4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Serbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi Ibër

Më të lexuarat

Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, protestuan pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kundërshtuan hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.

“Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”, ishin disa nga mesazhet që shiheshin në pankartat e protestuesve në Mitrovicë të Veriut.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.

Gjatë protestës, ish-gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiq, tha se duhet të arrihet konsensus ndërmjet të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë për të identifikuar dhe mbrojtur interesat themelore të komunitetit serb.

“Mjerimi është problemi ynë kolektiv. Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha Kabashiq.

Si forma të presionit, pjesëtarët e komunitetit serb përmendën përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur autoritetin në veri të Kosovës, si dhe praninë e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Kabashiq theksoi se nuk u protestua kundër popullit shqiptar, por kundër Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Duke folur për synimin e Qeverisë së Kosovës që ta hapë urën mbi Ibër, Kabashiq tha se komuniteti serb nuk e dëshiron këtë, ndërsa shtoi se pretendimet e autoriteteve kosovare se kjo do të bëhej për paqe dhe bashkëjetesë, nuk janë të sakta.

“Ne këtu nuk ndihemi të sigurt”, tha ai, duke shtuar se ekziston liria e lëvizjes edhe pse ura nuk është e hapur për trafik.

Sipas tij, ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve dhe kur situata të normalizohet.

Në këtë kontekst, ai kërkoi që pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe udhëheqjen e pushtetit lokal ta marrin përfaqësuesit e komunitetit serb.

Ndërkaq, Ivan Millojeviq, drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë, tha se pret që në ditët në vijim të mbyllen degët e kësaj poste edhe në jug të Ibrit, duke shtuar se serbët duhet t’iu kundërvihen autoriteteve të Kosovës “me dinjitet”.

Më 5 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pasi argumentuan se punonin pa licencë. Aksioni u kritikua nga komuniteti ndërkombëtar.

Millojeviq tha se punonjësit e Postës së Serbisë po akuzohen nga autoritetet kosovare për pastrim parash.

“Unë kam marrë përgjegjësinë përpara punonjësve të mi dhe kam shkruar se unë personalisht duhet të akuzohem. Nëse dikush duhet të shkojë në burg, ai jam unë. Edhe nesër në urë [për të penguar hapjen] ai do të jem unë”, tha ai gjatë protestës së 7 gushtit.

Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb, që të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

“Për shumë gjatë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi ai në Facebook.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Çfarë parashohin marrëveshjet e Brukselit për urën mbi Ibër?

Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2014 u pajtuan për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik. Parashihej i ashtuquajturi revitalizim i urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të urës.

Barrikadat e para mbi urë u vendosën nga serbët lokalë në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të vendit.

Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me mbjelljen e pemëve, që autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Lista Serbe e quajtën “Parku i Paqes”.

Ky park u hoq në vitin 2016, pas çka ura duhej të hapej për trafik. Kosova dhe Serbia të njëjtin vit ranë dakord për një plan të ri zbatimi, që synonte tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të ndodhte në janar të vitit 2017. Megjithatë, punimet për revitalizimin e urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt u investuan 1.5 milion euro.

Ura ende nuk është e hapur për automjete, por vetëm për këmbësorë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 1 gusht përsëriti qëndrimin e BE-së se çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje.

KFOR-i gjithashtu deklaroi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Në protestën e 7 gushtit në Mitrovicë të Veriut ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Kjo parti më herët kishte deklaruar se ura nuk mund të hapet pa konsultime dhe pëlqimin e shumicës serbe që jeton në anën veriore të urës.

Asamblistët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicë të Veriut në prill të vitit të kaluar miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjëse institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut.

Serbët në veri në fund të vitit 2022, me iniciativë të Listës Serbe, dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që targat e makinave, të lëshuara nga Serbia, të zëvendësohen me targat RKS – Republika e Kosovës.

Serbët, po ashtu, bojkotuan zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar, votime nga të cilat erdhën në pushtet kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri.

Pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës organizoi më 21 prill të këtij viti votimin për shkarkimin e kryetarëve në veri, por serbët e bojkotuan procesin pas thirrjes së Listës Serbe për bojkot. Lista Serbe kishte argumentuar se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Muajve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë disa vendime, sikurse vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme, kanë nisur mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe kanë konfiskuar pronat që janë në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Pjesëtarët e komunitetit serb, gjithashtu, kundërshtojnë fuqimisht shpronësimin e tokave në veri të Kosovës, të cilin po e kryen Qeveria e Kosovës për ndërtimin e stacioneve apo bazave policore.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit