Në Rudarë të Zveçanit, në veri të Kosovës – serbët lokalë kanë bllokuar rrugët.
Kjo ka ardhur pas njoftimit nga autoritetet serbe se një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, nga komuniteti serb, është arrestuar.
Sipas një fotografie që po qarkullon në rrjetet sociale, rruga është bllokuar me kamionë të mbeturinave, të cilët iu janë dhënë serbëve në atë pjesë si donacion nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në barrikada shihen edhe persona të maskuar, teksa autoambulancat kalojnë në afërsi të vendit të njohur si “Kryqi”, ku janë mbledhur serbët lokalë.
Përndryshe, pas arrestimit të ish-zyrtarin policor, ish-pjesëtarin e MUP-it, i cili ka qenë i integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç në pikën kufitare në Jarinje, grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të dërgimit të tij në jug të vendit, janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Kurse, Policia e Kosovës ka marrë vendim për mbylljen e përkohshëm të pikë kalimeve në Jarinje dhe Bërnjak.