0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

SHBA dhe Koreja e Jugut lëshojnë 4 raketa në Detin Lindor si përgjigje ndaj Koresë së Veriut

Më të lexuarat

Të dyja palët lëshuan nga dy raketa të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë për të treguar aftësinë e aleatëve për të parandaluar “provokime të mëtejshme”, ka thënë ushtria e Koresë së Jugut

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut lëshuan 4 raketa tokë-tokë në Detin Lindor gjatë stërvitjeve të përbashkëta një ditë pas lëshimit të një rakete balistike nga Koreja e Veriut, njoftoi sot ushtria koreano-jugore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Të dyja palët lëshuan dy raketa të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë (ATACMS), të cilat goditën me saktësi objektivat simuluese dhe demonstruan aftësinë e aleatëve për të penguar provokimet e mëtejshme”, raportoi agjencia e lajmeve me bazë në Seul, Yonhap, duke cituar deklaratën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut.

Të martën, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se SHBA-ja kreu stërvitje të veçanta ushtarake me Japoninë dhe Korenë e Jugut në përgjigje të lëshimit të raketës balistike me rreze të gjatë veprimi nga Koreja e Veriut.

“SHBA-ja i dënon këto veprime dhe i bën thirrje DPRK-së që të përmbahet nga aktet e mëtejshme të paligjshme dhe destabilizuese”, tha Patrick Ryder, zëdhënës i Pentagonit, duke iu referuar Republikës Popullore Demokratike të Koresë, emrit zyrtar të Koresë së Veriut.

Të martën, Ministria japoneze e Mbrojtjes tha se Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike e cila fluturoi në drejtim të prefekturave Aomori dhe Hokkaido në veri të Japonisë, duke paralajmëruar banorët që të kërkonin strehim.

Ministria më vonë tha se raketa tashmë kishte rënë. Kjo shënoi herën e parë pas 5 viteve që Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë balistike mbi arkipelagun japonez.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada tha se raketa fluturoi 4.600 kilometra, distanca më e gjatë ndonjëherë për një raketë me rreze të mesme ose të gjatë të lëshuar nga Koreja e Veriut, duke arritur në një lartësi prej 1.000 kilometrash.

“Raketa fluturoi mbi Japoni për rreth një minutë dhe ra jashtë zonës ekskluzive ekonomike të vendit rreth 3.200 kilometra në lindje të vendit në Oqeanin Paqësor”, tha Hamada.

Të shtunën e kaluar, Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor.

Përshkallëzimi i tensioneve me Korenë e Veriut mendohet të jetë si përgjigje e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake nga Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia në Detin Lindor.

Tensionet në gadishull u rritën në vitin 2020 kur Koreja e Veriut sulmoi dhe hodhi në erë zyrën e ndërlidhjes ndërkoreane përgjatë kufirit. Seuli është kërcënuar me një përgjigje të fortë nëse Pheniani “përkeqëson më tej situatën”.

Megjithatë, tensionet u rritën më tej vitin e kaluar kur Seuli dhe Pheniani mbajtën stërvitje ushtarake për të treguar muskujt e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit