Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ) në Serbi ka njoftuar sonte se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, kështu që votuesit nga Kosova do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Siç shkruan “Danas”, kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, ka thënë se ata i kanë dërguar një letër Zyrës për Kosovë për mënyrat se si të mundësohet votimi në zgjedhjet e Serbisë për votuesit nga Kosova.
“Ne jemi njoftuar nga zyra se nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë që do të ishte në përputhje me rregullat ligjore, sepse institucionet e Kosovës të kryesuara nga Albin Kurti e kushtëzojnë votimin me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të refuzojë të sigurojë funksionimin e OSBE-së, e cila ndihmon në organizimin e zgjedhjeve që nga viti 2012”, tha Dimitrijeviq, transmeton Telegrafi.