3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

SHBA-ja kundër pranisë fizike në Asamblenë e OKB-së

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje udhëheqësve botërorë që të mos udhëtojnë drejt Nju Jorkut në muajin shtator për takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. SHBA-ja po i nxit ata që në vend të prezencës fizike deklaratat e tyre t’i bëjnë përmes videos.

Misioni amerikan u ka dërguar 192 anëtarëve të tjerë të OKB-së një letër në të cilën gjithashtu bëhet thirrje që të gjitha takimet e tjera të organizuara nga OKB-ja dhe ngjarjet përcjellëse të jenë në formën virtuale.

“Krerët e delegacioneve duhet të konsiderojnë dërgimin e deklaratave të tyre në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së me video. Nëse delegacionet zgjedhin të udhëtojnë në Nju Jork ne kërkojmë që të sjellin numrin minimal të udhëtarëve të nevojshëm”, tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, në letrën të cilën u dërgoi homologëve të saj.

Agjencitë Reuters dhe AP e kanë parë përmbajtjen e letrës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në kuadër të Asamblesë së sivjetme po planifikon të organizojë takime të nivelit të lartë për ndryshimet klimatike, energjinë, sistemet ushqimore dhe 20 vjetorin e Konferencës Botërore të OKB-së Kundër Racizmit.

Por, SHBA-ja vlerëson se takimet përcjellëse që kërkojnë praninë e shumë personave e rrezikojnë pa nevojë komunitetin në Nju Jork dhe vizitorët tjerë.

Për shkak të pandemisë, në takimin e vitit të kaluar, udhëheqësit dërguan video të regjistruara paraprakisht ose deklaratat e tyre u lexuan nga ambasadorët përkatës në OKB.

Këtë vit, Shtetet e Bashkuara thanë se pandemia COVID-19 “vazhdon të përbëjë një rrezik të rëndësishëm shëndetësor në të gjithë botën”.

Rastet e shtrimeve në spital dhe të të infektuarve janë rritur në SHBA për shkak të variantit Delta të koronavirusit, i cili është më ngjitës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit