Kim Mehmeti
Që nga Mbreti Zog e këtej, thuajse të gjithë burrështetasit shqiptarë, nuk kanë arritur asgjë më shumë se të bëhen o shërbëtorë të Athinës, o të Beogradit. Mbase pse shumica e tyre kanë ardhur në pushtet si të pëlqyerit e këtyre dy qendrave ose pse, sa herë që u është rrezikuar froni i sunduesit, ata i janë përkulur flamurit serb apo atij grek. Pra, shkaku se kanë sunduar nën flamurin kuq e zi, por jo rrallëherë për të mbetur në pushtet, i janë gjunjëzuar atij serb apo grek.
Nga ky këndvështrim duhet vlerësuar dhe shpjeguar edhe angazhimin e Piktorit të ‘Rilindjes’ për ta realizuar idenë serbe për ‘Shengenin Ballkanik’. Ide e huazuar nga Titoja për ‘Federatën Ballkanike’, e që të dyja së bashku janë emërtime të koduara për realizimin e ‘Serbosllavisë’.
Ne shqiptarët qe kemi jetuar ne ish-Jugosllavi, i njohim mire projektet e dala nga ‘atelietë’ e Akademisë Serbe, e cila e mbështet edhe shqiptarinë pa kufij, por vetën si pjesë të ‘Serbosllavisë’ dhe vetëm nëse shqiptaria e pranon Beogradin si kryeqytet të fatit të vet kolektiv. Gjë të cilën siç duket Piktori i ‘Rilindjes’ e ka pranuar në emër të të gjithë shqiptarëve?!
Kuptohet, duhet të jesh kryeidiot që të të pengojë bashkëpunimi rajonal mes popujve dhe shteteve të Ballkanit, përfshirë edhe atë shqiptaro-serb. Duhet të jesh edhe mosbesues i sëmurë që të dyshosh në çdo gjë që vjen nga qendrat e shteteve fqinje. Por, gjithashtu, duhet të jesh pervers politik që bashkëpunimin shqiptaro-serb ta realizosh me ‘vuçiqat” e dalë nga kapota e Millosheviqit, me ata që ‘Kasapin e Ballkanit’ nuk e mallkojnë pse i përgjaku këto hapësira, por pse i humbi betejat, pse nuk e realizoi projektin e ‘Serbisë së Madhe’ dhe pse nuk i shfarosi shqiptarët e këtushëm dhe myslimanët e Bosnjës.
Pra, duhet të jesh i pa pjekuri kombëtarisht dhe i pandjeshëm ndaj fatit të popullit tënd që mos të të pengojë trau kufitar në Morinë, Bllacë, Moriçan… pra te mos të të pengojnë tratë e vendkalimeve kufitare që ndajnë shqiptarët nga shqiptarët, ku pritet me orë të tëra, e të duash ta fshish kufirin mes shqiptarisë e Serbisë?!
Duhet pra të kesh probleme të mëdha me vetveten që të mos merresh me ‘Shengenin Brendashqiptarë’, por me shlyerjen e kufijve shqiptaro-serbe. Me çka popullit tënd do t’ia përcjellësh porosinë se bashkimin i tij kombëtar kalon nëpërmjet Beogradit dhe se ai bashkim është i pamundur pa mbështetjen e Serbisë!? Dhe, përpos pervers duhet të jesh edhe injorant politik që të mos e kesh kuptuar se Serbia e sotme e ka në duar stabilitetin e pesë shteteve të Ballkanit: atë të Bosnjës nëpërmjet ‘Republika Serpska’, atë të Kosovës nëpërmjet ‘Zajednicës’, atë të Malit të Zi nëpërmjet serbëve të atjeshëm dhe atë të Maqedonisë që ishte dhe mbeti filiali politik i Beogradit! Pra, të mos e kuptosh se për ta realizuar ‘Ballkanin e Bashkuar’ me kryeqytet Beogradin, Serbisë së sotme i mungon vetëm Shqipëria.
Por, sidoqoftë, autori i këtij teksti ka një porosi: mos u merrni me këtë ide, sepse edhe Piktori i ‘Rilindjes’ atë e vlerëson vetëm nëpërmjet numrit të emisioneve debative që ajo i nxit në Tiranë, si dhe nëpërmjet intervistave të tij të dhëna nëpër televizionet serbe, ku atë do ta shpërfaqin si politikan mendjehapur me çka do mundohet ta mbulojë projektin e vetëm që është duke e realizuar: kriminalizimin e shoqërive shqiptare!