“Do të doja të ishim më shumë, nganjëherë nuk kemi me kë të pimë kafe”, thotë Spasa Andrejeviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai u kthye në fshatin e tij të lindjes, Novakë – në komunën e Prizrenit në jugperëndim të Kosovës – në vitin 2004.
Është i punësuar në Zyrën lokale për Kthim në Komunën e Prizrenit, sipas sistemit të Kosovës. Thotë se, viteve të fundit, nuk kishte pothuajse fare kthim të serbëve në Kosovë.
Se sa votues nga komunat e Kosovës do të mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, më 17 dhjetor, do të mund të dihet pas mbylljes së listës zgjedhore. Afati ligjor i Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë për ta bërë këtë, është mesnata e së enjtes, kur në Serbi nis heshtja zgjedhore.
Ndërkohë, në një faqe të internetit në Serbi janë të disponueshme disa të dhëna zyrtare për numrin e zgjedhësve në komuna dhe rrethe, të cilat, çdo tremujor, i publikon Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë. Aty, qytetarët mund të gjejnë edhe informacione për statusin e tyre në listën e zgjedhësve.
Sa i përket numrit të votuesve në Kosovë, ka dallim mes të dhënave [të ministrisë] dhe listave të mbyllura”.
Por, të dhënat që mbledh Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, nuk përputhen me numrin përfundimtar të votuesve, të konstatuar nga Komisioni Republikan Zgjedhor, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë, i bazuar në të dhënat e viteve të kaluara.
Mospërputhjet janë më të theksuara kur bëhet fjalë për votuesit nga Kosova.
Derisa në zgjedhjet e fundit në Serbi, në prill të vitit të kaluar, të drejtë vote kishin 93.5 mijë qytetarë nga komunat e Kosovës, të dhënat e Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të 23 tetorit, 2023, flasin për gati mbi 30.000 votues më shumë, përkatësisht mbi 122.000.
Vujo Illiq, politolog, i cili prej vitesh hulumton procesin zgjedhor, thotë se kjo situatë përsëritet vit pas viti, ndërsa institucionet shtetërore nuk japin asnjë shpjegim në lidhje me të.
“Sa i përket numrit të votuesve në Kosovë, ka dallim mes të dhënave [të ministrisë] dhe listave të mbyllura. Mund të supozojmë se bëhet fjalë për persona të zhvendosur brenda vendit, vendbanimi i të cilëve është në Kosovë, por që votojnë në bazë të vendbanimit në komunat në Serbinë qendrore. Por, kjo është vetëm hamendje”, thotë Illiq për Radion Evropa e Lirë.
Fatkeqësisht, këtë vit kemi vetëm 53 të kthyer të regjistruar. Një rritje e tillë [e numrit të votuesve në Kosovë] është thjesht e pamundur”.
Për shembull, në komunën e Prizrenit, ku jeton Spasa Andrejeviq, thuhet se të drejtë vote kanë 4.748 qytetarë, pra 3.500 qytetarë më shumë se në listën zgjedhore të vitit të kaluar.
“Jo, jo, kjo nuk është reale. Kjo nuk është një situatë realiste”, thotë Andrejeviq, i pyetur për t’i komentuar këto dallime.
Sipas ligjit serb, një pjesë e listës zgjedhore për zonën e njësisë së vetëqeverisjes lokale përditësohet nga administrata komunale, përkatësisht e qytetit.
Të dhënat për numrin e votuesve, REL-i i analizoi në bazë të tri grupeve të të dhënave shtetërore: numrit përfundimtar të votuesve në zgjedhjet në qershor të vitit 2020, në prill të vitit 2022 dhe të dhënave që publikoi Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në tetor, para zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Shtetërore, në Prishtinë janë 4.436 votues më shumë se në listën e fundit zgjedhore. Në Prizren ka mospërputhje për rreth 3.500 votues, ndërsa në Pejë për pak më shumë se 3.100.
Të gjitha këto komuna janë në jug të Lumit Ibër, ku kthim të serbëve nuk ka pothuajse fare.
“Fatkeqësisht, këtë vit kemi vetëm 53 të kthyer të regjistruar. Një rritje e tillë [e numrit të votuesve në Kosovë] është thjesht e pamundur”, thotë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie, kthim shumë më të madh nuk ka pasur as në vitin 2022, kur janë kthyer vetëm 57 qytetarë.
Institucionet shtetërore të Serbisë pa përgjigje të qarta
Pyetjes së REL-it se si erdhi deri te ky dallim, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë iu përgjigj shkurtimisht:
“Lista e unifikuar zgjedhore nuk është në kompetencë të Zyrës për Kosovë e Metohi”.
Pyetjeve për monitorimin e numrit të votuesve gjatë cikleve të fundit zgjedhore, Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë iu përgjigj duke thënë se këto çështje nuk janë nën juridiksionin e saj.
“Fushëveprimi i kësaj ministrie nuk përfshin detyra që kanë të bëjnë me analizën e trendeve të lëvizjes së votuesve, e as përgatitjen e informacionit statistikor, kështu që nuk mund të japim përgjigje në pyetjet e lartpërmendura”, thuhet në deklaratën me shkrim të kësaj ministrie dërguar REL-it më 5 dhjetor.
Sipas Ligjit për Listën Zgjedhore në Serbi, Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale i ka pikërisht këto përgjegjësi.
Menaxhimi i listës së zgjedhësve, analizimi i të dhënave nga lista e zgjedhësve dhe marrja e masave për të siguruar përputhjen e tyre janë përgjegjësi të ministrisë, të parashikuara me Nenin 2 të Ligjit për Listën Zgjedhore, i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2011.
Thirrjeve të REL-it për sqarime të mëtejshme, ministria nuk iu përgjigj.
Situata në terren nuk korrespondon me të dhënat
Në Kosovë ekzistojnë autoritetet e përkohshme komunale që punojnë në sistemin serb. Në zonat në jug të Ibrit, ato janë të vendosura fizikisht në vendet ku jetojnë serbë.
Për shembull, autoriteti i përkohshëm i Prishtinës ndodhet në Graçanicë, ndërsa i Pejës në Gorazhdevc.
Më 17 dhjetor, serbët nga Kosova do të votojnë vetëm në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Zgjedhjet lokale në sistemin serb për komunat në Kosovë nuk organizohen, pasi autoritetet e përkohshme i emëron Qeveria e Serbisë.
Nga përfaqësuesit lokalë të serbëve të Kosovës, REL-i u përpoq të mësojë se sa serbë të Kosovës do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë dhe si i shohin ata dallimet në numrin e votuesve.
Pse serbët e Kosovës votojnë në Serbi?
Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi një letër kreut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, ku tha se për hapjen e vendvotimeve për zgjedhjet serbe në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”, tha Kurti dhe shtoi se “çdo kërkesë duhet të bazohet në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”.
Më pas, më 1 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”, sipas tij.
Sipas vendimit të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qytetet kufitare të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin. Ata votuan në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit, 2022.
Zgjedhjet e fundit parlamentare të organizuara nga Serbia për komunitetin serb në Kosovë u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.
Ato zgjedhje u mbajtën sipas praktikës së mëparshme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë i mblodhi votat. Më pas, votat u numëruan në Rashkë dhe Vranjë – dy qytete kufitare në Serbi.
Kjo praktikë u krijua në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e lejuan deri vitin e kaluar. Atëkohë, Qeveria e Kosovës kërkoi që Serbia t’iu dërgojë kërkesë të drejtpërdrejtë autoriteteve për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Novak Zhiviq, kryetar i autoritetit të përkohshëm në Prishtinë, në një bisedë telefonike me Radion Evropa e Lirë, kërkoi që pyetjet t’i dërgohen në email. Por, përgjigjet e tij nuk arritën deri në publikimin e këtij artikulli.
Situatë e ngjashme ndodhi edhe me Huanita Raçiqeviqin, kryetare e autoritetit të përkohshëm në Prizren.
I vetmi që pranoi të fliste për rritjen e numrit të votuesve, ishte Darko Kollashinac, kryetar i autoritetit të përkohshëm në Pejë.
“Ne sigurisht që kemi një elektorat këtu prej rreth 700-800 njerëzish, që jetojnë gjatë gjithë kohës këtu”, thotë Kollashinac.
Ai thotë se në listën lokale zgjedhore nuk sheh dallime në numrin e votuesve.
I pyetur se nga kanë dalë edhe 3.100 qytetarë të tjerë në listën e Ministrisë së Administratës Shtetërore të Serbisë, ai thotë se nuk ka një shpjegim plotësisht të sigurt për këtë.
“Është e mundur, por nuk jam i sigurt se u referohet kërkesave që njerëzit ua kanë dorëzuar ambasadave për të votuar nga jashtë”, thotë Kollashinac.
Ai thotë se ky nuk është qëndrim i autoritetit të përkohshëm, por se vetëm po përpiqet ta interpretojë dallimin në të dhëna.
“Tani shohim kulmin e largimit”
Numri i saktë i serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk dihet, sepse regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 nuk u mbajt në veri, ndërsa serbët në jug të Ibrit kryesisht e bojkotuan atë.
Në bazë të të dhënave nga organizatat joqeveritare dhe udhëheqjet lokale, vlerësohet se në Kosovë jetojnë rreth 100.000 serbë.
Por, sipas shoqërisë civile, viteve të fundit ka pasur të larguar, për shkak të krizave të shpeshta politike, situatës së keqe ekonomike dhe sociale, si dhe mungesës së perspektivës.
Organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Shoqërore (CASA) publikoi në fund të muajit nëntor studimin “Migrimi i të rinjve nga Kosova”, në të cilin u prezantua rasti i migrimit të nxënësve të gjimnazit në Mitrovicë të Veriut, në vitin 2020.
“Përmasat e kësaj dukurie [largimit] ilustrohen më së miri me rastin e klasës 4/1, të drejtimit matematiko-natyror të kësaj gjenerate. Në atë klasë, nga gjithsej 21 nxënës, 17 janë larguar nga Kosova”, thuhet në studim.
Ministri i Qeverisë së Kosovës, Rashiq, thotë se ka një trend të largimit të serbëve nga Kosova.
“Ai trend nisi lehtë në vitin 2013, filloi të marrë formë më 2015/16 dhe tani shohim kulmin [e largimit]”, thotë Rashiq dhe akuzon Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për diçka të tillë.
Votuesit nga zona gri
Politologu Vujo Illiq thotë se nuk ka hasur në një shpjegim zyrtar për këto dallime që ekzistojnë prej vitesh.
“Nuk më kujtohet të jetë bërë një pyetje e tillë dhe as kam gjetur se ka ndonjë shpjegim. Si rregull, nëse pyesni Ministrinë e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale për listën zgjedhore, do t’ju thonë se është më e përditësuara, më e saktë se kurrë më parë”, thotë Illiq.
I pyetur nëse ky lloj evidence lë hapësirë për keqpërdorime, Illiq thotë se, prej vitesh, ka paqartësi rreth votimit të qytetarëve nga Kosova, sepse “bëhet në një mënyrë shumë specifike”.
“Ka qenë gjithmonë një zonë gri. Kontrolli ka qenë gjithmonë më i dobët se në vendet e tjera në Serbi… Nuk mund të flasim për ndonjë rast kur abuzimet kanë qenë të dukshme”, thotë Illiq.
Ai shton se ky lloj situate ua vështirëson disa qytetarëve realizimin e të drejtave të tyre.
“Votuesit që duhet të udhëtojnë drejt qendrave të tyre të votimit, nuk janë njësoj sikurse ne të tjerët që shkojmë shumë pranë për të votuar”, thotë Illiq.
Komunat në Kosovë nën sistemin serb nuk e mbulojnë të njëjtin territor si ato të sistemit të Kosovës, për shkak të procesit të decentralizimit në vitin 2008/09, kur janë formuar gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të Ibrit: Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi.
Kështu, Graçanica dhe fshatrat përreth të banuara me serbë, që sipas sistemit të Kosovës formojnë një komunë të veçantë, i takojnë komunës së Prishtinës në sistemin serb.
Katër komuna me shumicë serbe në veri, në sistemin e Kosovës, janë formuar në vitin 2013, në bazë të asaj që njihet si Marrëveshje e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë.
Në krye të autoriteteve të përkohshme komunale janë kryesisht njerëz nga Lista Serbe – parti kjo e formuar në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit dhe të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi.
Kryetarët e këtyre organeve emërohen nga Qeveria e Serbisë.
Numri përfundimtar i votuesve në komunat në Serbi do të shpallet më 14 dhjetor.
Votuesit nga Kosova do të votojnë në komunat në jug të Serbisë: Kurshumli, Vranjë, Rashkë dhe Tutin.