1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Shefi i kompanisë ruse të naftës vdes në rrethana të paqarta

Më të lexuarat

LUKoil, ndër kompanitë më të mëdha private të naftës në Rusi, dhe ndër kritiket e pakta të luftës së Moskës në Ukrainë, ka thënë se shefi i saj ka vdekur pas një “sëmundjeje serioze”.

Kjo deklaratë ka ardhur pas raportimeve të mediave lokale se Ravil Maganov, 67-vjeçar, ka rënë nga dritarja e një spitali në Moskë dhe ka vdekur.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS, ka cituar një zyrtar për zbatim të ligjit të ketë thënë se Maganov ka kryer vetëvrasje nga kati i gjashtë i spitalit, pasi është pranuar në të për shkak të sulmit në zemër.

Faqja tjetër e lajmeve, RBK, ka thënë se policia është duke hetuar mundësinë e vetëvrasjes.

Maganov ka punuar për Lukoil prej fillimit të viteve 1990 dhe konsiderohet besnik i Kremlinit.

Megjithatë, LUKoil ka treguar pakënaqësitë e veta në muajin mars – pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë – duke u bërë ndër kompanitë e pakta që ka dënuar luftën.

Kjo kompani po ashtu ka bërë thirrje për dhënie fund të luftës sa më shpejt që është e mundur.

Në deklaratën e kompanisë LUKoil nuk janë dhënë hollësi tjera për vdekjen e Maganovit.

Vdekja e tij raportohet në kohën e disa vdekjeve tjera misterioze të sipërmarrësve rusë.

Në muajin maj, mediat ruse kanë raportuar se një ish-menaxher i kompanisë LUKoil, Aleksandr Subbotin, është gjendur i vdekur në podrumin e një shtëpie afër Moskës.

Sipas burimeve, pronari i shtëpisë ku është gjetur trupi i miliarderit, ka thënë se Subbotin ka shkuar në shtëpi nën ndikim të alkoolit dhe drogave.

Disa javë më parë, Vagit Alekperov, themelues dhe bashkëpronar i kompanisë LUKoil, ka dhënë dorëheqje, pasi ai dhe manjatë tjerë rusë, janë sanksionuar nga Australia dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të luftës në Ukrainë.

Ditën e njëjtë, mediat kanë raportuar se një ish-menaxher i kompanisë ruse të gazit, Novatek, Sergei Protosenya, gruaja e tij dhe vajza, janë gjendur të vdekur në një vilë të marrë me qira afër Barcelonës.

Edhe sipërmarrës tjerë biznesorë në Rusi janë gjendur të vdekur kohën e fundit, në rrethana të paqarta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit