7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Fakte tronditëse: Funksionet politike të Isa Mustafës gjatë okupimit serb

Më të lexuarat

Kush ishte Isa Mustafa gjatë viteve 1981-1990?

Isa Mustafa për katër vjet rresht (1984-1988) si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës (ku përfshiheshin edhe komunat: Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Novobërdë) dhe njëkohësisht të qenit “drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës” ka qenë njeriu më i pushtetshëm i regjimi komunist

Pas demonstratave të 11 e 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit 1981, regjimi komunist gjatë verës së atij viti ndërmori një sërë masash ideo-politike, të cilat kulmuan me „Platformën politike të KQ të LKJ-së për Kosovën“, të miratuar më 17 nëntor 1981 në mbledhjen e XXII-të të KQ të LKJ-së në Beograd. Në zbatim të kësaj PLATFORME, strukturat pushtetore partiake dhe ato gjyqësore në Kosovë, në bashkëpunim edhe me UDB-në, nisën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh ndaj organizatorëve të demonstratave si dhe në të njëjtën kohë intensifikuan diferencimin ideo-politik brenda radhëve të pushtetit, nëpër organizata punuese dhe në të gjitha institucionet tjera publike e me theks të veçantë në institucionet shkencore-akademike të Kosovës, siç ishin: Instituti Albanologjik, ai i Historisë dhe mbi të gjitha Universiteti i Prishtinës, i cili u cilësua si “Bastion i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Për t’i realizuar masat, që dolën nga “Platforma…” e KQ të LKJ-së, regjimi gjatë viteve 1981-1990 në vendet udhëheqëse i emëroi ato kuadro politike, që ishin dëshmuar në çdo situatë të zellshëm dhe besnik në luftimin dhe çrrënjosjen e “nacionalizimit dhe seperatizmit shqiptar”! Dhe, njëri nga ata besnikët e këtij regjimi ishte pa dyshim komunisti i devotshëm, Isa Mustafa (tani kryetar i komunës së Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës.)

Në biografinë e shkurtër të Isa Mustafës, të botuar në portalin e Komunës së Prishtinës, thuhet se Isa Mustafa ”ekspertizën profesionale e filloi nga viti 1974, si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988) dhe “drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës”…

Por, si duket, shoku Isa Mustafa e paska harruar se ka qenë edhe “sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor-Teknik me botën”, në Këshillin Ekzekutiv të KSA të Kosovës me kryetar Jusuf Zejnullahun, që u formua më 4 dhjetor 1989, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës.

Shkëputur nga gazeta Rilindja, datë 5 dhjetor 1989

Isa Mustafa për katër vjet rresht (1984-1988) si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës (ku përfshiheshin edhe komunat: Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Novobërdë) dhe njëkohësisht të qenit “drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës”, ka qenë njeriu më i pushtetshëm i regjimi komunist, ashtu sikurse ishin:

Ali Shukria – kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1981-1982),
Nebih Gashi – kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1982-1983),
Shefqet Jashari – kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1983-1984),
Ymer Pula – kryetar i KE të KSA të Kosovës (1982-1986),
Kolë Shiroka – kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1984-1985), dhe Kryetar i KK të KSA të Kosovës në periudhën (1985-1986),
Nazmi Mustafa – kryetar i KE të KSA të Kosovës (1986-1989),
Jusuf Zejnullahu – kryetar i KE të KSA të Kosovës ( 1989-1990),
Bajram Selani – kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1986-1987),
Remzi Kolgeci – kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1987-1988),
Azem Vllasi – kryetar i KK të KSA të Kosovës (1986-1988) dhe
Rrahman Morina – kryetar i KK të KSA të Kosovës (1988-1990).

Kontributi i Isa Mustafës gjatë ndryshimeve kushtetuese për “Serbinë unike”!

Procesin për ndryshimet kushtetuese e kanë përcjellë një sërë mbledhjesh e vendimesh të niveleve të ndryshme të regjimit. Fillimisht po sjellë një kronologji të këtyre ngjarjeve, ku në këtë kuadër do të përvijohet edhe aktiviteti i Isa Mustafës.

Gjatë viteve 1984-1990, kur Isa Mustafa kishte pushtet ekzekutiv në çdo sferë të jetës në Prishtinë, Kosova përballej me shumë sfida dhe ndër sfidat më të rënda padyshim ishin: ndryshimi i Kushtetutës në interes të Serbisë dhe heqja e Autonomisë së Kosovës. 

Intensifikimi për “Serbinë e bashkuar” përmes ndryshimeve kushtetuese, nisi me ngritjen e Sllobodan Millosheviqit, nga pozita e kryetarit të Komitetit të LK-së për Beogradin në postin drejtues të KQ të LK të Serbisë, në maj të vitit 1986. Platforma ideologjike e Millosheviqit bazohej në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, i hartuar në shtator të vitit 1986. Sipas hartuesve të memorandumit “e keqja më e madhe për kombin serb u sendërtua në tekstin e Kushtetutës së vitit 1974, e cila jo vetëm e ndau Serbinë në 3 pjesë, por krijoi edhe mjedisin e përshtatshëm për fillimin e gjenocidit ndaj serbëve të Kosovës.” ( V. Meier: Fundi i Jugosllavisë – goditja në Kosovë, Lubjanë – Liria 2007, fq. 82). 

Nga ana formale memorandumi shprehte vetëm kërkesën për rishikimin e kushtetutës dhe krijimin e një shteti të përbashkët “federativ”, por kërkesa për “të drejta të barabarta” për serbët dhe “bashkim kulturor dhe shpirtëror të popullit serb” nuk ishte gjë tjetër veçse një rikthim tek ideja e vjetër e hegjemonisë serbe. Ky memorandum ndërkohë u shndërrua në një armë të fortë për Millosheviqin, për të mobilizuar popullin serb në realizimin e synimeve hegjemoniste, dhe forca kryesore e Millosheviqit në këtë rrugëtim, ishte Lëvizja serbe me seli në Fushë-Kosovë, të cilën e legjitimoj më 24 prill 1987 kur mori pjesë në mbledhjen protestuese të organizuar në Fushë-Kosovë, nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje, Miqo Shparavallo, Mirosllav Sholeviqi etj.

Më 21 janar 1987 Kryesia Federale kishte propozuar fillimin e ndryshimeve në Kushtetutën Federale, duke përfshirë 29 amendamente (nga 9 – 37). Në këtë kuadër më 28 korrik 1987 edhe Kuvendi i Serbisë vendosi t’i hyjë ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë. Më 14 shtator 1987 Kuvendi i Serbisë ua dërgoi propozimin për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, Kuvendit të Kosovës dhe atij të Vojvodinës “për të dhënë pëlqimin” për ato ndryshime që do t’u përkisnin çështjeve “me interes për Serbinë (unike) si tërësi”.

Në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 6 nëntor 1987 dhe 2 shkurt 1988 u miratua propozimi i Kryesisë së Kosovës për t’u hyrë ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës, sipas direktivave të Serbisë. Gjatë verës së vitit 1988 (pikërisht në kohën kur Millosheviqi intensifikoi veprimet politike përmes “mitingjeve antiburokratike” të organizuar nga shovinistët serbe të Kosovës me seli në Fushë-Kosovë) u bënë përgatitjet organizative – politike, për formimin e këshillave koordinues në organet e Lidhjes Socialiste, të aktiveve politike etj., që do të jenë bartëse të procesit për ndryshimet substanciale në Kushtetutën e Kosovës. Kuvendi i Kosovës më 22 shtator 1988 miratoi Projektin e ndryshimeve kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, dhe ky projekt përfshinte ndryshimin e 142 dispozitave të Kushtetutës së Kosovës në amendamentet 18 – 51. Diskutimi publik u zhvillua deri më 31 tetor 1988, në 1597 shoqata e 350 konferenca lokale dhe në 2.427 organizata themelore punuese qeverisëse. (N. Gjeloshi -Kosova në udhëkryq ’89, Velar 1997, f. 43).

Këto zhvillime, të cilat po e shkatërronin edhe atë copë autonomie që kishte Kosova, shkaktuan një valë protestash në Kosovë. Nga 17-21 nëntor 1988 në Prishtinë e në qytete tjera të Kosovës u organizuan protesta gjithëpopullore dhe kjo valë protestash nisi në mëngjesin e 17 nëntorit me marshimin e minatorëve të Trepçës nga miniera e Stan – Tërgut për në Prishtinë. Me minatorët u solidarizuan studentët e UP-së dhe i gjithë populli, por jo edhe strukturat politike shqiptare të këtij regjimi, të cilat këto protesta i cilësuan si armiqësore e kundërrevolucionare. Më 22 shkurt 1989 ndryshimet në kushtetutën serbe u miratuan njëzëri nga komisioni kushtetues i Serbisë, ndërkaq dy ditë më vonë pasoi miratimi unanim i Kushtetutës në seancën plenare të parlamentit serb dhe për çudi delegatët e Kosovës nuk dhanë asnjë vërejtje në këtë drejtim. Kryetari i komisionit kushtetues në parlamentin serb Borisav Joviq, me paturpësi deklaron se “reforma kushtetuese serbe nuk e kërcënon aspak autonominë e krahinave” dhe se vetëm tani Serbia “gjendet në rrugën drejt barazisë me republikat e tjera”! (V. Meier: Fundi i Jugosllavisë – goditja në Kosovë, Lubjanë – Liria 2007, fq. 133).

Nga 20 – 28 shkurti 1989 sërish ishin minatorët ata që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese në dëm të Kosovës, me grevë të përgjithshme, duke u ngujuar në galeritë e tyre të punës. Këtë herë artikuluan 10 kërkesa dhe njëra prej tyre ishte: “Të jepnin dorëheqje të parevokueshme: Rrahman Morina, kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës; Husamedin Azemi, kryetar i Kryesisë së Komitetit Komunal të LK të Prishtinës dhe Ali Shukria, anëtar i Komitetit Qendror të LK të Jugosllavisë.” Një ditë pas fillimit të grevës së minatorëve, (më 21 shkurt) 215 intelektualë shqiptarë i drejtuan një Apel opinionit të gjerë publik dhe strukturave pushtetore të Jugosllavisë, Serbisë dhe të Kosovës, ku u apelua “në Kuvendin e Serbisë që të aprovojë vetëm pjesën e amendamenteve që nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e raporteve ndërmjet RS të Serbisë dhe krahinave socialiste autonome…” sepse “Ngushtimi eventual i pozitës kushtetuese të Kosovës do të shkaktonte te shqiptarët ndjenjën objektive se po u merret jo diçka që u është dhuruar, por ajo që u takon burimisht…” (N. Gjeloshi – fq. 86 – 88 -89)

Më 22 shkurt, Kryesia e KQ të LKJ-së mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme për të shqyrtuar zhvillimin e ngjarjeve më të reja në Kosovë, ndërsa një ditë më vonë (23 shkurt) për të njëjtën çështje u mblodh edhe Kryesia e Federatës jugosllav dhe këto organe nxorën përfundimin, se: “Ndërrimet e propozuara të Kushtetutës së Serbisë duhet të miratohen në mënyrë të pashtyshme”. (!!!)

Më 24 shkurt me kërkesën ultimative të minatorëve, Stipe Shuvar, kryetar i KQ të LKJ-së dhe Sllobodan Millosheviq vizituan Kosovën dhe derisa i pari u takua me minatorët grevistë i dyti, i shoqëruar nga Rrahman Morina, Husamedin Azemi e të tjerë, mbajti një mbledhje me udhëheqës të Elektroekonomisë së Kosovës!

Duke qenë se minatorët nuk kishin ndërmend të dilnin nga greva, në datat 25 e 26 shkurt Millosheviqi përdori të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, duke arritur të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të dërgonte trupa speciale në Kosovë edhe me miratimin e Kryesisë së Federatës Jugosllave në krye me boshnjakun Raif Dizdareviç. Kjo ndodhi në mbledhjen e kryesisë së RSFJ-së (më 26 – 27 shkurt).Në mbrëmjen e 27 shkurtit, kryesia e shtetit miratoi “marrjen e masave të veçanta për Kosovën”. Dhe këto “masa të veçanta” nuk ishin gjë tjetër veçse gjendje e jashtëzakonshme. (V. Meier, fq. 137)

Më 28 shkurt, (pasi Rr. Morina, H. Azemi dhe A. Shukria kishin ofruar dorëheqjet e kërkuara nga minatorët), minatorët dolën nga greva, por ky trinom millosheviqian realisht nuk u largua nga funksionet e tyre!

Më 9 mars 1989 Kuvendi i Kosovës nxori dy konkluzione:

“1. Të përkrahen masat e posaçme (lexo: Gjendja e jashtëzakonshme) të Kryesisë së RSFJ-së për Kosovën; 2. Miratimi i amendamenteve në Kushtetutën e Serbisë është me rëndësi të posaçme, jo vetëm për Krahinën dhe RS të Serbisë, por edhe për mbarë stabilizimin e Jugosllavisë dhe se këto amendamente duhet të miratore me kohë”. Në këtë mbledhje Nazmi Mustafa – kryetar i Këshillit Ekzekutiv të KSA të Kosovës, duke folur për protestat e nëntorit 1988 dhe ato të shkurtit 1989 tha se ato kanë krijuar “një bazë të përshtatshme për shfaqjen e nacionalizmit e të separatizmit shqiptar…” dhe se sipas tij “zbatimi i masave të posaçme u dëshmua i arsyeshëm…”.

Bazuar në fjalimin e kryetarit N. Mustafës, KE i KSA të Kosovës nxori vendimin për kufizimin ose ndalimin e grumbullimit të njerëzve në vende publike.

Më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës (ajo e Komitetit Krahinor dhe e Kryesisë së Kosovës) përmes një kumtese të përbashkët, theksojnë, se: “Dy kryesitë përkrahin plotësisht amendamentet për Kushtetutën e RS të Serbisë, me të cilat mundësohet që RS e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë territorin e Republikës…” dhe se me “këto ndërrime nuk ndryshohen parimet themlore të Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974 dhe pikënisje është realizimi i konsekuent i barazisë së plotë kombëtare të të gjitha kombeve e kombësive në RS të Serbisë dhe në KSA të Kosovës”. (Rilindja, 15 mars 1989)

Edhe Kryesia e Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste më 16 mars 1989 u dha përkrahje të plotë amendamenteve të Kushtetutës së Serbisë dhe insistonte që Kuvendi i Kosovës të përkrahte këto amendamente! Më 17 mars u mblodhën delegatët e Këshillit të Dhomës Shoqërore – Politike të Kuvendit të Kosovës, ku përkrahën njëzëri amendamentet e Kushtetutës së Serbisë, – kështu shkruante ‘Rilindja’ e datës 18 mars 1989.

Isa Mustafa, zëdhënës i ndryshimeve kushtetuese!

Në vazhdën e fushatës intensive për ndryshimet kushtetuese që zhvillohej në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, u përzgjodhën edhe figurat politike të regjimit që do t’i bënin jehonë në mënyrë afirmative këtij procesi, me qëllim që t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve se me këto ndryshime nuk do të cenohet aspak Autonomia e Kosovës! Në mesin e shumë komunistëve shqiptarë të kohës që u treguan të gatshëm për t’ua mbushur mendjen shqiptarëve se nuk humbim asgjë nga këto ndryshime kushtetuese ishte edhe Isa Mustafa. Po të lexosh shtypin e kohës: Rilindjen, Jedinstvon, Borbën, Politikën etj., do të shohësh qartë aktivitetin e Isa Mustafës me shokë në këtë proces të ndryshimeve kushtetuese. Isa madje ka marrë pjesë aktive edhe në debatet që i ka organizuar Radio Televizioni i Prishtinës – RTP, në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese.

Ta zëmë, ato ditë marsi në një nga debatet e organizuara në RTP, panelin e debutuesve për ndryshimet kushtetuese e përbënin:

1. Luba Popoviqin (anëtar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës),
2. Rade Zvicerin (kryetar i Komisionit Legjislativ Juridik të Kuvendit të Kosovës) ,
3. Hazër Susuri (nënkryetar i KE të Kosovës),
4. Nikë Lumezi (anëtar i KE),
5. Shefqet Musatafa (anëtar i Kryesisë së Kosovës dhe anëtar i komisionit Kushtetues të Kosovës),
6. Vesel Latifi (sekretar Krahinor i Judikaturës),
7. Pjetër Kola ( kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës),
9. Isa Mustafa (drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror),
10. Ahmet Omeragiqi, zëvendës-sekretar Krahinor i Mbrojtjes Popullore. (Z. Cana – Apeli 215 i intelektualëve shqiptarë, Prishtinë 2001, fq. 174 -175).

Ndryshimi i Kushtetutës për “Serbinë unike”!

Më 21 mars, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës i propozoi Kuvendit të Kosovës që në mbledhjen e caktuar për datën 23 mars të jepte pëlqimin për amendamentet në Kushtetutën e Serbisë. Më 23 mars 1989 (ditë e enjte) në Prishtinë në orën 10 paradite u mblodhën delegatët e të tri dhomave të Kuvendit të Kosovës:

1. Dhoma e Punës së Bashkuar, me kryetar Raif Vërbnica,
2. Dhoma e Komunave, me kryetar Radoica Zhizhiq
3. Dhoma Shoqërore – Politike, me kryetar Shefqet Mustafa.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës kishte mbi 500 njerëz, funksionarë, punëtorë të sigurimit, mysafirë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga Serbia, ndërsa ishin 190 delegatë të zgjedhur, qysh në nëntor të vitit 1988 nga komisionet kandiduese të të gjitha organizatave shoqërore – politike. Në këtë mbledhje të përgatitur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës Vukashin Jokanoviq, diskutuan 27 delegatë, 20 shqiptarë dhe 7 serbë, (N. Gjeloshi – fq. 98) dhe në fund u aprovuan me aklamacion (ngritje të dorës) amendamentet e Kushtetutës së Serbisë. Ishin 11 vota kundër dhe dy abstenime, (po aty) por nuk dihej numri i votave “për” sepse nuk u numëruan nga kryetari i Kuvendit. Nga pamjet në ekranin e RTP dhe fotografitë që u publikuan në shtypin e përditshëm, duket qartazi, se pjesa dërmuese e atyre që kishin ngritur dorën nuk ishin delegatë! Pasditen e 23 marsit, (pasi u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Serbisë nga Kuvendi i Kosovës) shpërthyen protesta të fuqishme e të pandalshme në gjithë Kosovën deri më 28 mars kur në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë. Ndërsa në Beograd festohej “Serbia unike” dhe “Dita e ribashkimit” të saj, rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga njësitë speciale të Serbisë. Nga 23 – 28 mars u vranë 22 shqiptarë dhe u plagosën rëndë rreth 300 të tjerë. (N. Gjeloshi, fq. 107).

Diferencimi ideo-politik dhe avancimi i Isa Mustafës

Pas Kuvendit të Kosovës, më 1 prill, Lidhja Komuniste e Kosovës mbajti një plenum, ku vlerësoi situatën e krijuar pas miratimit të Kushtetutës së Serbisë. Ky plenum si qëndrim esencial nxori “diferencimin ideo-politik në tërë Kosovën” dhe si kriter themelor për diferencim u përcaktua qëndrimi i organeve, i funksionarëve, i delegatëve dhe i punëtorëve të shërbimeve tjera të regjimit “ndaj tubimeve dhe demonstratave të shqiptarëve në nëntor 1988, ndaj grevave dhe ndërprerjeve të punës në shkurt 1989, si dhe ndaj demonstratave të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë në mars 1989” (N. Gjeloshi, fq. 108).

Në këtë kuadër, Kryesia e Kuvendit të KSA të Kosovës në mbledhjet e 3 e 8 majit 1989 shqyrtoi obligimet dhe detyrat e veta mbi realizimin e diferencimit ideo-politik dhe të punës në nivel të Kuvendit të KSA të Kosovës, të Këshillit Ekzekutiv dhe në organet dhe organizatat krahinore të administratës dhe i obligoi ato institucione e organe që në afatin sa më të shkurtër të bëjnë diferencimin ideo – politik dhe të punës. Ndërkaq, nga baza deleguese kërkoi “ndërmarrjen e masave ndaj delegatëve në Kuvendin e Kosovës, të cilët nuk i kishin respektuar qëndrimet e bazës lidhur me grevën e minatorëve në Stani-Tërg, Kishnicë e Novobërdë, duke u përpjekur për miratimin e kërkesave të grevistëve në kundërshtim me qëndrimet e organeve më të larta partiake e të organeve e organizatave të Kosovës për dhënien e pëlqimit të amendamenteve në Kushtetutën e Serbisë”. (N. Gjeloshi, fq. 109).

Dhe në këto zhvillime, diferencimet politike u zbatuan në të gjitha organet dhe institucionet në Kosovë. Nga ky diferencim e pësuan të gjithë ata komunistë (shqiptarë) që në një mënyrë a tjetër u solidarizuan me kërkesat e minatorëve dhe nuk pranuan ndryshimet kushtetuese në favor të “Serbisë unike”, ndërkohë që komunistët tjerë që i mbetën edhe më tutje besnik politikës antishqiptare të Millosheviqit, u avancuan në pozita më të larta të pushtetit! Në mesin e atyre që u avancuan në këtë drejtim ishte edhe kryetari aktual i LDK-së, ISA MUSTAFA! Në Lidhjen Socialiste të Kosovës që prej organizatave lokale, konferencave komunale e deri te konferenca e LS të Kosovës diferencimi politik ose i punës përfshiu afro 700 kuadro, ndërkaq kryetari krahinor i Lidhjes Socialiste, Daut Jashanica, u avancua në postin e delegatit të Kuvendit Federativ të Jugosllavisë.

Mr. Isa Mustafa, “sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor -teknik me botën në Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës (dhjetor 1989).

Gjatë nëntorit të vitit 1989 strukturat politike serbe të drejtuara nga Sllobodan Millosheviqi punuan intensivisht në përzgjedhjen e kuadrove për funksionet politike në Kosovë, të cilët tashmë (tetë vjet e gjysmë pas demonstratave të pranverës 1981) ishin dëshmuar si „luftëtarë të denjë për realizimin e politikës së LK të Kosovës, të LK të Serbisë dhe të LKJ“ që do të thotë „për luftimin e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptarë“ si dhe „për ndaljen e shpërnguljes së serbëve e të malazezve nga Kosova“ …

“Në mbledhjen e përbashkët të tri dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës, të mbajtur me datë 4 dhjetor 1989 (E hëne) u bë konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhja e kandidatëve për funksionet më me përgjegjësi – të kryetarit të Kryesisë dhe të anëtarëve të Kryesisë së KSA të Kosovës, të kryetarit të Kuvendit, të nënkryetarëve të Kuvendit dhe të kryetarëve të dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës si dhe të delegacionit të KSA të Kosovës në Dhomën e Republikave dhe të Krahinave të Kuvendit të RSFJ-së” – kështu shkruante gazeta „Rilindja“ e ditës së martë – datë 5 dhjetor 1989.

Daut Jashanica, kryetar i Konferencës Krahinore të LSPP (dhe i avancuar në postin e delegatit të Kuvendit Federativ të Jugosllavisë), në mbledhjen e 4 dhjetorit, tha: „Duke u përcaktuar struktura nacionale, në bazë të propozimit inicial të Kryesisë së KSA të Kosovës dhe Kuvendit të KSA të Kosovës si dhe në bazë të qëndrimeve të Këshillit Koordinues për politikën e kuadrove të Konferencës Krahinore të LSPP të Kosovës, Kryesia e Konferencës Krahinore të LSPP të Kosovës si bartëse e konsultimeve, ka iniciuar procedurën e propozimit dhe të evidencimit të kuadrove të mundshme për zgjedhjen e kryetarit dhe të anëtarëve të Kryesisë së KSA të Kosovës, të kryetarit të dy nënkryetarëve dhe të kryetarëve të dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës. (‘Rilindja’, 5 dhjetor 1989)

Me rastin e propozimit të kandidatëve të mundshëm për funksionet e përmendura dhe me rastin e zgjedhjes së tyre, LSPP e Kosovës si dhe subjektet e tjera shoqërore në Krahinë kanë bërë përpjekje që në të gjitha fazat të propozohen më shumë kandidatë për funksionet më me përgjegjësi që për to të propozohen kuadrot, të cilat në periudhën e deritashme janë dëshmuar luftëtarë të denjë për realizimin e politikës së LK të Kosovës, të LK të Serbisë dhe të LKJ, kuadrot që gëzojnë besimin e pjesëtarëve të të gjitha kombeve dhe kombësive, individët që në aktivitetet e deritashme kanë luftuar me vendosmëri kundër të gjitha dukurive të nacionalizmit, e në radhë të parë kundër nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar, për ndaljen e shpërnguljes së serbëve e të malazezve nga Kosova dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë e të punojnë në Kosovë, kuadrot të cilat me cilësitë e veta personale garantojnë se do të jenë të suksesshme në kryerjen e funksioneve që u besohen.“ Shkruan ‘Rilindja. E martë 05 dhjetor 1989.

Në mbledhjen e Kuvendit të KSA të Kosovës kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës u zgjodh Isen Kajdomçaj, kryetar i Kuvendit të KSA të Kosovës Gjorgje Bozhoviq, ndërsa kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës u zgjodh Jusuf Zejnullahu. Sekretar krahinor i Punëve të Brendshme u emërua përsëri Jusuf Karakushi, mr. Rifat Zulfiu u emërua sekretar krahinor i Judikaturës, Shefqet Cana sekretar krahinor i Financave, Radman Milosavleviqi sekretar krahinor për Ekonomi Lekë Berisha sekretar krahinor për Bujqësi dhe Pylltari, Selajdin Skeja sekretar krahinor për Komunikacion dhe lidhje, dr. Muhamet Bicaj u emërua sekretar krahinor për Arsim dhe Kulturë, Lekë Vuksani sekretar krahinor për Punë, Shëndetësi dhe Politikë Sociale, dhe për çështjet e luftëtarëve e të invalidëve, Radovan Vujoviqi sekretar krahinor për Urbanizëm dhe Çështje Komunale-Banesore dhe mr. Isa Mustafa sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor – teknik me botën.

http://almakos.com/lajme/kosove/36343-fakte-tronditese-funksionet-politike-te-isa-mustafes-gjate-komunizmit.html

 

/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit