Thatësira e këtij viti dhe zjarret kanë dëmtuar bimët mjekësore duke sjellë vështirësi për qindra familje që jetojnë me mbledhjen e tyre. Në Qarkun e Gjirokastrës rreth 30% e familjeve në zonat rurale që nuk kanë tokë bujqësore i sigurojnë të ardhurat ekonomike nga ky aktivitet. Agjensia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar USAID e ka mbështetur vitet e fundit këtë sektor. Një pjesë e prodhimit shkon drejt SHBA-së, ndërsa Shqipëria është një nga ekportuesit më të mëdhenj të bimëve mjekësore në Europë.
Mbledhësit e bimëve mjekësore nisen në malësitë e jugut për të siguruar jetesën ndërsa pikat e grumbullimit tërheqin hap pas hapi prodhimin e sherebelës, çajit të malit dhe bimëve të tjera mjekësore që mblidhen për tu eskportuar. “Por ky vit ishte i vështirë”, thotë Hektor Shehu, një grumbullues në Libohovë të Gjirokastrës, pasi sipas tij “thatësira nuk lejoi zhvillimin e bimëve dhe zjarret dëmtuan sipërfaqe të mëdha”. Hektori thotë se “ata grumbullojnë bimët në gjendje të egër në natyrë dhe pasojat mbi natyrën janë edhe pasoja për mbledhësit”.
“Thatësira dhe zjarret na dëmtuan këtë vit në mbledhjen në natyrë të bimëve mjekësore dhe aromatike. I kemi të gjitha prodhime të malit dhe janë organike, janë të painfektuara nga infeksione si nga plehrat kimike që përdoren në bujqësi”, thotë ai.
Një tjetër faktor që po i penalizon grumbulluesit është edhe migrimi i banorëve nga këto zona dhe mungesa e dëshirës së të rinjve për t`u përfshirë në mbledhjen e bimëve mjekësore.
“Na penalizon edhe ikja e njerëzve nga këto zona në emigrim sepse këto moshat e reja nuk e kanë dëshirë mbledhjen e bimëve mjekësore dhe aromatike”, thotë Hektori.
Profesori i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës Lulëzim Shuka thotë se ngrohja globale po ndikon gjithnjë e më shumë në zhdukjen e habitateve të bimëve mjekësore.
“Një faktor negativ që sjell pakësimin e bimëve mjekësore është ngrohja globale dhe thatësira e tejzgjatur që po ndodh shpesh këto 10 vitet e fundit kryesisht në periudhën korrik gusht, shtator, por sivjet edhe në tetor. Matjet tona tregojnë që kapaciteti ujor në një kilogram tokë është dy herë më i ulët se minimalja këto toka mbajnë gjatë muajve korrik dhe gusht. Kjo do të thotë që zgjatja e thatësirës me dy muaj më tepër me temperaturat e larta që ka Mesdheu po çojnë drejt zhdukjes së habitateve të këtyre bimëve”, thotë ai.null
Zoti Shuka përmend edhe faktorë të tjerë që ndikojnë si në jug edhe në veri të vendit në pakësimin e burimëve mjekësore dhe aromatike:
“Ndikimi i madh ndaj biëmve mjekësore shprehet në ndryshimet që ndodhin në strukturën e bimësisë së habitateve ku këto bimë rriten .Gjatë vëzhgimeve të këtyre 10 viteve unë shoh që ka një një përparim të madh të bimësisë halore dhe kryesisht të pishës së zezë dhe pishës pesëgjethëshe drejt kullotave ku rriten një pjesë e këtyre bimëve. Po shoh që në pjesën veriore të vendit pisha po zhvendos boronicën, po kështu një ndikim të madh ka ndaj agulices një ndër bimët më të kërkura mjekësore”.
Një faktor i tretë që ka dëmtuar në Shqipëri sipërfaqe masive janë zjarret thotë zoti Shuka që vijnë gjithnjë e më shumë për shkak të temperaturave të larta.
Mbi 10.000 familje vlerësohet se sigurojnë jetesën me bimë medicinale në Qarkun e Gjirokastrës, një qark i njohur për mbledhjen e këtyre bimëve në natyrë.
Ndërkohë në shkallë vendi sipas një raporti të Agjensisë Shqiptare të Investimeve, në Shqipëri me bimët mjekësore merren rreth 85 mijë persona , ndërkohë që vendi ka 31 kompani eksportuese, prej të cilave 15 janë eksportues të mëdhenj.
Po sipas raportit, më shumë se 400 specie janë identifikuar si bimë mjekësore aromatike të florës shqiptare nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregëtohen.
Ndërkohë eksportuesit thonë se po mbështeten jo vetëm tek kjo mënyrë e mbedhjes së bimëve mjekësore në natyrë të egër, por edhe tek kultivimi i bimëve.
Bensik Koçi ka ngritur në Këmishtaj të Lushnjës një njësi të përpunimit të bimëve mjekësore aromatike.
Besniku thotë se pasi u kthye nga emigrimi ndoqi traditën e prindërve të tij që merreshin me mbledhjen në natyrë të bimëve mjekësore:
“Kam jetuar prej 15 vitesh si emigrant në Greqi dhe në 2010 vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të vazhdoja atë që pikërisht bënin prindërit e mi. Ne vazhduam mbledhjen e egër dhe kultivimin që bënte familja, shtuam produkte dhe blemë varietete të reja nga vendet e Europës dhe më gjerë dhe vazhduam këtë gjë ta kalonim në nivel eksporti Ne eksportojmë kryesisht në SHBA dhe kemi një portofol të gjerë prej 130 bimësh mjekësore dhe aromatike që eksportojmë”.
Agjensia Amerikane e Zhvillimit Ndërkombëtar USAID e ka mbështetur vitet e fundit këtë sektor duke rritur kapacitetin eksportues.
“Ne kemi pasur disa mbështetje siç kanë qenë pogramet e USAID që vitet e shkuara kanë pasur edhe buxhete të konsiderueshme për të ndihmuar sektorin tonë. Kemi programe mbeshtetese edhe nga GIZ i qeverise gjermane dhe nga qeveria shqiptare por kemi nevojë për më tepër vëmendje”, thotë ai.
Zoti Koçi thotë se ka hapur 16 pika grumbullimi në gjithë territorins shqiptar dhe tani vemendja po përqëndrohete dhe tek kultivimi pasi në zonat malore kanë mbetur pak njerëz për t`u marrë me mbledhdjen në natyrë.
“Po merremi kryesisht me kultivimin e bimëve mjekësore aromatike sepse në zonat ku janë prodhuar apo mbledhur këto më parë, fshatrat kanë ngelur me pak njerëz”, thotë ai.
Rreth 70% e sherebelës shqiptare eksportohet në SHBA, ndërsa Shqipëria ëahtë kthyer vitet e fundi sipas Agjensisë Shqiptare të Investimeve (AIDA) në nga eksportueset më të mëdha të bimëve mjekësore dhe aromatike në Europë. Vitin e shkuar Shqipëria eksportoi mbi 14,4 mijë tonë bimë mjekësore aromatike, ndërkohë që kapaciteti real i prodhimit i kalon 120 mijë tonët, sipas Shoqatës së Bimëve Mjekësore Aromatike. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2020, eksportet e bimëve mjekësore e kaluan vlerën e 55 milionë dollarëve./VOA