3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha ai.

Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .

“Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, tha Miller.

Zëdhënësi Miller tha se “SHBA dënon dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve. Ne vazhdojmë të angazhohemi drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon”.

Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse SHBA po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje.

“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”, tha ai.

Më 14 qershor, tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë brenda territorit të Kosovës në afërsi të vijës kufitare.

Ndërkohë më herët shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës.

Një natë më parë ai tha në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se një raund i ri i bisedimeve nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit