Shtetet e Bashkuara e akuzuan Rusinë për krime lufte përmes transferimit me forcë të 1.6 milion ukrainasve për në territorin e kontrolluar nga Rusia. Kjo akuzë bëri që zyrtarët e Kombeve të Bashkuara të kërkojnë qasje ndërkombëtare në të ashtuquajturit “kampe të filtrimit”.
Moska hodhi poshtë këtë akuzë duke thënë se miliona ukrainas kanë zgjedhur të shkojnë në Rusi ose në territoret e kontrolluara ruse, “ku ata jetojnë të lirë dhe vullnetarisht” në ato zona.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit se Rusia dhe mbështetësit e saj po shkaktojnë “një sërë tmerresh” në procesin që mbikëqyret nga zyra e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Transferimi i detyrueshëm ose dëbimi i personave të mbrojtur nga territori i okupuar në territorin e pushtuesit… përbën krim lufte”, tha Thomas-Greenfield gjatë mbledhjes së mbajtur në orët e vona të 7 shtatorit.
Ambasadorja amerikane tha se burimet, përfshirë edhe nga Rusia, sugjerojnë se autoritetet ose separatistët në Ukrainë kanë “marrë në pyetje, kanë ndaluar dhe kanë dëbuar me forcë” 900.000 deri në 1.6 milion ukrainas për në Rusi, qëkur nisi pushtimi rus në fund të shkurtit.
Ajo tha se vetëm gjatë korrikut, mbi 1.800 fëmijë janë dërguar nga territori ukrainas për në Rusi.
Thomas-Greenfield tha se “qëllimi i Rusisë është që t’i identifikojë individët që Moska i sheh si persona që nuk i nënshtrohen” asaj dhe se Moska “po përgatitet për një përpjekje për të aneksuar” territorin ukrainas.
Separatistët e mbështetur nga Rusia – që kanë kontrolluar pjesë të mëdha të rajoneve lindore ukrainase Luhansk dhe Donjeck që nga viti 2014 – veçse kanë tentuar që të shpallin pavarësinë nga Ukraina.
Qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt, liderët e instaluar nga Rusia janë zotuar se do të organizojnë referendume për t’iu bashkuar Rusisë.
Liderët në Kiev dhe ata në Perëndim kanë thënë se referendume të tilla nën okupim janë të paligjshme.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, i ka quajtur akuzat e SHBA-së pjesë të “fushatës dezinformuese” dhe tha se ukrainasit që udhëtojnë në Rusi i nënshtrohen “procedurës së regjistrimit dhe jo të filtrimit”.
“Ata po jetojnë lirshëm dhe në mënyrë vullnetare në Rusi. Askush nuk ua ndalon atyre që të lëvizin apo të largohen nga shteti”, tha Nebenzia.
Shumë rrëfime nga fëmijët ukrainas dhe nga civilët e tjerë kanë përshkruar kontrollet poshtëruese që kalojnë nëpër pikat e kontrollit dhe në “kampet e tjera të filtrimit” që drejtohen nga trupat ruse ose nga luftëtarët pro-rusë.
Thomas-Greenfield tha se “ka një mënyrë të thjeshtë për ta kuptuar nëse kjo është e vërtetë” duke kërkuar që Kombet e Bashkuara të kenë qasje në këto vende.
Ajo kërkoi që qasje të kenë edhe vëzhguesit e pavarur dhe organizatat joqeveritare dhe tha se “lëreni botën të shohë se çfarë po ndodh”.
Shefja politike e OKB-së, Rosmary DiCarlo, tha se pretendimet e vazhdueshme për “zhvendosjet me forcë, dëbimet dhe të ashtuquajturit ‘kampe të filtrimit’ të drejtuara nga Federata Ruse” janë “thellësisht shqetësuese”.
DiCarlo, po ashtu, kërkoi që OKB-ja të ketë qasje për të parë se si ukrainasit po jetojnë në zonat e kontrolluara nga Rusia.
Ajo tha se Komuniteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Misioni i OKB-së për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë, “duket të ketë qasje të papenguar te të gjithë individët e ndaluar në lidhje me luftën që po vazhdon”.
Ndërkaq, ndihmëssekretarja e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, Ilze Brands Kheris, i kërkoi Moskës që t’i ofrojë zyrës së saj qasje në të gjitha qendrat e ndalimit dhe tha se çdo adoptim i fëmijëve ukrainas do të ishte në kundërshtim me Konventën e Gjenevës.
Mbi 13 milionë ukrainas janë zhvendosur për shkak të pushtimit të paprovokuar rus, teksa numri i viktimave vlerësohet të jetë dhjetëra mijëra.