Për shkak të ndalimit të punësimit të punëtorëve të huaj, Shtetet e Bashkuara u detyruan të pushojnë nga puna 182 zyrtarë vendorë të misioneve diplomatike amerikane.
“Këto masa të pakëndshme do të ndikojnë seriozisht në punën e misioneve tona, e cila potencialisht përfshin sigurinë e zyrtarëve tanë, si dhe mundësitë për kontakte diplomatike me autoritetet ruse”, tha kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken.
Pavarësisht kufizimeve, Uashingtoni po përpiqet të zhvillojë marrëdhënie të parashikueshme dhe të qëndrueshme me Moskën, tha Blinken, raporton euronews.
“Ndërsa na vjen keq për veprimet e qeverisë ruse që na detyruan të zvogëlojmë shërbimet dhe operacionet tona, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përpiqen për marrëdhënie të parashikueshme dhe të qëndrueshme me Rusinë”, tha Blinken.
Kujtojmë se në përgjigje të sanksioneve, Rusia përfshiu Shtetet e Bashkuara në listën e vendeve armike dhe ndaloi misionet diplomatike amerikane të punësonin rusë dhe shtetas të vendeve të treta.
Deri më 1 gusht, Ambasada Amerikane në Rusi duhet të harmonizojë numrin e stafit të saj me kërkesat e reja. Siç tha ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, ambasada amerikane nuk do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime të plota konsullore nga 1 gushti, për shkak të kërkesës së palës ruse. /Telegrafi/