Rrethimi i vendosur rreth kompleksit të Kongresit amerikan pas kryengritjes vdekjeprurëse të 6 Janarit do të fillojë të hiqet që të premten, por shumica e vizitorëve ende nuk do të vazhdojnë të lejohen brenda ndërtesës.
Njoftimi u bë nga kreu i sigurisë i Dhomës së Përfaqësuesve në një email për të gjithë anëtarët e Kongresit dhe stafin e tyre.
Gardhi rrethues është një nga shenjat e fundit të mbetura nga veprimet e dhunshme të turmës që tronditën botën ndërsa mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën, duke u përpjekur të ndalonin certifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden në zgjedhje.
Kapitoli do të mbetet i mbyllur për shumicën e vizitorëve, thuhet në dokument.
“Megjithëse rrethimi i përkohshëm do të hiqet, kufizimet për hyrjen në ndërtesë do të mbeten në fuqi,” sipas njoftimit.
Zyrtarët federalë janë në dijeni të komunikimeve në internet mes grupeve të ekstremit të djathtë dhe njerëzve që besojnë në teoritë e konspiracionit, ku po diskutohet kthimi i mundshëm në Uashington si pjesë e një teorie konspirative të pabazuar sipas së cilës ish-presidenti Trump do të rikthehet në gusht.
Pesë persona vdiqën në sulmin e janarit, përfshirë një përkrahëse të zotit Trump të qëlluar dhe vrarë nga policia brenda Kapitolit dhe tre persona që patën probleme mjekësore në turmë. Një oficer policie vdiq më pas. Dy oficerë të tjerë vranë veten.
Policia e Kapitolit të SHBA-së do të vazhdojë të monitorojë informacionin e zbulimit dhe kërcënimet e mundshme dhe nëse është e nevojshme gardhi mund të ringrihet me shpejtësi, thuhet në dokument./VOA