Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka kërkuar në prill të këtij viti që Serbia, deri më 17 tetor, të zgjidhë problemin e pensionistëve nga Kosova, gjë që e ka kërkuar nga qeveria serbe dhe nga Avokati i Popullit i Serbisë, Sasha Jankoviç.
Borxhi potencial i Serbisë ndaj pensionistëve nga Kosova, të cilëve që nga marsi i vitit 1999 nuk u janë paguar pensionet, e tejkalon 1 miliard euro, e atë borxh qeveria e Serbisë është e detyruar ta paguajë, konfirmon për RTK-në avokati i popullit i Serbisë, Sasha Jankoviç.
Këtë çështje këto ditë e kanë trajtuar (me qëllime të caktuara) gazetat e Beogradit “Veçernje Novosti” dhe “Alo” me që problemi i pensioneve të kosovarëve është aktualizuar me një aktgjykim të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg, nga prilli i këtij viti dhe që tash më është bërë i plotfuqishëm, e sipas të cilit qifti bashkëshortor Grudiq nga Mitrovica e ka fituar padinë kundër Serbisë, sepse pensionet invalidore nuk u janë paguar mbi një dekadë pa bazë ligjore.
Gjykata në Strasburg e ka nxjerrë aktgjykimin e parë sipas ankesës së Ljutvije e Mahmut Grudiqit nga Mitrovica, të cilët nga viti 2005 jetojnë në Novi Pazar. Ata kanë qenë përfitues të pensionit invalidor të Fondit pensiono-invalidor, kurse pagesa e të ardhurave të tyre është ndalur gjatë vitit 1999 e 2000.
Fondi, me kërkesë të çiftit Grudiç, që pagesa të vazhdohet, ka marrë aktvendimin për pezullimin e pagesës për shkak se Kosova gjendet në administrimin ndërkombëtar. Gjykata evropiane këtë vendim e ka kontestuar në prill të vitit 2012 dhe ka urdhëruar që çiftit Grudiç t’u paguhen të gjitha borxhet që ua ka shteti, respektivisht nga fondi pensional.
Qeveria e Serbisë në afatin prej tre muajsh është e detyruar t’i paguajë këtij çifti jo vetëm pensionet e deritashme me kamatën ligjore, por edhe nga 7.000 euro secilit në emër të përjetimit të dëmit jo-material, si dhe 3000 euro shtesë për të dy në emër të shpenzimeve gjyqësore.
Mirëpo, Avokati i Popullit i Serbisë, Sasha Jankoviç deklaron për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) se çifti Grudiç nuk është një rast
i vetmuar, pasi është fjala për disa mijëra pensionistë kosovarë, të cilëve pensionet nuk u janë paguar që nga marsi i vitit 1999. Ai thotë se zyrës së tij deri më tani i janë drejtuar rreth 150 qytetarë, kryesisht të nacionalitetit shqiptar, rom dhe mysliman, që kanë jetuar në Kosovë.
Sipas tij, për zgjidhjen e këtij problemi, Serbia akoma nuk ka dispozitë përkatëse dhe çdo shtyrje e mëtejshme atë e bën problem edhe më të madh. Prandaj qeveria lypset menjëherë të nisë zgjidhjen e këtij problemi, duke mos pritur aktgjykimet e reja të Gjykatës evropiane, vë në dukje Jankoviç. Ai nënvizon se problemi i “pensioneve të Kosovës” e tejkalon problemin individual, duke e bërë atë sistemor dhe shkelje të drejtave të qytetarëve, por paraqet edhe ngarkesë të madhe financiare për buxhetin e Serbisë.
Jankoviç konfirmoi për RTK se këto ditë ia ka dërguar mendimin qeverisë me kërkesën që sa më shpejtë të nisë me zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë që të gjithë detyruesit tatimorë të Serbisë të mos paguajnë jo vetëm pensionet e mbetura, por edhe kamatat. Të gjitha qeveritë mëparshme këtë problem e kanë futur nën rrogoz, por problemi është rritur në përmasa madhore dhe më nuk mund të fshihet, vë në dukje Jankoviç.
RTK ka siguruar aktgjykimin Gjykatës evropiane, mendimin e Gjykatës Supreme të Serbisë nga nëntori i vitit 2005 dhe kërkesën e Avokatit të Popullit, dërguar qeverisë së Serbisë më 13 tetor të këtij viti. Në aktgjykimin në rastin e çiftit Grudiç, Gjykata evropiane ka parashikuar numër të madh të ankesave potenciale të njerëzve të tjerë, të cilët janë në situatë të njëjtë si çifti Grudiq dhe e ka urdhëruar qeverinë e Serbisë, që në afatin prej gjashtë muajve të ndërmarrë të gjitha masat përkatëse në mënyrë që organet kompetente të miratojnë ligjet me të cilat do të sigurohej pagesa e pensioneve dhe borxheve të mbetura.
Ndalimin e pensioneve kosovare qeveria serbe e ka arsyetuar në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut me pamundësinë që të arkëtojë kontributet nga viti 1999, sepse Kosova është vënë nën administrimin ndërkombëtar, prandaj me atë se nuk ka mundur të konfirmojë vendbanimin e vërtetë të siguruesve, si dhe se gjatë bombardimeve të NATO-s është dëmtuar pjesa e dokumentacionit të Fondit PIO.
Qeveria, sipas theksimeve nga aktgjykimi i gjykatës, e ka vlerësuar borxhin e Serbisë ndaj pensionistëve shqiptare tjerë në Kosovë mbi 1 miliard euro, ndonëse kjo shifër mund të arrijë edhe deri në 5 miliardë, thonë burimet e Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor.
Mirëpo pohimet e Fondit pensional e invalidor të Serbisë dhe të Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale, se e drejta e pensioneve të rregullta ose invalidore personave nga Kosova është kufizuar përkohësisht derisa nuk zgjidhen raportet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, e nuk është botuar në gazetën zyrtare të Serbisë, janë kundërshtuar nga Gjykata Supreme e Serbisë, më datë 15 nëntor të vitit 2005, e cila ka nxjerrë konkluzionin se “pagesa e pensioneve nuk mund të varet nga fakti, nëse kontributet për sigurime pensional-invalditor mblidhen në ndonjë territor apo jo”.
Në bazë të gjithë kësaj mund të nxirret përfundimi, se pensionistët e Kosovës për shkak të mosangazhimit të duhur apo neglizhencës nuk ia kanë dalë t’i realizojnë deri më sot pensionet e veta me përjashtime të atyre, të cilët vendbanimin e kanë bërë të ditur diku në Serbi apo këtë të drejtë e kanë realizuar me anë të lidhjeve të ndryshme ose me anë të matrapazëve, të cilët për shërbimet e veta kanë marrë shuma të larta parash.
Problemi i ngjashëm është edhe me realizimin e kursimeve të vjetra, të cilat gjithashtu Serbia nuk po ua jep kursimtarëve shqiptarë të Kosovës, edhe pse për këtë nuk ka as bazë ligjore, as që është marrë ndonjë vendim konkret, përpos një marrëveshje me gojë nga Ministria e Financave dhe Banka Popullore e Serbisë.
/RTK/kohaislame