0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Shans për tu vetëmbrojtur nga sëmundjet psikike

Më të lexuarat

Nga: Dr Amr Ebu Halil

Shans për tu vetëmbrojtur nga sëmundjet psikike

Psikika e njeriut është si puna e makinës, e cila ka nevojë për shërbime periodike.
Të gjithë ne jemi të ekspozuar ndaj sëmundjeve me natyrë psikike, në çdo stad të jetës. Prandaj pyetja që na vjen ndërmend menjëherë është: A ekzistojnë metoda dhe mënyra për ta mbrojtur veten nga sëmundjet psikike?
Me qëllim që ta kemi më të qartë si problem, unë e krahasoj atë me sëmundjet organike. Njeriu sëmurët kur i dobësohet sistemi imunitar. Për ta forcuar atë sërish, atij i duhet një sistem i ekuilibruar ushqimi i shëndetshëm, marrje të rrezeve të diellit, marrje me sport etj… Vetëm kështu, sistemi i tij imunitar do të funksionojë sa më mirë dhe do bëjë të mundur triumfin ndaj sëmundjeve.
E nëse njeriu e neglizhon ushqimin dhe nuk e plotëson nevojën e tij për pushim, ai do të sëmuret medoemos. Në raste të tilla, vetë personi pohon: Kohët e fundit e kam lënë pas dore veten, për rrjedhojë është dobësuar sistemi imunitar dhe jam sëmurë.
E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e sëmundjeve psikike. Njeriu ka sistem imunitar psikik, i cili nëse dobësohet, i shkakton atij sëmundje psikike. Sistemi imunitar psikik, ka nevojë për shërbim me qëllim që të jetë aktiv dhe ky shërbim konsiston në: Shoqërim, pushim dhe argëtim.
Stacionet e furnizimit
Secili prej nesh duhet të ketë miq e shokë, me të cilët ndihet mirë dhe harron hallet e kësaj jete. Teksa qëndron me ta, ai i harron të gjitha preokupimet dhe idetë negative. Ata e pajisin me energjinë që i lipset. Ai ndihet i sigurt pranë tyre, ndërkohë që u qan hallin dhe u tregon dhimbjet. Veç halleve, ai ndan me ta edhe lumturinë dhe gëzimet. Ai ndihet rehat me praninë e tyre në jetën e tij, edhe pse ndonjëherë i ndan distanca e largët.
Stacioni i dytë është pushimi dhe shëtitja. Secili prej nesh duhet të zhvillojë aftësitë personale për të gjetur një kohë pushimi dhe shijimi të jetës. Shpesh herë, ne e konsiderojmë edhe ditën e pushimit, si një lloj luksi të tepërt. Kjo ditë shndërrohet në një ditë plogështie, gjumi dhe zgjimi tepër vonë. Ne e refuzojmë idenë e të dalit për shëtitje jashtë në ambient me ajër të pastër, në gjelbërim dhe ujëra të kulluar. Ne harrojmë se shijimi i ditës së pushimit, është një formë karrikimi të baterive tona psikologjike, bateri e cila na furnizon përgjatë gjithë javës.
Ne e fillojmë javën e punës me energji psikologjike të sosura, pasi nuk kemi kontribuar në karrikimin e baterisë gjatë ditës së pushimit, me një shëtitje të këndshme në tokë apo në bregdet. Ne nuk po kërkojmë ndonjë gjë të vështirë apo shpenzime të mëdha. Ne po kërkojmë thjesht një dalje në ambiente të hapura, para detit apo në një lulishte plot gjelbërim dhe lule, ku të luajmë dhe të lëvizim pa kufizime. Ne na lipset një ambient ku të mos i marrim me vete celularët, të cilat na sjellin lajme e të reja në çdo çast. Vetëm kaq.
Stacioni i tretë është dëfrimi dhe ushtrimi i një hobi. Është diçka që njeriut i fal kënaqësi teksa e ushtron. Prandaj, njeriu duhet ti kushtojë kohë gjërave që i pëlqen. Nga këshillat e Ibrahimit a.s që kanë arritur të mbërrijnë gjer tek ne, është dhe:”Njeri i zgjuar është ai që ka tre orë: Një orë i përkushtohet Zotit, një tjetër merret me punët e përditshme dhe një tjetër i përkushtohet vetes dhe qejfit.”
Sipas psikologëve, ora e tretë, është më e rëndësishmja dhe më e rrezikshmja, sepse është ajo që e ndihmon për dy orët e tjera. Është pikërisht kjo orë që e ndihmon njeriun ti përkushtohet Zotit dhe adhurimit të Tij, ashtu siç e motivon dhe ndihmon të kryejë në mënyrë perfekte punën që i është besuar, me të cilën siguron jetesën. Prandaj lipset që secili të ketë një hob që i pëlqen dhe i fal kënaqësi. Me këtë rast, më kujtohet motoja: Një orë në ditë, një ditë në javë, një javë në sezon.”
Rekuperim
Një orë në ditë me miqtë ose me hobin, një ditë në javë – dita e pushimit – e cila përdoret për tu qetësuar dhe shplodhur, si dhe një javë në çdo sezon, na mundëson të shkarkojmë lodhjen dhe energjitë negative. Ato janë një rikarikimi dhe rekuperim i energjive psikologjike.
Ai është një proces rekuperimi për psikikën njerëzore, për ti dhënë mundësinë të gëzojë shëndet të plotë, gjë e cila e ndihmon në përballjen me presionet ditor, javore apo sezonale qofshin.
Nëse nuk e bën këtë, psikika jote do e marrë pushimin e saj, por këtë do e bëjë në mënyrë patologjike.
Këtu do më duhet të bëj një krahasim me shërbimin që i lipset makinës, e cila nuk duhet lënë derisa ti përfundojë lënda djegëse plotësisht. Përndryshe do të duhet një proces goxha i ndërlikuar derisa të mund ta përdorësh sërish. Prandaj, ajo duhet furnizuar me karburant herë pas here.
Nëse nuk e karrikon veten me energji pozitive dhe psikike, nëse nuk i mundëson të shplodhet, të kënaqet dhe dëfrejë, ajo do të manifestojë probleme në funksionim, duke e siguruar shplodhjen dhe rehatinë në mënyrë të detyruar. Ajo do të detyrojë të qëndrosh në shtëpi dhe ti humbasësh ato orë, të cilat do i kishte kaluar në pushim, dëfrim dhe takime me miq e shokë. Po, do i humbasësh, por do i humbasësh duke qenë i sëmurë, duke vuajtur nga depresioni, paniku dhe dyshimet. Do të lipset kohë e gjatë për trajtim psikologjik derisa të marrësh veten dhe të stabilizohesh.
Me qëllim që ta mënjanosh dhe t’ia kursesh vetes gjithë këtë, të lipset ta rinovosh jetën tënde një orë në ditë, një ditë në javë dhe një javë në sezon.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit