Qeveria serbe premtoi një risistemim për 75 azilkërkuesit sirianë, të cilët u sulmuan nga banorët e Obrenovacit në Serbinë Qendrore. Të larguar nga lufta civile në Siri, sirianët ishin sistemuar nga autoritetet në disa çadra të ngritura në këtë qytetet.
Megjithatë, banorët vendas nuk e mirëpritën aspak këtë vendim dhe sulmuan sirianët, duke i dhunuar fizikisht e duke i vënë zjarrin tendave të tyre.
Ngjarja e shëmtuar ndodhi mbrëmjen e së mërkurës dhe dhjetëra sirianë u detyruan të mbijetonin një natë me shumë pak veshmbathje në mes të ngricës dhe borës.
Vendasit justifikuan veprimin e tyre çnjerëzor me frikën se lëshimi rrënjë i sirianëve në qytet do të rriste kriminalitetin dhe ulte vendet e punës për serbët, transmeton TCH.
Autoritetet ndërhynë vetëm mëngjesin e së enjtes dhe tashti flitet se ata do të dërgohen në juglindje të vendit, në Tutin.
Lajmi i publikuar në agjencia Tanjug nuk specifikon nëse do të merren masa ligjore kundër agresorëve.
Për shkak të pozicionit gjeografik, Serbia pret aktualisht 4 mijë azilkërkues sirianë, të cilët tentojnë të kalojnë transit në këtë vend, rrugës së tyre për në vendet e BE-së. /kohaislame