1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Sensi i jetës

Më të lexuarat

Nga: Dr. Ragib Sirxheni

Sensi i jetës

Kam menduar shumë, lidhur me çështjen e ngritjes së kombeve dhe kam vënë re diçka vërtet të çuditshme, kam vënë re se periudha e përgatitjes është shumë e gjatë, mund të arrijë edhe dhjetëra vite; ndërsa periudha e sundimit është e shkurtër, saqë nganjëherë nuk i kalon as disa vite!!
Për shembull do gjesh se muslimanët shpenzuan një mund të jashtëzakonshëm për një periudhë që i kaloi tetëdhjetë vjet, për përgatitjen e ushtrisë që do ballafaqohej me kryqtarët, përgatitje në të cilën u angazhuan dijetarë të përkushtuar dhe drejtues të shquar, e ndoshta prej më të shquarve prej tyre është Nuredin Mahmudi dhe Salahudin Ejubi, Allahu i mëshiroftë në tërësi; kështu muslimanët fituan në Hitin, madje çliruan jo vetëm Kudsin por edhe një numër të madh qytetesh muslimane të pushtuara. Asokohe muslimanët arritën një nivel vërtet të madh sundimi, duke poseduar një shtet të madh të unifikuar. Por për çudi ky sundim vazhdoi vetëm gjashtë vjet dhe nyja u zgjidh me vdekjen e Salahudinit. Shteti i madh u copëtua midis bijve dhe vëllezërve të tij, madje pati prej atyre, të cilët ia dorëzuan Kudsin kryqtarëve thuajse pa çmim. 
 
U habita me këtë, derisa hetova ligjësinë, kuptova sensin, kapa arsyen…
E pra e vërteta qëndron, se arsyeja e ekzistencës sonë në këtë jetë nuk është sundimi në tokë dhe drejtimi i botës, edhe pse muslimani duhet të përpiqet që ta arrijë edhe këtë objektiv. Në fakt arsyeja e vërtetë për ekzistencën tonë është adhurimi i Allahut, i Cili thotë: “Nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit përveçse që të më adhurojnë” [Dharijatë: 56].
 
Pikërisht duke qenë se në kohën e problemeve dhe vështirësive, jemi më pranë Allahut sesa në kohën e triumfit dhe sundimit, për këtë Allahu i Lartësuar në saj të mëshirës së Tij karshi nesh, bën që koha e sprovave dhe krizave tona të zgjasë. Kështu vijojmë të jemi pranë Tij dhe të shpëtojmë, ndërsa kur mëkëmbemi në tokë, harrojmë adhurimin dhe mendojmë se aftësia për të vepruar i dedikohet vetëve tona, sprovohemi me dynjanë e kështu me radhë me sëmundjet e tjera të sundimit.
 
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai-Allahu ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, teksa kur ju jeni në anije, me të cilat bëmë të lundrojnë (udhëtarët) me anë të një ere të lehtë, gjë për të cilën ata janë të lumtur, ia beh një erë e fortë dhe ata nga të gjitha anët rrethohen nga dallgët e binden se janë të shkatërruar, (në një situatë të tillë) e lusin Allahun të kulluar në besim (pa i mveshur Atij ortakë, ndërmjetës a ndihmëtarë, duke i thënë:) “Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues! E kur Ai-Allahu i shpëtoi ata, ja, ata veprojnë mbrapsht në tokë, pa arsye. O ju njerëz! Kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj; është përjetimi i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne, e Ne ju shpërblejmë për veprimet tuaja”. [Junus: 22-23]
 
Të mençurit e kuptojnë, se qëllimi i adhurimit në fjalë nuk është vetëm namazi dhe agjërimi, por adhurimi real është programues i jetës..
Me adhurim këtu kemi për qëllim drejtimin korrekt kah Allahu, synimin e kulluar të Tij, mbështetjen e përsosur tek Ai, të qenit i varfër për Të, të punuarit me pasion dhe dashuri për Të, frikën prej një distancimi të mundshëm prej Tij, të shpresuarit e fuqishëm tek Ai, të pasurit frikë në vazhdimësi prej Tij..
Adhurimi i cili synohet është, që të jesh ashtu siç të ka urdhëruar Allahu, të jetosh ashtu siç Allahu do që ti të jetosh, të duash dhe të urresh për hatër të Allahut, lidhjet t’i vendosesh dhe t’i shkëpusësh vetëm për hatër të Allahut.. Bëhet fjalë për adhurimin, këtë gjendje superiore të besimit, në të cilën vlera e dynjasë gremiset, aq sa bëhet më e pavlerë se pikla e ujit në det, më e përçmuar sesa cofëtina e një keci veshëbrejtur..
Sa prej njerëzve, në periudhën e sundimit dhe mëkëmbjes, e arrijnë gjendjen brilante të adhurimit?!
Ata janë vërtet pak!
A nuk na alarmon ne i Dashuri ynë a.s. prej shtimit të parave, pasurisë dhe katandisë, kamjes dhe bollëkut, prej hapjes dhe zgjerimit të dynjasë?!
A nuk na thotë, duke na tërhequr vërejtje: “Për Allahun nuk ua kam frikën nga varfëria, por ua kam frikën t’ju hapet dynjaja siç iu hap atyre që ishin para jush, të garoni pas saj sikurse ata garuan dhe t’ju shkatërrojë sikurse i shkatërroi ata”?!
A nuk jemi ne ata që qëndrojmë më një, hamë bashkë, mendojmë dhe lodrojmë së bashku; e kur dikush nga ne arrin mbi karrigen e pushtetit, apo frerin e qeverisjes, i harron të vobektit që njihte dhe humbet nga sytë e “masës”, që qenë dashamirët dhe vëllezërit e tij?! A nuk na tërheq vërejtjen i Dashuri ynë a.s. nga kjo gjë, e përhapur në masë tek njerëzit, duke na thënë: “Atij që Allahu i Madhëruar i ka dhënë pushtet në një çështje të muslimanëve, e ndërkohë ai rri në prapaskenë, larg halleve, telasheve dhe nevojave të tyre, Allahu ka për t’iu fshehur atij dhe ka për të qenë larg halleve, telasheve dhe nevojave të tij”?!
A humbet nga sytë e Allahut i varfëri, i vobekti apo i pastrehu…?!
Jo.. Ai i cili do mbetet prapa perdes, është sundimtari, i pasuri, pushtetari. Mbërritja e tyre në objektivat që kanë, do të thotë izolim dhe humbje e tyre nga sytë e masës së gjerë të njerëzve. Ai person që ndodhet në këtë gjendje, do të privohet nga vështrimi dhe përkujdesi hyjnor. Vetëm Ditën e Gjykimit, në Amshim, ai do të ndërgjegjësohet se nëse do kishte vdekur para se të kishte pasur pushtet dhe fuqi vendimmarrje, kjo do kish qenë më paqësore dhe më lumturuese për të.. Por atë ditë kthimi pas në dynja është i pamundur… Shkoi koha e punës dhe erdhi koha e përgjegjësisë.
Do ta gjesh të sëmurin që në të shumtën e kohës të jetë pranë Allahut, teksa të shëndoshin do ta gjesh t’i kundërvihet Allahut, me mëkatet që bën…
Personin që ka humbur fëmijën apo të dashurin e tij, do ta gjesh që shumë t’i përgjërohet Allahut, të strehohet tek streha hyjnore; teksa ai që dëfrehet hareshëm prej pranisë së fëmijëve dhe dashamirëve të vet, as që e ndjen se kjo gjë është dhuntia e Allahut mbi të dhe ata…
Një person që ka rënë në telash, apo që ka humbur pas mureve të burgut, apo që është përzënë nga shtëpia dhe toka e vet, apo që është cenuar nga padrejtësia e fqinjit të tij, apo që pati për short të jetojë në kohë krizash e dobësish; e gjen pranë Allahut.. Por sapo ai e përmbush ambicien e tij dhe padrejtësia i qërohet nga kreshta e tij, sakaq harron Allahun, përveç një pakice fare të vogël njerëzish që Allahu i ka mëshiruar…
Mos ndoshta kuptimi i gjithë sa në fjalë është që të rendim pas dobësisë, varfërisë, sëmundjes dhe vdekjes?!
Kurrsesi, nuk është ky synimi. Jemi urdhëruar të derdhim mund, të jepemi pas punës dhe pasurimit, të kurohemi nga sëmundja, ta ruajmë jetën dhe të përkujdesemi për të.
Synimi është që të kuptojmë sensin dhe arsye e jetës. Të kuptojmë se arsyeja e të jetuarit është adhurimi, pastaj adhurimi dhe sërish adhurimi.
Kështu që nuk ka asnjë kuptimi të na kaplojë dëshpërimi dhe pesimizmi në kohët e dobësive dhe krizave, nuk ka asnjë kuptim të na humbasë shpresa, kur nuk jemi të mundshëm të vetëvendosim dhe sundojmë. Nuk ka logjikë të pikëllohemi dhe brengosemi, kur mbi ne pllakos varfëria, sëmundja dhe lëndimi…  Në të tilla rrethana – duke ditur se Allahu na kërkon t’i evitojmë ato –, jemi edhe më të predispozuar për adhurim, jemi më të bindur ndaj Allahut, më shpresues tek Ai; përndryshe do të bëhemi më të dobët në adhurim dhe do të distancohemi më shumë nga Allahu…
Ne nuk rendim pas fatkeqësive, por kur biem në to durojmë, nuk rendim pas tyre, por rënia e tyre nuk na indinjon, përkundrazi kënaqemi me to në kontekstin e qenies së tyre caktim hyjnor, që Krijuesi vendosi për ne.
Koha e cila na ikën për të arritur mëkëmbjen dhe sundimin, nuk është assesi një kohë e humbur. Përkundrazi, një kohë e tillë është ajo, në të cilën ne mësojmë dhe kuptojmë sensin e jetës, është tempi me të cilin ne e “adhurojmë” realisht Allahun e Madhëruar. E  sapo arrijmë objektivin tonë, ky sens fillon e zbehet e deri dhe humbet. Ne shndërrohemi në njerëz të tillë, që e adhurojmë Allahun me metodën që “ne pëlqejmë”, jo ashtu siç “Ai pëlqen”!… Thuaj po deshe “E adhurojmë Allahun sipas tekave”, ose po deshe të jesh më i përpiktë, thuaj “Adhurojmë tekat dhe pasionet tona”! Allahu i Lartësuar thotë: “A e ke parë atë, që për Zot të tij ka marrë epshin e tij, a ti do jesh garantues për të tillin?!” [Furkan: 43]
Për efekt të gjithë sa në fjalë, Allahu i Urtë, i Cili do që ne të përmbushim qëllimin e jetës, Allahu Mëshirues, që do shpëtimin dhe suksesin tonë; zgjodhi që periudha jonë e përgatitjes, sprovimit dhe rëndesës të zgjasë. Kështu ne s’na mbetet tjetër, përveçse të kënaqemi me zgjedhjen e Tij, për më tepër kjo zgjedhje e Tij duhet të na lumturojë, pasi Ai e bëri këtë vetëm nga dashuria e Tij për ne dhe nuk e fiksoi këtë ligjësi, vetëm nga mëshira që pati për ne.
Të nderuar vëllezër dhe motra! Le të meditojmë së bashku sa i përket rrjedhës së historisë…
Sa vjet jetoi Nuhu a.s. duke ftuar tek Allahut, sa u lodh dhe sa duroi; dhe në krahun tjetër sa vjet jetoi ai pas Tufanit dhe sundimit?!
Ç’dimë për historitë e Hudit a.s., Salihut a.s., Shuajbit a.s. apo Lutit a.s., sa i përket periudhës kur ata sunduan?! Ajo që ne dimë nga historia e tyre, është vetëm përgënjeshtrimi që popujt e tyre u bënë, vuajtjet e besimtarëve; teksa shpejtazi e rrëmbimthi vjen historia e fitores me përfundimet që na surprizojnë.
Përse Profeti ynë a.s. jetoi plot njëzetenjë vjet në gatishmëri, përpjekje të paepur dhe stërmundim për të arritur ngadhënjimin dhe sundimin; ndërsa si sundimtar jetoi vetëm dy apo pak më shumë vjet?!
Ç’dimë për sundimin e Musait a.s. apo Isait a.s. gjatë jetës së tyre?! Po për sundimin e Ibrahimit a.s., babait të profetëve?!
Historia e tokës riciklohet në kallëpet e modeleve profetikë, që përbëjnë modelet e “adhuruesve më perfekt” të Allahut “…ndaj me udhëzimin e tyre udhëzohu!” [En`am: 90].
Tanimë, pasi njohe sensin, pasi perceptove dhe kape arsyen, besoj se e more vesh se përse Umer ibn Abdul Azizi jeton vetëm dy vjet e gjysmë si sundimtar; e kuptove përse Imadudin Zenki vritet pas më pak se dy vjet mbas çlirimit të Ruhasë; pse Kutzi vritet pas më pak se një vit mbas fitores së tij të pavdekshme kundër tetarëve në Ajn Xhalut; pse u vra Eleb Erseleni pas më pak se dy vjet pas fitores historike të Meledhkredit, pse Salahudini “u kënaq” vetëm gati një vit me frytin e fitores së tij në Hitin, pas të cilit Akea ra sërisht në duart e kryqtarëve; pse Abdullah ibn Jasini, themeluesi i vatanit të llogores, as që e pa me sy sundimin; pse më i miri burrë i vatanit të njësuesve, Ebu Jakub Jusuf el Mensuri, vdiq pas më pak se katër vjet pas triumfit të tij të shkëlqyer në ngjarjen e Erikes?!
Episodet e këtilla janë të panumërta dhe që të gjithë orientojnë në faktin, se Allahu i Madhëruar deshi për këta adhurues të mëdhenj, që ata ta mbyllin jetën e tyre, duke qenë në piedestalet e adhurimit, para se adhurimi i tyre të përlyhej me dynjanë dhe të prekeshin nga sëmundjet e sundimit.
Ata e adhuruan Allahun vërtetësisht në kohën e përpjekjes, mundimit dhe kontributit; gjë për të cilën Allahu i shpërbleu me ndarjen nga dynjaja, para se të sprovoheshin nga stolitë e saj…
Dikush mund të pyesë: A s’ka pasur përgjatë historisë ndonjë mbret të mirë, që ka jetuar gjatë në dynja, që nuk është dhënë pas saj dhe as ka rënë viktimë e provokacioneve të saj?!
Të them: Po. Ka pasur të tillë, por kanë qenë vërtet aq pak, saqë mund të numërohen me gishta! Në mesin e profetëve gjejmë vetëm Daudin a.s. dhe Sulejmanin a.s., ndërsa sa i përket Jusufit a.s, historia e tij ishte prekëse dhe lotuese nga fillimi deri pranë fundit, ndërsa për sundimin e tij dimë fare pak. Ndërsa sa i përket udhëheqësve, liderëve dhe monarkëve që kanë jetuar gjatë, do gjesh vetëm një pakicë, që nuk i kalon gishtat e dorës. Këtu mund të përmendim: Harun Rashidin, Abdurahman Násirin, Meleshkehun dhe një pakicë veç tyre.
Kështu që përjashtimi në fjalë nuk e rrëzon principin që po përçojmë, duke qenë se vetë Allahu i Lartësuar thotë në Librin e Tij: “…Është e vërtetë se shumica prej ndërvepruesve (ortakëve) i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, por të tillët janë pak!…” [Sad: 24], pra sipas vetë citimit kuranor, ata që durojnë kundrejt sprovës dhe tundimit të dynjasë janë pak. Madje Allahu i Lartësuar na ka bërë me dije, se kur Ai do që ta shkatërrojë një komb, ia shton atij sundimin, gjë mbi të cilën Ai thotë: “Kur ata lanë pas dore atë me çka u këshilluan (përmes vërejtjeve hyjnore), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (prej mirësive për t’i ndjellur), derisa kur u hypi vetja në qejf me atë që u dhamë, ndëshkimi Ynë i kaploi befasishëm, e ata (u zhgënjyen dhe) mbetën të dëshpëruar” [Enam: 44].
Pikërisht falë kuptimit të këtij sensi dhe arsyeje, unë arrita të kap komentin real të shumë prej situatave të mahnitshme përgjatë historisë..
U ndërgjegjësova se përse Utbe ibn Gazuani r.a. i kërkoi me ngulm Umer ibn Khatabit r.a. që ta hiqte prej sundimit të Basrës; perceptova se përse Ebu Bekër Sidiku r.a. e shpenzoi të gjithë pasurinë e tij në Rrugë të Allahut; kuptova se përse Uthman ibn Afani r.a. e mbajti i vetëm mbi supe shqetësimin e përgatitjes së Ushtrisë së Usras, pa u kërkuar të tjerëve të mbanin përgjegjësinë e tyre në këtë; kuptova se përse Khalid ibn Uelidi r.a. hoqi dorë nga pozita e komandimit të ushtrisë triumfatore; kuptova se përse Ebu Ubejde ibn Xherrahu r.a. nuk u gëzua, kur u emërua në krye të një territori të madh si Shami; kuptova se përse u pikëllua Talha ibn Ubejdilahu r.a. në natën kur i erdhën shtatëqind mijë dirhem, si dhe kuptova se përse ai u gëzua pa masë, pasi u çlirua nga kjo dynja, duke ua shpërndarë të varfërve gjithë këtë sasi parash brenda po asaj nate.
U ndërgjegjësova për gjithë këtë, falë kapjes dhe perceptimit të kësaj arsyeje…
Për më tepër kuptova, se përse gjenerata e sahabeve u bë gjenerata më e mirë!
Kjo nuk qe vetëm sepse ata qenë bashkëkohës dhe shoqërues të Profetit a.s., por ishte sepse ata qenë personat, që e kuptuan më së miri sensin e jetës, ose e thënë ndryshe: ata qenë personat që më së miri e adhuruan Allahun; ndaj dhe me sinqeritet u angazhuan t’i qëndronin sa më në distancë dynjasë, parasë, mallit, sundimit dhe qeverisjes, andaj dhe nuk sheh në jetën e tyre mjerim kur ata i prek sëmundja, as brengë, as shqetësim dhe as pesimizëm kur persekutohen dhe keqtrajtohen, as pikëllim kur varfërohen… Të gjitha këto sprova ishin për ta shanse për adhurim, që iu mundësuan atyre dhe ata i shfrytëzuan, për tu bërë falë kësaj njerëzit më të denjë.
Kushdo që posedon botëkuptimin e tyre, do të lumturohet ashtu siç ata u lumturan, edhe në jetoftë në kohën e dobësisë! Ndërsa ai që nuk do arrijë ta kapë dhe kuptojë këtë arsye që ata perceptuan mbi jetën, ka për të qenë i humbur dhe i mjeruar, edhe në sundoftë tërë dynjanë.
Këtë fjalë ia kam drejtuar të gjithë atyre, që mendojnë se janë “të pashpresë”, për shkak se nuk posedojnë as mall, as para, as sundim, as paqe, as shëndet, as dashamirë…
U them atyre: Sihariq! Allahu jua ka trajtësuar shansin e adhurimit, ndaj shfrytëzojeni atë, para se të largohet sprova dhe belaja, për të ardhur pas saj kamja, e kështu të harroni Allahun dhe mjerë për atë që e harron. Allahu i Lartësuar thotë: “E kur njeriun e godet diçka e dëmshme, ai na lutet shtrirë, ulur ose në këmbë qoftë, ndërsa pasi Ne ia largojmë atij të keqen, vazhdon ecejakun e tij, sikur të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu u është zbukuruar shpërdoruesve ajo që veprojnë” [Junus: 12].
E lus Allahun të na bëj prej atyre që i kuptojnë drejt ligjet e Tij dhe e lus Atë që t’i bëjë  triumfatorë Islamin dhe muslimanët.
Shqipëroi: A. Torba

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit