mbi individët dhe shoqërinë. Madje mund të thuhet pa frikë se ato janë një nga arsyet kryesore përse ky vend është në këtë gjendje.

Ato transmetojnë çdo ditë, vulgaritet, perversitet, mashtrime, shpifje, abuzime, sulme personale e politike për interesa korruptive apo edhe komerciale, në përpjekje për të fituar audiencë duke ngrënë mishin e viktimave të radhës.

Në mënyrën më të paskrupullt, shumica prej tyre i futen gjithkujt në shtëpi, në krevat, në banjë, në të mbathura, për të publikuar pjesë nga jeta private, personale e intime e tyre, pa e çarë kokën aspak për dramat që shkaktojnë. Kemi parë të publikohen prej tyre informacione personale njerëzish të panjohur, deri edhe tek detaje të akteve të përdhunimit ndaj minorenëve dhe askujt nuk i është skuqur faqja për këtë.

Por ja që vjen një moment kur i sheh shumicën prej tyre të flasin e çirren për etikë profesionale, për moral e për deontologji të profesionit, duke dënuar plot mllef e indinjatë publikimin e imazheve nga morgu i Tiranës, ku shfaqen pacientë të vdekur shtrirë përdhe për mungesë vendi, të cilat, sipas tyre, qenkëshin të rënda dhe të papërshtatshme!

Mjekë, gazetarë, mercenarë të shoqërisë civile, bashkuan zërin për të dënuar këtë veprim, si një akt i turpshëm i përdhosjes së të vdekurve, i të bërit politikë me vdekjen, i mosrespektit ndaj publikut etj.

Çfarë ka ndodhur? A u ndërgjegjësuan vërtet mbi nevojën për të dalë nga bota e kafshërisë së përditshme duke hyrë në atë të civilizimit dhe humanitetit? Duket se jo, për më tepër kur kanë gjetur rastin e gabuar për ta bërë këtë.

Në të vërtetë, publikimi i këtyre fotove duket plotësisht i justifikuar nga aspekti etik. Sigurisht, studiuesit e etikës dënojnë publikimin e pamjeve të tilla në përgjithësi, por ata bëjnë përjashtim kur kjo bëhet për të përcjellë një të vërtetë që është në interes të publikut.

A mund të përbëjë shkelje etike publikimi i pamjeve, bie fjala nga masakrat e ushtrisë serbe në Kosovë, apo nga kampet e përqendrimit në Aushvic e Birkenau? Sigurisht, pamjet e tyre janë edhe më e rënda sesa ato të publikuara në morgun e spitalit, por askush nuk thotë se publikimi i tyre është jolegjitim, dhe se në këtë rast kemi të bëjmë me një politike me vdekjen, ndonëse sigurisht edhe politikë bëhet me publikimin e tyre.

Të gjithë e dimë se përballë efektit negative të shkaktuar nga pamje të tilla prevalon interesi publik për informimin mbi të vërteta që ato pamje përmbajnë. Në këto raste publikimi është, jo vetëm legjitim, por edhe një detyrë morale e profesionale. Përkundrazi, censurimi përbën shkelje të lirisë së shtypit dhe një shkelje të rëndë të etikës publike.

Njerëzit kanë të drejtë të dinë se çfarë ndodh në spitalet tona dhe sesi është gjendja me pandeminë, cilido qoftë interesi politik që qëndron pas kësaj. Debati që mund të prodhojnë këto foto, nëse është apo jo i justifikuar veprimi i morgut, nëse fotot përbëjnë apo jo argument mbi shtimin e vdekjeve, është një diskutim që vlen të zhvillohet, por pa pasur nevojë të dënohet publikimi i tyre. Presioni mediatik për të imponuar censurë duke dënuar publikimin, është jo vetëm i pandershëm, duke pasur parasysh se kush e bën, por edhe i padrejtë.

Nga ana tjetër, fotot nuk tregonin asnjë prej kufomave me fytyrë dhe këtu nuk kemi asnjë shkelje të të dhënave personale. Publikimi i tyre tregon vetëm për gjendjen e morgut dhe nuk cenon aspak dramën personale të fatkeqëve në të, të paidentifikueshëm nga imazhet e përcjella. Ta shtrosh këtë diskutim në një vend ku publikohen çdo ditë aspekte intime njerëzish jopublikë, thjesht për kërshëri vuajeriste perverse të kronikës së zezë, është një cinizëm i madh.

Është fare e dukshme dhe e kuptueshme që i gjithë ky debat bëhet për të devijuar vëmendjen e publikut, nga qeveria dhe autoritetet përgjegjëse për gjendjen e spitaleve, tek autori i fotove që na rrëfeu një pasazh nga kjo gjendje. Pra, shqetësimi i tyre nuk qëndron tek etika mediatike, por tek fakti që ky rast prodhon indinjatë për qeverinë. Në këto kushte, insistimi për të bërë moral, aq më tepër nga gazetarë dhe mediume aspak të virgjër në këtë aspekt, tregon vetëm thellimin e përzhitjes në batakun e barbarisë ku ndodhemi. Përdorimi i moralit për arsye politike në shërbim të pushtetit është përdhosje edhe më e keqe e vlerave në emër të të cilave kurvërojnë interesat.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit