1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Serioziteti

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Serioziteti

Thotë Profeti a.s në një hadith:”Më garantoni gjashtë gjëra, t’ju garantoj xhenetin. Mbajeni fjalën kur ta jepni, thoni të drejtën kur të flisni, çojeni amanetin në vend kur t’ua besojë dikush, ruajeni nderin, uleni shikimin dhe shkoni mirë me farefisin.” (Musned imam Ahmed)
Ky hadith është tema rreth të cilës do të fokusohemi në këtë trajtesë, temë e  cila ka të bëjë direkt me ndryshimin e vetes.
Thotë një i ditur:”O njerëz! Mejdani ynë i parë dhe më i rëndësishëm, është ai ku ne vendosemi para nefsit. Nëse fitojmë kundrejt nefsit, do e kemi më të kollajtë të fitojmë kur të përballemi me armikun. Por nëse thyhemi para nefsit, para armikut do të thyhemi më shpejt.”
Kjo temë, u dedikohet dhe u drejtohet kryesisht të rinjve dhe do fokusohet kryesisht mbi seriozitetin në punë dhe kudo. Shumë të rinj të sotëm, vuajnë nga sindromi i pavendosmërisë, lëkundshmërisë, mungesës së seriozitetit, indiferentizmi etj…
Si mund të rimëkëmbet umeti ynë, ndërkohë që të rinjtë tanë etiketohen me gjithë këto epitete të ndryshme?!
Kjo temë, u drejtohet kryesisht të rinjve myslimanë, pasi sipas statistikave, të rinjtë e vendeve myslimane, përbëjnë 70 % të popullsisë së këtyre vendeve. Ndërkohë që në perëndim, të rinjtë përbëjnë vetëm 30 % të shoqërisë. Kjo do të thotë se vitaliteti dhe forca jetësore në shekullin e ardhshëm, i përket umetit tonë. Por do të ishte fatale, nëse 70 % -shi do të ishte pasiv, ndërkohë që 30 % – shi aktiv.
Po ta shihni me vëmendje, çdo temë që trajtojmë ose ka të bëjë me një nga adhurimet dhe ritet themelorë në islam, ose me një vlerë dhe normë morali. Me qëllim që të rimëkëmbet umeti, duhet t’i ketë të dyja të zhvilluara. Një ndër temat që do të trajtojmë është edhe ajo mbi rëndësinë e dijes dhe informacionit. Një umet që nuk posedon dijet themeltare, nuk mund të zhvillohet dhe nuk mund të udhëheqë.
Këto tema, ne ua dedikojmë kryesisht të rinjve, pasi vitet e rinisë janë vitet më të bukura në jetë. Fëmijëria është një periudhë ku njeriu është i shëndetshëm, por që i mungon arsyeja. Pleqëria është një etapë e mbushur me urtësi dhe mençuri, por që i mungon fuqia dhe forca. Periudha e vetme kur njeriu i gëzon të dyja, fuqinë fizike dhe atë mendore, është ajo e rinisë. Për këtë, pasuria më e madhe e një umeti nuk janë ato minerale, as ato natyrore dhe turistike, as vendndodhja gjeografike, as pjelloria tokësore etj… por rinia dhe formimi i saj intelektual. Nëse kërkon të vlerësosh një populli, e bën këtë duke studiuar kapacitetin e rinisë së tij.
Sociologët, bazohen mbi një kriter të rëndësishëm në përcaktimin e historisë dhe të ardhmes së një populli. Duke u bazuar në këtë kriter, ata përcaktojnë vitin kur ky shtet mund të rrënohet, sa mund të zgjasë ekonomia e tij e fuqishme, kur mund të ringrihet sërish etj…
Ata vizitojnë universitetet dhe shkollat e këtij vendi, ku studiojnë kapacitetin, aspiratat dhe seriozitetin e studentëve. Këtë e bëjnë duke u ulur me të rinjtë, duke i anketuar dhe duke i studiuar nga afër.
Nëse të rinjtë e një vendi, nuk kanë interes tjetër më të madh se të njihen me një vajzë dhe të bashkëjetojnë për të përmbushur nevojat e tyre seksuale, një vend i tillë nuk mund të zhvillohet dhe përparojë.
Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa të ndryshojnë gjendjen e tyre.
Ne jemi mësuar të fajësojmë njëri-tjetrin për situatën ku gjendemi, duke vazhduar me pasivitetin vrasës.
Atë që sociologët bëjnë sot për parashikimin e të ardhmes së një populli, myslimanët e kanë bërë që para pesëqind vitesh në Andaluzi. Myslimanët kanë jetuar në Andaluzi dhe e udhëhoqën këtë vend për tetë shekuj. Baskët, për t’u siguruar që ushtria dhe popullata myslimane në Andaluzi është e favorshme për të ndërhyrë me ushtri, dërgonin spiunë. Këta spiunë, takoheshin me të rinj myslimanë dhe i pyesnin mbi objektivat e tyre në jetë dhe aspiratat. Kur të rinjtë myslimanë konkurronin se cili ishte më i aftë në matematikë, kalorësi dhe shkenca të tjera, spiunët paraqitnin raportin përkatës dhe në fund shënonin:”Aktualisht është e pamundur ndërhyrja ushtarake.”
Pak para rënies përfundimtare të Andaluzisë, spiunët dhe agjentët e baskëve panë që rinia myslimane nuk kishte më të njëjtat aspirata dhe interesa. Një nga këto agjentë, rrëfen:”Kur hyra, gjeta një djalosh të ri duke qarë. I çuditur e pyeta mbi shkakun dhe ai më tha:”Qaj se më ka braktisur e dashura.”
Kështu, u ktheva tek baskët dhe u thashë:”Tani është koha e përshtatshme për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për ta marrë Andaluzinë.”
Myslimanët që kishin tetë shekuj që jetonin në Andaluzi, i dëbuan për dy tre muaj nga kjo tokë. Shkaku është përsëri po ai: Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë gjendjen e tyre.
Ne asnjëherë nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata i bënin vetvetes padrejtësi.” (Nahl, 118)
Këto fjalë nuk i themi me qëllim që t’u shtojmë pesimizmin. Jo. Unë e di që rinia myslimane është në rizgjim e sipër, unë e di që të rinjtë tanë e duan atdheun ku kanë lindur dhe janë krenarë me përkatësinë e tyre, unë e di që ata e duan fenë dhe janë të suksesshëm në jetë, unë e di që synojnë dhe kanë objektiva madhore etj… por për fat të keq, një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë të vuajnë nga mos serioziteti.
Këtu hyjnë ata të rinj të cilët gjithë vitin e kalojnë në dëfrim dhe kur vjen dita e provimeve, kopjojnë për të kaluar. A nuk është kjo mungesë serioziteti?
Si mund të triumfojë një umet, ku gjysma e studentëve të tij e kalojnë ditën mbi trotuare duke vrarë kohën?! Si mund të triumfojë një umet, ku sallat e studimit në universitete janë pothuaj bosh?
Më e keqja është se këtë mungesë serioziteti nga ana e studentëve, e pasurojnë dhe e stimulojnë vetë mësuesit dhe profesorët. Ata i kalojnë ose i ndihmojnë studentët të kopjojnë, kundrejt një shume të hollash. Situatën e rëndojnë më shumë ata prindër të cilët ndërhyjnë tek të njohurit, me qëllim që djali i tyre dembel dhe parazit, të marrë një notë kaluese, ndonjëherë edhe të mirë. A mund të triumfojë një umet i tillë? A mund të udhëheqë botën një i ri që notën kaluese e ka marrë me ndërmjetësim?
Ajo që i ndodhi Irakut në 2003, do të përsëritet me shumë vende të tjera myslimane, nëse nuk i vëmë gishtin kokës. Vetëm lutjet dhe përgjërimi nuk e ndryshojnë gjendjen tonë.
Një student që e merr universitetin duke kopjuar, si mendoni se do të sillet në jetë? Sot flitet shumë për mësimet shtesë, që disa mësues kanë shpikur, për të shtuar të ardhurat e tyre. Institucionet arsimore i kanë shpallur luftë kësaj risie dhe tek tuk ka pasur edhe mësues të përjashtuar. Por më shumë se mësimet shtesë, për mendimin tim duhet luftuar mitmarrja për notë kaluese. Për mendimin tim, mitmarrja dhe kultivimi i marrjes së notës kaluese me anë të kopjimit apo mënyra të tjera, është shumë më e rrezikshme se mësimet shtesë. Kjo, sepse studentët dhe nxënësit mësohen dhe edukohen me mashtrimin që në vitet e para të jetës.
Marrëdhëniet mes dy gjinive
Ndërkohë që umeti mysliman po përjeton një gjendje të nderë, shumë të rinjve nuk u intereson gjë tjetër, veçse të shoqërohen me vajza dhe të kenë të dashurat e tyre. Në gjithë jetën mbi tokë, ata nuk shohin gjë tjetër veç dashuriçkave dhe bredhjes pas vajzave të botës. Ndërkohë që myslimanët në mbarë botën ndjejnë përgjegjësi për gjendjen e umetit, të rinjtë tanë presin me orë të tëra para telefonit apo chatt-it derisa e dashura të komunikojë me ta.
Është përgjegjësi e të gjithëve ne që t’u qëndrojmë pranë këtyre të rinjve dhe t’i këshillojmë me të mirë.
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (Nahl, 125)
Si është e mundur që vajzat tona nuk kanë preokupim tjetër përveçse si të vishen, si të sillen para djemve, si t’i joshin të rinjtë etj…? Si është e mundur që të rinjtë tanë të qëndrojnë me orë të tëra në radhë për t’u qethur sipas modës, tek një berber profesionist në këtë fushë? Si është e mundur që të rinjtë tanë të qethen në forma të caktuara, thjesht për të tërhequr vëmendjen e vajzave? Si është e mundur që të rinjtë dhe të rejat tona, i shkruajnë njëri-tjetrit mesazhe në kanale televizivë, ku i shohin të gjithë? Si është e mundur që të importojmë nga perëndimi gjërat më të këqija dhe më negative, duke shpërfillur vlerat e tyre më të mira? Përse nuk importojmë seriozitetin me të cilin krenohen?
Është për t’u çuditur, se nga perëndimi, ne kemi marrë vetëm mënyrën si e kalojnë kohën e lirë. Askush prej nesh nuk e imiton perëndimin në disiplinën në punë, rregullin dhe respektimin e ligjit.
A nuk është për të ardhur keq kur shohim të rinjtë dhe të rejat tona, njerëzit tanë të afërt dhe të gjakut, që në dasma dhe gosti, kërcejnë dhe hidhen përpjetë sikur të ishin me epilepsi?
Një herë, Ume ibnul Hattabi pa një djalosh i cili ecte rrugës si i drobitur dhe i papërgjegjshëm. Ai e ndaloi dhe e pyeti:”Mos je i sëmurë?”
Djaloshi iu përgjigj:”Jo, o Prijës i besimtarëve.”
Atëherë, Umeri duke e shkundur i tha:”Nuk pranoj që edhe një i sëmurë nga umeti i Muhamedit a.s të ecë kështu.”
Mungesë serioziteti është edhe fenomeni që është përhapur tek shumë vajza, të cilat nuk bëjnë asnjë punë në shtëpi. Kjo, pasi shoqet do e tallnin dhe do e quanin amvisë. Kohën më të madhe ato e kalojnë duke folur mbi unazat, markat e veshjeve, xhiro, kafene etj…
Është e vërtetë që ka të rinj të tjerë – madje janë shumë – të cilët janë të ndershëm, seriozë dhe punojnë për të mirën e vendit dhe umetit – por fenomenet negative që shohim, është mirë të përpiqemi t’i reduktojmë, është mirë që këta të rinj që pëlqejnë jetën e shfrenuar, t’i këshillojmë me të mirë dhe t’i largojmë nga ajo rrugë.
Pyetja mbi muzikën, nëse është hallall apo haram, është bërë e modës sa herë që tubohemi. Unë nuk dua të flas nëse është hallall apo haram, nuk dua të merrem me dhënie fetash. Unë dua ta ngre sa më shumë zërin tim që një popull dhe umet që dëshiron të rimëkëmbet dhe të zhvillohet, nuk mund ta arrijë këtë nëse të rinjtë nuk dinë gjë tjetër veç muzikës, kërcimit dhe argëtimit. Nëse dikush kërkon të këndojë, le të këndojë këngë që i kushtohen umetit dhe rimëkëmbjes së tij.
Japonia doli e shkatërruar dhe e rrënuar tërësisht nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, ajo u rimëkëmb shumë shpejt dhe tani është një ndër ekonomitë më të fuqishme botërore. Vallë si ia arriti Japonia kësaj? Si ia arriti Gjermania? Padyshim me të rinj ambiciozë, seriozë dhe të zellshëm.
Margaret Theçer, gjatë konfliktit të Anglisë me Argjentinën, për katër vite ka veshur vetëm rroba me ngjyrë të errët. Kjo, me qëllim që t’i jepte të kuptojë popullit të saj se po e përjeton edhe në jetën e saj personale këtë konflikt.
 
Kronikë e shkurtër
Gjer tani, ne kemi trajtuar gjashtë tema. Po të hedhim një vështrim të shkurtër në historinë islame, do të gjejmë që myslimanët e parë, brezi i sahabëve, i kanë respektuar dhe vënë në jetë të gjashtë faktorët e ndryshimit. Ata i përgjëroheshin Zotit dhe e lusnin me përkushtim, vëllazëria mes tyre ishte në nivelet më të larta, distancoheshin nga gjynahet, ishin shumë aktivë dhe pozitivë, kishin besim dhe siguri në ndihmën e Zotit dhe i merrnin gjërat me seriozitet.
Kurse perëndimi sot ka respektuar unitetin, të qënit pozitiv dhe seriozitetin. Kurse për sa i përket përgjërimit për Zotin, largimit nga gjynahet dhe besimit në ndihmën e Zotit, i kanë shkelur me të dy këmbët.
Ata që i respektuan gjashtë faktorët e ndryshimit që lart përmendëm – myslimanët – e udhëhoqën njerëzimin për katërmbëdhjetë shekuj. Kurse perëndimi që respektoi disa prej tyre, ka vetëm njëqind e pesëdhjetë vite që udhëheq. Nëse faktorët e tjerë do të vazhdojnë të shpërfillen, është e pamundur që perëndimi të udhëheqë për një kohë më të gjatë.
 
Modele të seriozitetit
Profeti Muhamed a.s. Kur kurejshët i çuan xhaxhanë e tij që ta këshillojë të largohet nga ajo rrugë, Profeti a.s ua ktheu:” Për Zotin o xhaxha, nëse do të vinin diellin në dorën time të djathtë dhe hënën në të majtën, nuk do hiqja dorë nga kjo rrugë, derisa ta bëjë Zoti të triumfojë ose të vdes në këtë rrugë”.
 
Profeti Jahja a.s. Thotë Zoti i madhëruar mbi këtë Profet:”(Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri.” (Merjem, 12)
 
Profeti Ibrahim a.s. Kur Ibrahimi a.s u hodh në zjarr dhe u sprovua në shumë forma, ai akoma ishte në moshë të njomë. Vetë banorët e fshatit ku banonte e përshkruajnë me fjalët:“Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.” (Enbija, 60) Më e shumta, Ibrahimi a.s mund të ketë qenë gjashtëmbëdhjetë vjeç në këtë kohë.
 
Banorët e shpellës. Vetë Zoti i përshkruan si djelmosha të rinj, edhe pse u përballën me sfida nga më të vështirat.
“Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” (Kehf, 13)
 
çifutët e Musait a.s, model i mos seriozitetit. Kur Zoti i urdhëroi të hynin në Jeruzalem dhe të luftonin me ushtrinë mbrojtëse, ata i thanë Musait a.s:”Ata thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisaaty të gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. (Maide, 24)
Për këtë shkak Zoti i dënoi, gjë të cilën ua deklaroi menjëherë:”Allahu tha: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur”.
(Maide, 26)
Zoti i dënoi dyzet vite, të cilat do i kalonin të humbur në shkretëtirë. Për dyzet vite, brezi joserioz dhe i lëkundur, do të ndryshonte dhe do të dilte një brez i ri, brez i ndryshimit.
 
Në betejën e Uhudit. Gjatë betejës, kur myslimanët filluan të thyhen dhe jeta e Profetit a.s, ishte në rrezik, Profeti a.s thërriti:”Kush më mbron nga idhujtarët ka fituar xhenetin.”
Menjëherë Profetin a.s e rrethuan dhjetë të rinj, të cilët të g jithë ishin tek të tetëmbëdhjetat. Secili prej tyre thoshte:”Të mbroj unë o i dërguar i Allahut.”
Të dhjetë mbetën të vrarë duke mbrojtur Profetin a.s. Kur u vra dhe i fundit, Jezid ibnu Seken, edhe pse idhujtarët e qëllonin, ai nuk binte përdhe, sepse e dinte që pas tij ishte Profeti a.s dhe donte ta mbrojë. Ai ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç asokohe. Në fund, kur e rrëzuan, Jezid u shemb dhe ra me fytyrë përdhe. Kur e pa Profeti a.s, thirri:”Jo! Ngrijeni fytyrën e Jezid dhe pastrojani pluhurin nga fytyra!” Më pas, vetë Profeti a.s u ul në gjunjë, e mori kokën e tij në prehër, ia pastroi fytyrën dhe duke i ngritur dorën lart në qiell thoshte:”O Zot! Ji dëshmitar që Jezid ibnu Seken e mbajti besën. O Zot! Ji dëshmitar që unë jam i kënaqur me Jezid ibnu Seken.”
Ne si myslimanë sot e kemi obligim ta mbrojmë traditën e Profetit a.s dhe fenë e tij.
 
Ebu Bekri. Pasi ishte bërë kalif, ai thoshte:”Për Zotin! Kurrë nuk kam nuk kam fjetur aq shumë sa të shoh ëndrra. As kam pasur kohë që të qetësohem dhe të fantazoj. Por vazhdoj të jem në të njëjtën rrugë, pa devijuar aspak.”
 
Enes ibnu Nadr. Ai nuk pati mundësi të marrë pjesë në betejën e Bedrit, pasi ndodhej në udhëtim. Me t’u kthyer, i thotë Profetit a.s:”Nëse Zoti ka caktuar një betejë tjetër me idhujtarët, do shohë se çfarë do bëj.”
Gjatë betejës së Uhudit, kur myslimanët filluan të thuhen, të gjithë filluan të vrapojnë në drejtim të Medines, kurse Ens ibnu Nadr vraponte drejt idhujtarëve.
Sad ibnu Muadh e pyeti i habitur:”Për ku je nisur o Enes?!”
Ai iu përgjigj:”Është premtimi i djeshëm.”
Pasi kishte përfunduar beteja, e gjetën të vrarë me mbi tetëdhjetë goditje në trup. Për myslimanë si Enes ibnu Nadr, Zoti shpalli ajetin:”Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (Ahzab, 23)
 
Ebu Ejub El-ensarij. Edhe pse ishte mbi tetëdhjetë vjeç, ai merrte pjesë në luftë bashkë me ushtrinë myslimane, për të marrë Kostandinopojën. Kur disa komandantë e këshilluan të qëndrojë në shtëpi dhe të mos marrë pjesë në këtë luftë, pasi ishte i dobët nga shëndeti, ai u tha:”Zoti në Kuran thotë:”Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!” (Teube, 41)
 
Sulltani, Muhamed El-fatih. Ai e mori Kostandinopojën edhe pse ishte vetëm njëzet e tre vjeç.
 
Salahudin Ejubi. Kur dikush e pyeti përse nuk buzëqeshte kurrë, ai u përgjigj:”E si të buzëqesh ndërkohë që xhamia Aksa është në duart e kryqtarëve? Mua më vjen zor nga Zoti që të qesh, kurse vëllezërit tanë atje vuajnë.”
Ne urojmë dhe lutemi që umeti mysliman të jetë serioz në çështjet e përditshme të jetës dhe të jetë serioz edhe në çështjet e adhurimit dhe lidhjet me Zotin.
 
 
 
 
 
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit