3.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Serbi, rrënohet faltorja e Bashkësisë Islame

Më të lexuarat

Myftia i Sremit dhe kryeimam i Mexhlisit të Zemunit Emin ef. Zejnullah për AA tha se objekti është rrënuar rreth orës tre të mëngjesit në prani të shumë policëve

BEOGRAD (AA) – Në Fushën e Zemunit në Beograd gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm është rrënuar objekti fetar i Bashkësisë Islame të Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Myftia i Sremit dhe kryeimam i Mexhlisit të Zemunit Emin ef. Zejnullah për AA tha se objekti është rrënuar rreth orës tre të mëngjesit në prani të shumë policëve dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë, ndërsa energjia elektrike dhe interneti në gjithë zonën ka qenë i shkyçur. Sipas tij, komuna e Zemunit ka dhënë leje për rrënim ndonëse premtoi se javën e ardhshme do të negociojë për atë si të zgjidhet problemi.

“Unë mbrëmë arrita të vij para objektit, më shtrinë për tokë, ndërsa polici më kërcënoi se do të më ‘rrjep’. Nëse këtë na rrënojnë, do të thotë na rrënojnë edhe neve. Kjo është humbje për shtetin, jo për ne. Ne do të vazhdojmë të jemi muslimanë”, tha imami Zejnullah.

Ai u bëri thirrje muslimanëve në Serbi dhe jashtë saj, pa marrë parasysh situatën, të qëndrojnë të qetë. Zejnullah rikujtoi se Bashkësia Islame ka dorëzuar kërkesë për legalizimin e objektit si dhe pa leje ndërtuan çatinë dhe nënkulmin, por mbrëmë, përveç kësaj, është rrënuar edhe kati i parë i objektit. Ai shpreson se do të gjendet zgjidhje për këtë problem dhe do t’u sigurohet lokacioni në të cilin mund të ndërtojnë objektin e tyre fetar dhe shtoi se presin nga autoritetet që t’i thërrasin në bisedë.

Zejnullah tha se tani presin reagim nga pushteti, reagim në rajon dhe përfaqësitë diplomatike, nëse do të qëndrojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave e lirive fetare të garantuara me Kushtetutë. “Shpresojmë se do të mund të ndërtojmë xhaminë legalisht dhe për këtë shteti të na del në ndihmë. Unë lus Zotin ashtu të bëhet. Për ne sot është Ramazan, ne nuk e ndryshojmë natyrën tonë. Ne nuk do të bëjmë problem, ne do të falemi në rrugë derisa shteti nuk na del në ndihmë”, tha Zejnullah.

Banori i lagjes Fatimir Kuruezi për AA tha se ky rajon mbrëmë ka qenë i stërmbushur me policë, dhe se një gjë të tillë nuk ka parë kurrë në jetë dhe se fëmijët janë frikësuar dhe kanë bërtitur kur është shkyçur energjia elektrike.

Ai theksoi se policia nuk i ka prekur, porse nuk i ka lejuar që të lëvizin dhe të shkojnë në shtëpinë tjetër ku jeton i biri i tij. Kuruezi tha se nuk e kupton pse nuk u lejojnë të ndërtojnë këtë objekt për lutje. “Nëse do Zoti që të mblidhemi, ne sërish do ta ndërtojmë atë ose le të na japin neve diku legalisht ta ndërtojmë. Pse nuk na lejojnë, nuk e kuptoj. Për vete kanë bërë kishë, e neve nuk na lejojnë të bëjmë xhami”, tha Kuruezi.

Rrënimi i objektit ishte planifikuar për dje në mëngjes. Megjithatë, besimtarët e penguan ekzekutimin e vendimit, por autoritetet më pas megjithatë e bënë gjatë natës.

Objekti fetar i cili u rrënua nuk ka qenë i ndërtuar deri në fund, meqë nuk ka patur lejen e duhur. Megjithatë, atë që tregojnë nga Bashkësia Islame e Serbisë dhe banorët e lagjes, në Zenun më shumë se 500 shtëpi nuk kanë patur leje ndërtimi si dhe kisha e cila ekziston në atë pjesë të qytetit, por askush nuk i rrënon.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit