-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

SHBA kërkoi nga Serbia të tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën, reagon Rama

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri me Kosovën dhe të vazhdojë të ulë tensionet.

Rama ka thënë se “Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për de-eskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”.

“I bëj thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi. Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, ka shkruar Rama në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se më 24 shtator rreth 30 sulmues të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Serbia ka mohuar çdo përfshirje.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit