Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë pasur një bisedë telefonike të dielën, në të cilën siç është thënë, kanë arritur një marrëveshje për furnizim me gaz natyror të Serbisë.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, të dy presidentët patën një diskutim të thelluar mbi agjendën dypalëshe, duke përfshirë hapat për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik me përfitim reciprok, ndërsa arritën marrëveshje, në veçanti, për ofrimin e vazhdueshëm të Rusisë me furnizime të pandërprera me gaz natyror në Serbi.
Por çfarë bie në sy në deklaratën zyrtare të ministrisë ruse, është se “zyrtarët vazhdojnë të ndajnë pikëpamjet e tyre për çështjet ndërkombëtare si situata në Ukrainë dhe zhvillimet rreth Kosovës”, përcjell Telegrafi.
“Të dy liderët konfirmuan angazhimin e tyre për të vazhduar forcimin e një partneriteti strategjik midis Rusisë dhe Serbisë bazuar në lidhjet tradicionalisht të ngushta midis dy popujve”, është thënë më tej në deklaratë.
Ndryshe, rreth marrëveshjes në fjalë kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare duke theksuar se ndërsa agresioni rus në Ukrainë vazhdon, presidenti i Serbisë njoftoi se ka siguruar një marrëveshje “jashtëzakonisht të favorshme” të gazit natyror me Rusinë.
Siç kishte vënë në pah The Associated Press, marrëveshja e gazit ka të ngjarë të nënshkruhet gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov në Beograd në fillim të qershorit – një vizitë e rrallë e një zyrtari të lartë rus në një vend evropian që nga fillimi i agresionit rus mbi Ukrainë më 24 shkurt.
Sidoqoftë, vlerëson mediumi në fjalë, nuk është e qartë se si Serbia do ta merrte gazin rus nëse BE-ja vendos të mbyllë furnizimin rus që “lëvizë” përmes vendeve të saj anëtare.
Siç kujton mediumi në fjalë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të dënojë në mënyrë eksplicite agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe vendi i tij nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Më tej AP ka theksuar se nën sundimin autokratik 10-vjeçar të Vuçiqit dhe propagandën e pamëshirshme pro-Kremlinit, Serbia ka rrëshqitur gradualisht drejt rreshtimit me Rusinë.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe sondazhet sugjerojnë se një shumicë në vend do të preferonte të bashkohej me një lloj bashkimi me Moskën sesa me BE-në.
Reagime rreth kësaj marrëveshje, përveç mediave të huaja, kanë ardhur edhe nga Kosova dhe Serbia.
“Ata as nuk duhet të takohen më: marrëveshjet mes Putinit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Një reagim tjetër ka ardhur edhe nga shefi i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, duke pyetur Bashkimin Evropian se deri kur do ta tolerojë këtë sjellje të Serbisë, pasi që kjo e fundit është kandidate për t’iu bashkuar BE-së.
Ndërsa analisti serb, Dushan Janjiq ka vlerësuar se “rezultati i bisedës telefonike mes presidentëve të Serbisë dhe Rusisë na e bëri të qartë se bëhet fjalë për një mjek apo diler dhe një narkomani që ka ardhur deri te droga”. /Telegrafi/