1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Sëmundja e Mendjemadhësisë

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falenderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!” (Ali Imran, 102)

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1)

“O besimtarë! Kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (Ahzab, 70-71)

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Unë do t’i largoj nga shenjat e Mia ata që do të jenë mendjemëdhenj pa kurrfarë arsye në tokë.” (Araf, 146)

“Dhe ata të cilët nga mendjemadhësia nuk duan të më përulen do të hyjnë, me siguri, në xhehenem të poshtëruar.” (Gafir, 60)

Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë se Allahu i Madhëruar thotë: “Madhështia është veshja Ime, ndërsa lartësia mbuloja Ime. Kush më kundërshton Mua në këto dy gjëra dhe synon t’i përvetësojë ato, do ta hedh në xhehenem dhe kjo nuk do të jetë aspak vështirë për Mua”.

Në një hadith tjetër i dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Në xhenet nuk do të hyjë asnjë që në zemrën e vet ka mendjemadhësi, madje edhe sa edhe një grimcë”. Pastaj një njeri pyeti: “Po njeriu që dëshiron që veshmbathja e tij të jetë e bukur?” Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) iu përgjigj: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është përbuzje e së vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve të tjerë”. (Muslimi)

Në bazë të të gjithë këtyre argumenteve nga Kurani dhe suneti i të dërguarit të Allahut, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) shihet qartë se mendjemadhësia është prej mëkateve, të cilat shkaktojnë hidhërimin e Allahut (subhanehu ue teala). Në veçanti, hadithi i fundit i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), në të cilin shpjegohet se çka ajo nënkupton, duke thënë se mendjemadhësia është përbuzje e së vërtetës, na bëhet e qartë se e vërteta është se të qenët i lartë është cilësi me të cilën mund të stoliset vetëm Allahu (subhanehu ue teala), e kursesi krijesat e Tij, siç është njeriu etj. Prandaj, Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) do të thotë se njeriu mendjemadh përbuz të vërtetën dhe i vesh vetes atë që i takon vetëm Krijuesit të tij.

Për të mësuar rrugët apo format në të cilat ajo manifestohet, ne do t’i përmendim disa prej tyre:

  1. Forma e parë, nëpër të cilën, më së shumti, përhapet mendjemadhësia është dituria. Ajo aq shpesh shfaqet tek disa dijetarë sa që mendojnë se kanë arritur kulmin e diturisë; si rezultat i kësaj, tek njerëzit e tillë paraqiten ndjenjat e vlerësimit dhe të nënvlerësimit të të paditurve.
  2. Në prejardhje dhe përkatësinë. Fakte të shumta historike na mjaftojnë të kuptojmë mbi këtë formë të shfaqjes së mendjemadhësisë. Ndarje në klasa të njerëzve çka, padyshim, Islami të gjitha këto i ka çrrënjosur. Na kujtohet, me siguri, hadithi i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) ku thotë: “Nuk ka dallim ndërmjet arabit dhe joarabit”. Gjithashtu, transmetohet rasti i Ebu Dherrit (radijallahu anhu) i cili tregon duke thënë: “Isha fjalosur para Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) me një njeri dhe, në formë fyese, i kisha përmendur nënën e tij, për çka Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u zemërua dhe tha: ‘O Ebu Dherr, tek ti kanë mbetur ende gjurmët e paganizmit. Ata janë vëllezërit e tu (pse i ofendon?)”.
  3. Në pasuri. Edhe kjo formë e shfaqjes së mendjemadhësisë ka historinë e vet të lashtë. Ta pasurit, duke pasur për qëllim se dallohen prej të varfërve, madje edhe t’i nënçmojnë, shfaqin mendjemadhësinë e vet. Arsyeja e ndalimit të tejkalimit të petkave të nyjave të këmbëve, është mendjemadhësia.
  4. Mendjemadhësia në lavdërim me numrin e ushtarëve, miqve, familjes etj. Përveç kësaj, dijetarët përmendin se mendjemadhësia mund të shfaqet edhe në ngritjen e kokës (në ecje), mënyrë e të folurit dhe ngritja e zërit gjatë të folurit, mënyra e ecjes, qëndrimit, të ulurit etj. Besimtari duhet të jetë modest në jetën dhe veprimet e tij dhe të largohet nga gjërat që mund ta shpijnë në mendjemadhësi. Do të mjaftonte të përmendim vetëm një shembull e që shpresojmë që të kemi dobi nga ky shembull.

Ibn Ebu Selemij ka thënë: “E kam pyetur Ebu Seid el Hudriun se çfarë duhet të jetë, apo si duhet të jetë një musliman në sjelljet e tij ditore e jetësore?” Ai tha: “O biri i vëllait tim, kur të hash, ha në emër të Allahut; kur të pish, pi në emër të Allahut dhe kur të vishesh, vishu në emër të Allahut, pasi në këto çështje mund të ketë hipokrizi, mendjemadhësi (kibër), mburrje dhe dëshirë për famë, e kjo është mëkat dhe teprim. Unë në shtëpinë time i kam kryer punë që i ka kryer edhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), ndërsa ai vet i ka mjelë delet, ka qepur rroba, ka ngrënë bashkë me shërbëtorin e tij. Ai vet shkonte në treg, dhe blinte çka i nevojitej dhe nuk turpërohej që në dorë mbante ndonjë send. Përshëndetej për dore me më të varfrit dhe të pasurit, i pari i jepte selam atij që e takonte, pa marrë parasysh të riun apo më të vjetrin. Sa herë që dikush e ftonte, ai i përgjigjej ftesës dhe askënd nuk e ka nënçmuar. Kishte karakter të qetë, ishte i sjellshëm, në shoqëri fytyrëqeshur, i ashpër, por i matur, modest dhe nuk lejonte të poshtërohet, bujar por jo shpërdorues; thënë më shkurt, ishte i ndjeshëm dhe i butë”.

Vëllezër të nderuar besimtarë!

E lusim Allahun (subhanehu ue teala) që të na bëjë prej të devotshmëve dhe prej atyre që pasi të dëgjojnë këshilla, nxitojnë të veprojnë sipas tyre!

 

Përgatiti: Shani Sylka

30.06.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit