-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Serbia, Kroacia bashkojnë forcat në projektet ushtarake

Më të lexuarat

Bashkëpunimi midis ushtrive serbe e kroate mund të ndihmojë vendet të kapërcejnë marrëdhëniet e kaluara dhe të krijojnë stabilitet më të mirë në Ballkan, sipas dy ministrive të mbrojtjes, dhe do të jetë e rëndësishme për kërkesën e Serbisë për në BE.

Maja Bobiç, sekretare e përgjitshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, tha se bashkëpunimi më i ngushtë midis dy ushtrive mund të ndihmonte Serbinë në udhën e vet për në BE.

“BE vlerëson përpjekjet në zgjidhjen e të gjitha konflikteve nga e kaluara dhe unë besoj se kjo mund të ishte një plus shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit të Serbisë në BE,” i tha Bobiç SETimes.

Ushtritë serbe e kroate morën pjesë në 15 aktivitete të përbashkëta këtë vit. Kuadri i veprimeve të përbashkëta futet nën marrëveshjen e 2010 për bashkëpunimin për mbrojtjen midis të dy qeverive.

Shefi i shtabit i forcave të armatosura serbe Ljubisha Dikoviç dhe homologu i tij kroat Drago Lovriç u takuan kohët e fundit në Beograd, ku të dy theksuan rëndësinë e parnertitetit dhe njoftuan projekte të përbashkëta në fushat e bashkëpunimit ekonomik ushtarak, trajnimit dhe edukimit ushtarak.

Krerët thanë se objektivi i bashkëpunimit është të përmirësohet dhe mbështetet siguria në rajon.

Aleksandar Radiç i fakultetit të sigurisë të Beogradit, tha se ushtritë serbe dhe kroate po bashkëpunojnë më haptazi se politikanët.

“Ata janë profesionistë. Edhe në qoftë se takohen njerëzit nga brezi që ishte në luftë me njeri tjetrin, kjo është lënë mënjanë. Ky është bashkëpunim cilësor profesional,” thotë Radiç.

Ai tha se janë për t’u fajësuar konfliktet e mëparshme për mbështetje të pamjaftueshme të bashkëpunimit ushtarak midis Serbisë dhe Kroacisë.

“Komuniteti ndërkombëtar do bashkëpunim midis të dy ushtrive si një shenjë simbolike pajtimi, paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkan. Fakti është se Serbia dhe Kroacia kanë kapacitetet më të mëdha ushtarake në Ballkan. Serbia trashëgoi sistemin mbrojtës integral nga ish Jugosllavia dhe Kroacia ka demonstruar shkathtësi të madhe dhe ia ka dalë të rritë rëndësinë e vet rajonale si një anëtare e NATO-s,” tha Radiç.

Planet për bashkëpunimin dypalësh ushtarak midis Serbisë dhe Kroacisë janë të harmonizuara mbi një bazë vjetore, sipas ministrisë së mbrojtjes serbe.

“Ministria është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak mjekësor, të vendosë bashkëpunim ekonomik ushtarak dhe veprimtari të përbashkëta në tregjet e treta, duke ngritur bashkëpunim në shkatërrimin e pajisjeve shpërthyese dhe shkëmbimin e përvojës lidhur me rezervat aktive të ushtrisë,” i tha ministria SETimesnë një deklaratë.

Ministria kroate e mbrojtjes tha se do që të vazhdojë përpjekjet për të përmirësuar bashkëpunimin me kolegët e vet serbë.

“Kroacia është e vendosur me forcë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe në këtë kuptim bashkëpunon me vendet e Evropës Juglindore, pavarësisht nga orientimi dhe statusi i politikës së tyre. Anëtarët e forcave të armatosura të Kroacisë dhe Serbisë marrin pjesë së bashku në misionet paqeruajtëse, në veçanti me misionin e OKB-së në Qipro. Aktualisht ka plane për zhvillim në 2014, gjë që do të jepte një kuadër zyrtar për bashkëpunimin e mëtejshëm,” i tha ministria SETimes.

Si mundet bashkëpunimi ushtarak midis Kroacisë dhe Serbisë të ndikojë në fushat e tjera në rajon? Na thoni mendimet tuaja më poshtë./SET

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit