1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

SHBA dhe jo BE-ja duhet të luajë një rol qendror në sigurinë e Ballkanit

Më të lexuarat

Sot dëgjojmë shumë të flitet për autonominë evropiane, edhe pse përkufizimi i saktë i saj mbetet i pakapshëm për shumicën e njerëzve. Siç na kujton Bismarku, në aspektin politik Evropa mbetet thjesht një koncept gjeografik, deh asgjë më shumë.

Për më tepër, organizatat që pretendojnë të flasin në emër të Evropës, si Bashkimi Evropian, ofrojnë vazhdimisht shfaqje të dështimit, paaftësisë, pavendosmërisë dhe mosveprimit. Politika energjetike e BE-së ka dështuar qartazi, teksa Brukseli nuk ka asnjë program për të adresuar sfidën e emigracionit, teksa po përballet me anëtarët që po shfaqin gjithnjë e më shumë një deficit demokratik në qeverisjen e tyre.

Po ashtu BE-ja nuk ka asnjë ide të qartë se si t’i kundërshtojë sfidat e shumta që vijnë nga Rusia, më së pari në Ukrainë, ku pavarësisht deklaratave të Moskës së kjo e fundit nuk ka të drejtë apo bazë për ekzistencë të pavarur, ajo vazhdon të përpiqet të angazhohet me Moskën mbi një çështje diplomatike të keqkuptuar, dhe në bisedime të kota mbi formulat e vjetruara për Ukrainën.

Dështimet e BE-së, përfshijnë gjithashtu atë që është ndoshta çështja më urgjente sa i përket sigurisë evropiane, dhe ajo që mund të ndezë lehtësisht një raund tjetër konfliktesh, përkatësisht tensionet Serbi-Kosovë dhe ato në Bosnje Hercegovinë.

Këto çështje janë pjesë e një mozaiku më të madh problemesh të pazgjidhura ballkanike që i ofrojnë shumë shanse dhe mundësi Moskës dhe mbështetësve të saj në rajon. Por përveç shekujve të nxitjes së intrigave ballkanike nga ana e Rusisë, dështimi i unionit dhe neglizhenca e përbashkët amerikano-evropiane, po i nxit gjithashtu aktorët lokalë të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe të nxisin kriza të reja etniko-fetare.

Rreziku qëndron në faktin se 300 vjet histori evropiane, tregojnë se krizat dhe konfliktet ballkanike,e rrezikojnë në mënyrë të pashmangshme të gjithë sistemin shtetëror evropian. Dhe është po ashtu e vërtetë se lënia pezull apo zgjidhja e këtyre krizave të mundshme, ndodh vetëm kur qeveritë apo institucionet kryesore evropiane marrin drejtimin në menaxhimin apo zgjidhjen e tyre.

Sapo këto institucione nisin talënë pas dore Ballkanin apo të shmangin përgjegjësitë e tyre, pa dashje ato hapin “Kutinë e Pandorës”, ose i lejojnë liderët vendas që ta bëjnë këtë me pasoja të njohura lokale dhe kontinentale. Kështu, tensionet e fundit midis Beogradit dhe Prishtinës, të shkaktuara nga një përplasje për çështjen në dukje të parëndësishme të targave, nxjerr në pah dështimin e vazhdueshëm të Brukselit në Ballkan, dhe nevojën urgjente për një prani të fuqishme diplomatike të SHBA-së atje.

Ky angazhim është thelbësor për të parandaluar që aktorët vendas t’i nënshtrohen tundimit për të nxitur kriza të reja. Ndoshta jo rastësisht, kriza e fundit ndodhi pak ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, kur autoritetet në Prishtinë vendosën në mënyrë të njëanshme një politikë të re të targave që prek pakicën serbe atje, me sa duket për të mobilizuar bazën e tyre mbështetëse në ato zgjedhje.

Një ngacmim i tillë i pasioneve etnike i sjell dobi vetëm Moskës, dhe në fund dëmton interesat e Prishtinës. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, e vlerësoi saktë këtë krizë kur tha:“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin, janë të papranueshme”.

Në fakt, as Prishtina dhe as Beogradi nuk mund të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme statuskuonë. Nëse Prishtina dëshiron qëta avancojë statusin e saj ndërkombëtar, ajo duhet ta bindë Beogradin që të mos vazhdojë të ushtrojë presion ndaj gjysmës së botës për të mos e njohur atë si shtet,duke bllokuar në këtë mënyrë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Njëherazi, statuskuoja aktuale dhe e pazgjidhur mes Beogradit dhe Prishtinës i sjell përfitime Moskës. Rusia e përdor ndikimin e saj në mosmarrëveshjen e dy palëve për të ruajtur varësinë e Serbisë ndaj saj. Prandaj, vazhdimi i kësaj statuskuoje është i rrezikshëm për Serbinë, Kosovën dhe Ballkanin në tërësi.

Përpara se të veprojë për të çuar përpara interesat e saj të ngushta,Kosova që varet shumë nga Perëndimi, duhet të mbajë parasysh interesat perëndimore në paqen dhe sigurinë e Ballkanit. Kriza e njëanshme e krijuar rreth çështjes së targave ishte një qasje dritëshkurtër. Ajo e detyroi Serbinë të mbështetej tek Rusia, duke e konsoliduar kësisoj praninë dhe ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Ky rezultat nuk i sjell asnjë dobi Prishtinës, Evropës apo SHBA-së. Për ta ndihmuar veten dhe Perëndimin, dhe për ta çliruar Serbinë në mos edhe Ballkanin nga ndikimi rus, Prishtina dhe Beogradi duhet të negociojnë bashkarisht për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Por kjo gjë do të kërkojë angazhim më të madh të SHBA-së. Pjesëmarrja e Beogradit dhe Prishtinës në një proces diplomatik të udhëhequr nga SHBA (dhe të mbështetur nga BE-ja) është me përfitim për të dyja palët. Nëse ky projekt mund të shënojë progres apo të zgjidhë me sukses çështjet e pazgjidhura mes tyre, atëherë ai do t’i japë fund izolimit të tyre dhe do të lehtësojë integrimin e ndërsjellë në Evropë.

Nga ana tjetër ky rezultat, do t’i vendosë të dyja palët nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s, dhe do të përmirësojë qeverisjen e tyre demokratike, si dhe do të zvogëlojë në masë të konsiderueshme aftësinë e Rusisë për të ndërhyrë dhe korruptuar politikën e tyre, dhe më e rëndësishmja,me kalimin e kohës ai do të lehtësojë marrëdhëniet gjithnjë e më paqësore midis tyre.

Precedenti për këtë është suksesi gradual i Uashingtonit në uljen dhe zhdukjen graduale të tensioneve izraelito-arabe. Është e qartë se nëse lihet e vetme, BE nuk mund të bëjë përparim në këto çështje shqetësuese të sigurisë në Ballkan. Dhe dështimi i unioni për t’u zgjeruar në rajon dhe për të qetësuar marrëdhëniet serbo-kosovare dhe serbo-boshnjake ofron një shans të madh për aktorët lokalë dhe ata në Rusi që duan të përkeqësojnë tensionet.

Ky fakt e lë Uashingtonin si ndërmjetësin e vetëm të mundshëm që mund ta çojë procesin drejt përfundimit. Vetëm Uashingtoni ka fokusin e duhur për të fituar besimin e të dyja palëve nëse vendos të udhëheqë iniciativa të reja. Dhe vetëm Uashingtoni me mbështetjen e BE-së, mund të ofrojë lehtësimin e zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura, dhe për të kapërcyer pengesat e brendshme ndaj bisedimeve të paqes.

Përndryshe, nëse ne dhe aleatët tanë thjesht e braktisim axhendën e sigurisë ballkanike, herët a vonë kjo rrymë do të dalë sërish nga “shtrati” i saj dhe do ta cënojë sigurinë evropiane. Nëse ne dhe aleatët tanë jemi vërtet seriozë për sigurinë dhe autonominë evropiane, nuk mund të injorojmë thuajse 3 shekuj të historisë evropiane.

Siguria e Ballkanit është siguria evropiane, dhe siguria evropiane është jetike për sigurinë e SHBA-së. Logjika e padiskutueshme e këtij këndvështrimi, e vërtetuar nga një histori tragjike, duhet ta nxisë Uashingtonin që të veprojë tani, në vend se të presë për krizën e ardhshme, e cila mund të jetë përtej mundësisë së zgjidhjes.  /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim:Stephen Blank, bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme (FPRI). Ai gjithashtu është konsulent i pavarur i fokusuar në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë e ish-Bashkimit Sovjetik, Rusisë dhe Euroazisë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit