10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

SHBA, disa prindër padi ndaj planit për luftë kundër islamofobisë në shkollë

Më të lexuarat

Prindërit pohojnë se paketa e masave kundër islamofobisë promovon një fe të caktuar dhe rrjedhimisht është në kundërshtim me Kushtetutën e SHBA-ve

SAN DIEGO (AA) – Një grup prindërish në qytetin San Diego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë ngritur padi ndaj Unionit të shkollave në qytet i cili ka marrë vendim të zbatojë masa kundër islamofobisë në shkolla, raporton Anadolu Agency (AA).

Padia ndaj shkollavë është ngritur nga gjashtë prindër, të cilët theksojnë se masat kundër islamofobisë që synojnë të mbrojnë nxënësit muslimanë nga diskriminimi i bazuar në identitet, i japin prioritet fesë islame krahasuar me fetë e tjera dhe se përmes tyre nxënësve muslimanë u mundësohen privilegje.

Në padinë e ngritur në Gjykatën Federale, prindërit pohojnë se paketa e masave kundër islamofobisë promovon një fe të caktuar dhe rrjedhimisht është në kundërshtim me Kushtetutën e SHBA-ve.

Bordi i Unionit të Shkollave në San Diego, nga ana tjetër, ka potencuar se nëpër shkollat e qytetit ende janë të përhapura sjelljet islamofobike dhe se shumë incidente janë mbyllur pa u raportuar, duke shtuar se masat kundër islamofobisë janë të nevojshme.

Unioni në fjalë ka evituar të komentojë lidhur me padinë.

Ndryshe, plani ishte miratuar më 4 prill në një mbledhje të unionit me votë unanime nga katër anëtarët e bordit. Vendimi kishte nxitur reagime ndër më të ndryshmet kurse pas raportimit të vendimit nga mediat konservatore në median sociale ishin përhapur komente dhe debate kundër vendimit.

Pas kritikave të shumta, institucioni arsimor në fjalë ka vazhduar mbështetjen për vendimin, duke dhënë informacione të detajuara në faqen e saj të internetit.

Unioni i Shkollave ka përgënjeshtruar pohimin se masat e marra promovojnë fenë islame, duke ritheksuar se ato janë miratuar për të mbrojtur nxënësit muslimanë dhe për të penguar ngacmimet dhe diskriminim në bazë të përkatësisë.

Në mesin e masave të miratuara përfshihen ndryshimi i kalendarit shkollor duke përfshirë festat fetare të muslimanëve, rishqyrtimi i përmbajtjes së librave rreth fesë dhe kulturës islame që gjenden në bibliotekat e shkollave dhe sigurimi i materialeve burimore për mësimdhënësit lidhur me këtë temë.

Bordi i Unionit të Shkollave në San Diego planifikon që të kontaktojë me Këshillin e Marrëdhënieve Amerikane-Islame dhe të marrë mendimin e këshillit në mënyrë që të arrihet sukses në zbatimin e këtyre masave.

Detajet e vendimit përmes letrave do t’u dërgohen prindërve të 132 mijë nxënësve në rajon.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit