Sot në mëngjes është ndier tërmeti më i fuqishëm prej katër tërmeteve në thellësi prej 1 kilometri
SHKUP ( AA) – Katër tërmete ku më i fuqishmi ishte me 4.1 ballë sipas Rihterit janë regjistruar mbrëmë në rajonin e Ohrit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sot në mëngjes është ndier tërmeti më i fuqishëm prej katër tërmeteve në thellësi prej 1 kilometri.
Mbrëmë pas mesnate është regjistruar tërmeti me magnitudë prej 3 ballë të cilit i paraprinë dy dridhje me fuqi prej 3.2 dhe 3.1 ballë.
Nga mesi i muajit të kaluar deri më sot në rajonin e Ohrit janë regjistruar mbi 1.000 tërmete.
Më i fuqishmi ishte pardje me magnitudë prej 5 ballë sipas shkallës së Rihterit, që shkaktoi shqetësim tek banorët dhe turistët, ndërsa janë lajmëruar edhe dëme më të vogla.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes (MM) doli me një njoftim ku ofron kapacitetet e kampit ushtarak “Vasko Karangelski” në Shën Naum, Ohër, për vendosjen e qytetarëve të shqetësuar nga seria e tërmeteve që përfshinë qytetin dhe rrethinën.
“Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në këtë mënyrë iu përgjigj thirrjeve të qytetarëve drejtuar asaj përmes rrjeteve sociale, që të hapen dyert e kampit ushtarak, meqë qytetarët do të ndiheshin më të sigurtë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Dyert e kampit, theksojnë nga MM-ja, janë të hapura për qytetarët të cilët kanë dëme nga dridhjet e deritanishme dhe ndiejnë nevojë që të strehohen në kampin ushtarak derisa toka në Ohër të qetësohet.