Detyrimi për vaksinim ose test do të vlente për rreth 80 milionë të punësuar në SHBA. Qeveria e presidentit Joe Biden donte që ta vendoste këtë rregull për sipërmarrjet e mëdha. Por këto plane tani u hodhën poshtë nga Supreme Court në Uashington, që e ndali nismën në fjalë. Në argumentim thuhet, se një rregullore e tillë e nxjerrë jo nga parlamenti, por në rrugë adiministrative i tejkalon kompetencat e autoritetit përgjegjës.
Kësisoj firmat me mbi 100 të punësuar tani për tani nuk kanë nevojë të kujdesen, që punonjësit e tyre të vaksinohen ose të testohen ndaj COVID-19. Edhe detyrimi për mbajtjen e maskës tani për tani bie.
Qeveria e konsideronte këtë rregull si një mjet presioni të rëndësishëm ndaj sipërmarrjeve, që në sfondin e ngarkesës që krijohet nga testimet rregullisht t’i vinin në lëvizje punonjësit e tyre për t’u vaksinuar, në mënyrë që të rritej kuota e vaksinimit në SHBA.Deri tani në SHBA janë vaksinuar plotësisht ndaj coronavirusit 63 përqind e popullsisë – ose rreth 208 milionë vetë. Prej tyre rreth 77 milionë, ose 37 përqind kanë marrë edhe dozën përforcuese të vaksinës.
Detyrimi për vaksinim për sipërmarrjet e mëdha në fakt do të duhej të kishte nisur qysh këtë javë, por disa shtete të drejtuara nga republikanët dhe biznesmenë ngritën padi kundër kësaj rregulloreje. Tani rregullorja do të kthehet për verifikim përfundimtar në një instancë më të ulët.
Vendimi i Supreme Courts ka të bëjë me mazhorancën konservatore të gjykatës së përbërë nga nëntë gjyqtarë. Tre gjyqtarët liberalë në një qëndrim të tyre shkruajnë, se autoriteti përkatës për sigurinë dhe kujdesin shëndetësor në punë (OSHA) nisur nga rreziku i madh, që vjen prej pandemisë, kishte të drejtë me vendosjen e rregullores për detyrimin për vaksinim dhe për test. Detyra e këtij autoriteti është, që të mbrojë të punësuarit nga “rreziqet e rënda”.OSHA parashikon që kjo rregullore mund të parandalojë në gjashtë mujorin e ardhshëm rreth 6.500 raste vdekjesh dhe 250.000 shtrime në spital. “Nuk ka asnjë arsye, për ta kundërshtuar këtë”, shkruajnë gjyqtarët.
“Ne nuk jemi autoritet shëndetësor”
Gjyqtarët konservatorë theksojnë në argumentimin e tyre, se ata nuk kanë gjykuar në thelb mbi legjitimitetin e detyrimit për vaksinim, por lidhur me atë se cili është organi kompetent për ta marrë këtë vendim: A ishte urdhëresa legjitime dhe a është ky autoritet federal përgjegjës për këtë? “Kjo gjykatë nuk është autoritet shëndetësor”, nënvizojnë gjyqtarët. Problemet e kujdesit shëndetësor janë nën kompetencën e shteteve federale dhe të komunave.
Pandemia po vazhdon prej dy vjetësh, por kongresi në Uashington nuk ka votuar që t’ia kalojë OSHA-së ose një tjetër autoriteti federal kompetencën për të urdhëruar detyrimin për vaksinë, shpjegojnë gjyqtarët. “Ajo që na u parashtrua ne për zgjidhje nuk ishte reagimi ndaj pandemisë, por kush i ka kompetencat për të vendosur mbi këtë”, shkruajnë gjyqtarët. Në një rast të tillë përgjigja është e qartë: në bazë të së drejtës aktuale kompetencën e kanë shtetet federale dhe kongresi, jo OSHA-ja.”
Detyrimi për vaksinim i personelit mjekësor
Në një vendim tjetër për detyrimin për vaksinim të personelit mjekësor në spitale dhe shtëpitë e kujdesit, që mbështetet financiarisht nga federata, Gjykata Supreme i dha të drejtë qeverisë. Bazuar në situatën ligjore në fuqi qeveria ka kompetencën, të kujdeset për shendetin dhe sigurinë e pacientëve në programet e shërbimit dhe asistencës mjekësore. Kësisoj për shumicën e institucioneve të shëndetësisë vlen detyrimi për vaksinim ndaj coronavirusit. /DeutscheWelle/