Allahu thotë në Kiran: Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, ndërsa Allahu ju garanton falje e begati. Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur. (el Bekare, 268)
Tefsiri:
– “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija …” – Kuptimi: Shejtani ju fton që të mos i bindeni urdhrit të Zotit tuaj për të shpenzuar. Ai ju urdhëron për koprraci. Që t’ia arrijë qëllimit të tij, ai ju frikëson duke ju thënë që, nëse e shpenzoni pasurinë tuaj, ju do të varfëroheni dhe do të bëheni nevojtarë për vete. Porse këto nuk janë këshilla të një miku që të do të mirën.
Përkundrazi, ato janë këshilla mashtruese. Ja cili është qëllimi i vërtetë i shejtanit, siç thotë i Lartësuari: “Ai i fton pasuesit e tij që të bëhen banorë të Zjarrit të ndezur fort.”. Kurrsesi mos iu bindni atij që ka të tilla qëllime ogurzeza, por bindjuni Zotit tuaj, i Cili ju urdhëron që të shpenzoni aq sa të keni mundësi, pa u dëmtuar. Bëjeni këtë, sepse Allahu ju premton diçka më të mirë:
– “… ndërsa Allahu ju garanton falje e begati.” – Pra, Allahu u premton falje gjynahesh atyre që shpenzojnë për hir të Tij. Ai premton edhe diçka tjetër, që quhet begati (fađlen). Begatia nënkupton çdo mirësi që synon njeriu në jetën e dynjasë dhe ahiretit. Begatia është zëvendësimi i shpejtë i pasurisë që shpenzohet dhe shumëfishimi i saj. Begatia është qetësia shpirtërore, që të lumturon dhe gëzon.
Begatia është mirësia që robi do të përjetojë kur të jetë vetëm në varr. Begatia është shpërblimi i premtuar për veprën e mirë, që do të jetë i shumëfishuar e që do të merret në një ditë shumë të vështirë e në çaste shumë të nevojshme, pikërisht Ditën e Gjykimit dhe të shpërblimit me drejtësi. Të gjitha këto nuk janë aspak shumë për Allahun e Lartësuar. Ato janë shumë të vogla e shumë të thjeshta për t’u përmbushur nga ana e Tij, sepse Ai thotë:
– “Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.” – Pra, Allahu është Bujar i madh me mirësitë që dhuron. Ai është edhe i Gjithëditur. Ai i njeh me hollësi të gjitha shpenzimet që bëjnë njerëzit, të vogla qofshin apo të mëdha, të fshehta apo të hapura. Sigurisht, i Gjithëdituri do të shpërblejë me mëshirë dhe me bujari për çdo gjë që shpenzohet dhe i përkushtohet Atij me sinqeritet. Le të shohë, pra, njeriu se cilës ftesë duhet t’i përgjigjet.
Këto ajete flasin për çështje shumë të rëndësishme. Ato nxisin për të shpenzuar për hir të Allahut, ashtu sikurse na porosit Ai. Në to shpjegohet se çfarë e shtyn njeriun që të shpenzojë: besimi dhe shpërblimi i madh nga Allahu. Ato vërtetojnë se zekati i floririt, i argjendit dhe i mallrave tregtare është detyrim ligjor, që duhet të jepet. Ky gjykim përfitohet pikërisht nga fragmenti: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar…”.
Zekati është detyrim ligjor edhe për prodhimet që nxirren nga toka, qofshin ato bimë, farëra, drithëra apo thesare e minerale, sepse Allahu thotë: ue mim-mã aħrexhnâ lekum- minel erđi / dhe nga ajo që e nxorrëm për ju prej tokës. Ky ajet tregon se zekati është detyrë të jepet nga ai që zotëron, bimësinë, drithërat apo siç quhet, “dobitë” e tokës, jo për pronarin e tokës. Sepse Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju!”.
Për ato pasuri që nuk përdoren për t’u kultivuar dhe për t’u shtuar, nuk është detyrë të jepet zekat, siç mund të jenë pasuritë e paluajtshme: toka, makina, shtëpia etj., ose edhe enët dhe mjetet e jetesës që njeriu i përdor dhe përfiton prej tyre. Të njëjtin gjykim ka edhe pasuria që njeriu nuk e ka në kontroll të tij, siç mund të jetë pasuria që ia kanë grabitur dhe nuk dihet se cili ia ka grabitur, ose një borxh i dhënë, që nuk e di se a do ta marrë mbrapsht apo jo.
Pra, edhe për këtë lloj pasurie nuk kërkohet që të jepet zekat, sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshëm zekatin për atë pasuri që përdoret për t’u shtuar dhe kultivuar, siç janë prodhimet e tokës apo pasuria që shtohet nga mallrat e tregtisë. Ndërsa pasuritë që nuk e kanë këtë qëllim, nuk llogariten për zekat. Ajeti tregon se pasuria me cilësi të ulët nuk është e vlefshme për t’u dhënë si zekat. Thënë ndryshe, zekati i dhënë me të tillë mall është i pavlefshëm, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar…”.
Nga tefsiri I shejh Sa’dit