1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Serbia demonstron forcën ushtarake dhe paralajmëron investime

Më të lexuarat

Nga ajri dhe nga toka, nga rrafshnalta e Peshterit në jug e deri në Kragujevc në Serbinë Qendrore, me armë të rënda dhe me ushtarë, Serbia gjatë dy javëve të fundit demonstroi forcën e saj ushtarake që e ka në dispozicion.

Avionët rusë MiG-29, helikopterët Airbus H-145M, tanket e tipit T-72 dhe automjeteve të blinduara BRDM-2 të marra nga Rusia, dronët luftarakë CH92-A të blera nga Kina si dhe nga pajisjet e prodhuara në Serbi, u ekspozuan për publikun.

Stërvitja taktike e përbashkët dyjavore, e titulluar “Shkreptima e rrufesë” në Peshter, ka përfunduar dhe një ditë më vonë, më 28 qershor, një pjesë e armëve dhe pajisjeve të tjera u dërguan rreth 200 kilometra në veri, në Kragujevc, në Serbinë Qendrore.

Forca ushtarake u demonstrua para qytetarëve afër parkut memorial “Shumarice” në Kragujevc, që është ndërtuar për të kujtuar 2.796 civilët e pushkatuar më 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mesin e të cilëve ishin edhe 300 studentë dhe profesorë të gjimnazit të parë të kësaj komune.

E ashtuquajtura “Dita e Hapur” në Kragujevc, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji që është mbajtur deri më tani. Ajo u mbajt më 28 qershor, kur serbët shënojnë Vidovdanin, festën kombëtare në kujtim të Betejës së Kosovës, e cila u zhvillua më 28 qershor të vitit 1389.

Që nga fillimi i vitit, Serbia ka shfaqur shtatë herë armët dhe pajisjet ushtarake përmes stërvitjeve ushtarake, thuhet në të dhënat e publikuara në ueb-faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes.null

Vuçiq njoftoi për investime të reja në ushtri
Gjatë demonstrimit të armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ushtria do të vazhdojë të pajisjet me armatim të ri.

“Shumëçka do të marrim vitin e ardhshëm, gjë që do ta bëjë ushtrinë serbe dy herë më të fortë sesa është sot”, deklaroi Vuçiqi në Kragujevc.

Ai shtoi se “nuk guxoj të flas për blerjet e reja (të armëve dhe pajisjeve ushtarake) deri në janar ose shkurt” të vitit të ardhshëm.

Njoftimi për blerjet e reja të armëve dhe pajisjeve ushtarake vjen një vit e gjysmë pasi vetë Vuçiqi tha se Serbia do të ndalojë blerjen e armëve dhe se “ushtria do të modernizohet”.

“Ne do të synojmë reforma shtesë në ushtrinë tonë, me qëllim që ta bëjmë atë më të lëvizshme dhe më të shpejtë. Kjo nuk nënkupton blerje armësh, përkundrazi”, kishte deklaruar Vuçiq në dhjetor të vitit 2019.

Mesazhe nga rrafshnalta e Peshterit
Më 27 qershor, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se stërvitja “Shkreptima e rrufesë” në poligonin e rrafshnaltës në Peshterit ishte “një mundësi e shkëlqyeshme për të kontrolluar kapacitetet operacionale të komandave dhe njësive të ushtrisë serbe”.

“Stërvitja gjithashtu tregoi se sa është investuar në pajisjen dhe armatosjen e njerëzve tanë”, tha Stefanoviq.

Vuçiq deklaroi në Peshter se Serbia “nuk është e interesuar për ndonjë luftë apo konflikt”, por është “duke forcuar ushtrinë për qëllime të mbrojtjes”.

Në përgjigje të pyetjeve të REL-it, Ministria e Mbrojtjes tha se qëllimi i stërvitjes ushtarake në Peshter ishte që të paraqesë forcën që ka ushtria serbe “për t’iu përgjigjur sfidave, rreziqeve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së shtetit”.

Sipas ministrisë, “më shumë se 2.300 pjesëtarë të njësive të ushtrisë, forcave ajrore dhe mbrojtjes ajrore, brigada e 72-të e operacioneve speciale dhe brigada 63 e parashutave” morën pjesë në atë stërvitje.

Nga kjo ministri shtuan se ushtria e Serbisë ka shumë pajisje, që janë blerë nga Bashkimi Sovjetik dhe gjatë dekadave të fundit nga Federata Ruse.

“Nga pajisjet ushtarake që janë blerë kohëve të fundit nga Federata Ruse, më 27 qershor, në Peshter u shfaqën tanket T-72 MS, automjetet luftarake BRDM-2M, sistemi i mbrojtjes ajrore ‘Pancir’ si dhe helikopterët Mi-17 dhe Mi-35. Ndërkaq, nga pajisjet e blera nga Republika Popullore e Kinës (në këtë stërvitje) u prezantua droni i tipit CH-92”, tha Ministria e Mbrojtjes.

Ndikimi në raportet me fqinjët
Kjo shfaqje e forcës ushtarake të Serbisë mund të shkaktojë nervozizëm në rajon marrë parasysh të kaluarën, tha për Radion Evropa e Lirë, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës (London School of Economics).

“Ne mund të kuptojmë se gjërat kanë ndryshuar tani, por kjo është ende diçka që i bën nervozë fqinjët”, tha Ker-Lindsay.

“Sigurisht, ka një anë tjetër të kësaj historie. Shumëkush do i shihte këto stërvitje si të natyrshme, të drejtuara nga Bosnja dhe Hercegovina ose Kosova. Por, në realitet, ajo që çon në rritjen e shpenzimeve ushtarake e që është më shqetësuese, është raporti me Kroacinë fqinje”, thotë ai.

Ai beson se shfaqja e forcës ushtarake nga ana e Serbisë “nuk do të kuptohet pozitivisht në shumë vende”.

“Unë mendoj se është shqetësuese sepse nuk e shoh se si nga kjo mund të përfitojë reputacioni ndërkombëtar i Serbisë. Gjithashtu, ekziston një qëndrim – jo në të gjitha – por, në një numër të madh të vendeve të Bashkimit Evropian, që paradat dhe stërvitjet ushtarake i takojnë të kaluarës”, vlerëson Ker-Lindsey.

Pse e gjithë kjo?
Analisti gjeopolitik, njëkohësisht gjeneral në pension nga Mali i Zi, Blagoje Grahovac, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky populizëm është i drejtuar nga publiku në Serbi dhe jo drejt vendeve të tjera.

“Postulatet filozofike dhe historike thonë se një shtet që mbështet mbrojtjen e tij në forcën e armëve, është një shtet i pambrojtur. Një shtet që zhvillon marrëdhënie miqësore me fqinjët e tij është një shtet i mbrojtur. Sipas këtyre dy parametrave, duket që Serbia është në rrugë të gabuar sepse nuk ka përgjigje për pyetjet pse ose pse po i bën të gjitha këto. Është një populizëm që ka për qëllim militarizimin e gjendjes shpirtërore të qytetarëve. Për çfarë mund të shërbejë kjo? Për politika të paarsyeshme që të abuzohet sërish me qytetarët”, tha Grahovac.

Grahovac shton se Serbia shpenzon mjete për armatosjen e ushtrisë, armatim që nuk do të përdoret kundër askujt dhe se stërvitjet ushtarake nuk po shkaktojnë shqetësime te shtetet fqinje.

“Kush mund të bëjë sot luftë në Ballkan? Askush. Nëse dikush nis luftë, do ta humbasë atë. As Bashkimi Evropian dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejonin një gjë të tillë”, tha Grahovac.

Për kë shërbejnë stërvitjet ushtarake?
Me rishikimin e buxhetit për vitin 2021, që u votua nga deputetët serbë më 22 prill, buxheti për ushtrinë u rrit për 44 për qind, krahasuar me buxhetin që fillimisht ishte planifikuar që të ndahej për këtë sektor.

Sipas Maja Bjellosh nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, demonstrimi i forcës së ushtrisë po shihet si justifikim për rritjen e buxhetit për ushtrinë.

Ajo tha për REL se stërvitjet ushtarake synonin audiencën e brendshme.

“Mendoj se qëllimi i kësaj stërvitjeje, kësaj shfaqjeje, ishte i drejtuar kryesisht drejt publikut vendas, për të demonstruar forcën, për të treguar forcën e ushtrisë serbe dhe ndoshta për të justifikuar rritjen e buxhetit për 40 për qind për Ministrinë serbe të Mbrojtjes dhe për rritjen e investimeve për ushtrinë serbe”, vlerëson Bjellosh.

Sipas saj, presidenti Vuçiq dhe Qeveria serbe duan të tregojnë se ushtria është e fuqishme. Megjithatë, ajo beson se qytetarët kanë prioritete të tjera.

“Ushtria është e fortë vetëm nëse ka njerëz që dinë t’i përdorin pajisjet, veçanërisht nëse flasim për pajisje që janë blerë nga Rusia ose Kina, nëse (ushtria) është e depolitizuar dhe profesionale, qe të mos instrumentalizohet nga politikanët dhe partitë politike. Në anën tjetër, prioritetet e qytetarëve serbë janë që të kenë ujë dhe ajër të pastër, shëndet më të mirë e më shumë vende pune”, thotë ajo.

Siç thotë Bjellosh, duhet që të rritet niveli i transparencës, kur bëhet fjalë për blerjen e pajisjeve ushtarake, pasi sipas saj, ka hapësirë të madhe për korrupsion. Po ashtu, ajo thotë se integriteti dhe përgjegjësia politike janë të rëndësishme për sistemin e mbrojtjes, kur arrihen marrëveshje për blerjen e pajisjeve ushtarake nga Rusia, Turqia, Kina apo nga vendet e Evropës Perëndimore.

“Ajo që kemi pasur rastin të shohim është se qytetarët e Serbisë nuk e dinë se sa kushtojnë këto pajisje, të cilat patëm mundësin t’i shohim në Peshter, gjatë stërvitjes ushtarake, si dhe për pajisjet tjera ushtarake që Serbia mëton t’i blejë”, tha Bjellosh.

Me rishikimin e buxhetit, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes u rrit me 46 miliardë dinarë (391.2 milionë euro) në raport me planifikimet paraprake buxhetore. Me këtë rritje, buxheti për këtë ministri tashmë ka arritur në 148 miliardë dinarë (1.2 miliard euro).

Gjatë rishikimit të buxhetit, Këshilli Fiskal deklaroi se arsyeja kryesore që “alokimet ishin rritur ndjeshëm” për dikasterin e mbrojtjes, ishte pikërisht blerja e armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.

Ky organ i pavarur shtetëror, i cili i raporton Parlamentit të Serbisë, po ashtu vlerësoi se rritja e investimeve për sektorin e sigurisë “në aspektin ekonomik, është një gjë plotësisht e pajustifikueshme”, marrë parasysh faktin se lufta kundër pandemisë COVID-19 ende po vazhdon në Serbi. Investimet shtesë në këtë sektor, siç ka thënë ky Këshill, pritet të kenë ndikim në rritjen e borxhit publik.

“Me qenë se bëhet fjalë kryesisht për blerjen e pajisjeve ushtarake, të cilat kryesisht importohen, efekti i këtyre investimeve në rritjen ekonomike është i papërfillshëm – ndërsa kanë efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e deficitit fiskal (që tashmë veçse është i lartë) dhe borxhit publik në vitin 2021”, tha Këshilli Fiskal./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit