Të paktën 19 persona, përfshirë nëntë fëmijë janë vrarë pas shpërthimit të një zjarri në një banesë në qytetin e Nju-Jorkut. Autoritetet lokale thanë se ky ishte zjarri më vdekjeprurës në vitet e fundit. Stefan Ringel, këshilltar i kryetarit të Nju-Jorkut, Eric Adams, konfirmoi për Associated Press numrin e viktimave, teksa një zyrtar tjetër lokal konfirmoi numrin e fëmijëve të vrarë nga zjarri. Dhjetëra persona të tjerë u lënduan ndërkaq 13 persona janë në gjendje kritike, tha Ringle. Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan teksa zjarri shpërtheu në një ndërtesë 19 katëshe në Bronks. Zjarrfikësit “gjetën viktima në çdo kat dhe viktimat kishin pësuar arrest kardiak apo respirator”, tha zyrtari i shërbimit të zjarrfikësve, Daniel Nigro. “Kjo është e paprecedent në qytetin tonë. Ne presim që të ketë më shumë viktima”, shtoi ai. Ai e krahasoi këtë ngjarje me zjarrin që kishte shpërthyer në një klub shoqëror më 1990 ku ishin vrarë 87 persona. Sipas Nigro, zjarri të dielën shpërtheu në një banesë që gjendej në katin e dytë dhe të tretë. Zjarrfikësit kishin gjetur hapur derën e kësaj banese, që sipas tyre, mundësoi që zjarri të përhapej me shpejtësi në katet e tjera të ndërtesës. Autoritetet janë duke hetuar shkaqet e zjarrit. Shpërthimi i zjarrit në Nju-Jork vjen disa ditë pasi një shtëpi në Filadelfi u dogj duke vrarë 12 persona, përfshirë tetë fëmijë.
/rel/