4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Serbët e veriut të painformuar rreth marrëveshjes për energjinë, pajtohen ta paguajnë rrymën

Më të lexuarat

Qytetarët serbë të katër komunave veriore të vendit, nuk janë të informuar rreth marrëveshjes për energjinë midis KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila do të mundësojë inkasimin e rrymës së shpenzuar nga ana e tyre.

Ndonëse nuk i dinë detajet e kësaj marrëveshjeje, ata, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, bëjnë të ditur se duhet të fillojnë të paguajnë për rrymën që e shpenzojnë.

Momir Mijoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se nuk di asgjë për pikat e marrëveshjes rreth energjisë, midis KEDS-it dhe Elektrosever-it, por që është i gatshëm ta paguaj rrymën e shpenzuar.

“Çka t’iu them, nuk di asgjë t’iu sqaroj… Nëse bëhet për të paguar, do ta paguajmë”, tha ai.

Edhe Sllavica Jankoviq, një qytetare tjetër nga veriu i këtij qyteti, ka pranuar se nuk është e informuar për marrëveshjen.

Ajo tha se nëse duhet ta paguaj rrymën, do ta bëjë.

“Asgjë nuk jam e informuar (për marrëveshjen midis KEDS-it dhe Elektrosever), as nuk kam dëgjuar… Kur duhet të paguajmë, duhet. I gjallë në varr askush nuk shkon, vetëm kur duhet”, tha ajo.

Në anën tjetër, analisti Branisllav Kërstiq, theksoi se qytetarët serbë të veriut janë të habitur për faktin se kryetari serb, Aleksandar Vuçiq bëhet sikur nuk është në dijeni për marrëveshjen, ndërsa siç tha ai, vetë kabineti i tij, ka sugjeruar që Kompania Elektrosever të nënshkruajë këtë marrëveshje me KEDS-in.

“Qytetarët e veriut janë të habitur. Ne kemi një marrëveshje të nënshkruar midis Elektrosever dhe KEDS-it, por të nesërmen kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë me deklaratë ku thotë se kabineti i tij do ta analizojë këtë marrëveshje. Shfaqje e lojës, sepse kabineti i kryetarit në fakt ka sugjeruar vetë tek krerët e Elektroseverit që ta nënshkruajnë atë marrëveshje, sepse ky është obligim dhe përgjegjësi e Serbisë sipas marrëveshjes së Brukselit… Shtetasit e Kosovës nga veriu nuk janë vetëm serbët, sepse kemi 15 përqind shqiptarë, afër 5 përqind boshnjakë, të cilët janë të gatshëm për pagesë.

Jam i sigurt se edhe në veri vjen koha që të gjithë ta paguajnë rrymën. Deri tani kemi pasur një shërbim jo korrekt, me amplitude serioze dhe me kualitetin e rrymës, ne kemi humbur shumë gjëra teknike brenda banesave dhe shtëpive. Tani nëse kemi një kontratë tjetër dhe me një operator më serioz, mendoj se me paratë të cilat i kemi shpenzuar për riparimin e pajisjeve, tani do ta paguajmë rrymën”, tha ai.

Sipas tij, Beogradi historikisht gjithmonë ka tradhtuar serbët, fillimisht në Kroaci, e tash edhe në Kosovë.

Ndryshe, nga viti 1999 deri më 2017, borxhin e energjisë për veriun e kanë paguar qytetarët e komunave tjera të vendit. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 përqind. Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

 

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te Operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), sipas të cilit është bërë e ditur se humbjet nga mos pagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021. /kp

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit