7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Senatori amerikan: Suu Kyi duhet të ndalë krizën në Arakan

Më të lexuarat

“Aung San Suu Kyi ka kohë që është shpërfillëse ndaj çështjes së të drejtave të njeriut”, tha senatori amerikan Bob Corker

WASHINGTON (AA) – Liderja de-fakto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, e ka patjetër të veprojë në drejtim të dhënies fund të krizës në Arakan, deklaroi kreu i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Senatin amerikan, Bob Corker, raporton Anadolu Agency (AA).

“Aung San Suu Kyi ka kohë që është shpërfillëse ndaj çështjes së të drejtave të njeriut”, tha senatori Bob Corker në një deklaratë të shkruar.

Senatori amerikan thotë se Suu Kyi kishte një rast të shkëlqyer që të qëndrojë në mbështetje të minoritetit Rohingya në Mianmar, por në vend të kësaj ajo zgjodhi të shpërfillë rolin e ushtrisë në dhunën e cila po ndodhë aktualisht.

Komentet e tij u bënë vetëm disa orë pasi Suu Kyi pretendoi se nuk ka konflikt ose operacion ushtarak në shtetin Arakan të Mianmarit, përkundër raporteve të cilat flasin për banorë të cilët po braktisin rajonin.

Ajo tha se qeveria e saj do t’u lejojë qasje vëzhguesve ndërkombëtarë të vizitojnë shtetin e përfshirë nga konflikti.

“Si një figurë kombëtare, Aung San Suu Kyi duhet të demonstrojë lidership shumë më të madh në përpjekjet për të ndaluar gjakderdhjen ose rrezikun e shkatërrimit të reputacionit të saj si një forcë për progres të vazhdueshëm në Mianmar”, tha Corker.

Para marrjes së rolit të lideres, Suu Kyi fitoi çmime të ndryshme për punën e saj për të sjellë reforma demokratike në vendin e sunduar ushtarakisht, ndërkohë që kulminacioni i të arriturave ishte çmimi Nobel për Paqe. Megjithatë, trajtimi të cilin ia ka bërë krizës së fundit me komunitetin musliman, ka çuar në thirrje që t’i merret çmimi.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 200 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, lumit Naf ose rrugëve detare.

Që nga 25 gushti, mbi 400 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit