0.1 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Sëmundja e devijimit dhe kura – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Si është e mundur që ka kaq shumë sekte dhe ndarje brenda një besimi fetar, madje edhe në mesin e muslimanëve, ndërkohë që ata besojnë të njëjtin libër, Kuranin, dhe i referohen po të njëjtëve libra, ku përcillet Suneti Profetik?

Arsyet dhe shkaqet janë të shumta dhe nuk është e mundur të përmenden të gjitha këtu, por për momentin ia vlen të përmendim një ndër kryesoret, ku përfshihen të gjitha këto ndarje, në përmasa të caktuara.

Dhe cila është kjo?

Mungesa e njohjes dhe kuptimit të të gjitha teksteve të shpalljes.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që për një bindje apo besim të caktuar, t’i referohesh ajeteve të caktuara dhe të lësh ajetet e tjera, të marrësh për bazë disa hadithe dhe të lësh disa hadithe të tjera, apo edhe të përdorësh qasje të ndryshme për tekste të ngjashme, ato që mbështesin bindjen e sektit merren fjalë për fjalë, ndërsa të tjera të ngjashme merren figurativisht, nëse nuk e mbështesin këtë bindje.

Të gjitha sektet, grupimet, rrymat, etj. pa përjashtim, që në një mënyrë ose në një tjetër i referohen disa teksteve të shpalljes dhe lënë mënjanë pjesën tjetër, janë të destinuara në një mënyrë ose në një tjetër të gabojnë, duke iu larguar të vërtetës së plotë të shpalljes, për një ose më shumë çështje. Në masën që ato e bëjnë këtë, shumë ose pak, konsiston edhe masa e devijimit të tyre.

Feja e Zotit është një, dhe shpallja e dhënë prej Tij është një. Kurani nga fillimi deri në fund është një, dhe duhet lexuar dhe marrë në konsideratë i tëri, si një fjali e vetme, pa bërë dallime mes tij. Po kështu, edhe Suneti autentik i Profetit (alejhi salatu ue selam).

Megjithatë, këtu lind me të drejtë një pyetje e rëndësishme: Po kur ajetet dhe hadithet në pamje të parë duket se kanë mospërputhje mes tyre, apo disa janë shumë të qarta dhe të përsëritura dhe disa të tjera nuk janë edhe aq të qarta, cila është rrugëzgjidhja?

Përgjigjja e parë është pikërisht ajo që thamë më sipër: leximi i plotë i shpalljes, qoftë Kuranit, qoftë Sunetit, sepse vetëm përmes leximit të plotë të tyre, bëhet më e qartë se nuk ka mospajtime mes tyre dhe bëhet e qartë se ku vlen secili ajet dhe hadith, dhe pse ato nuk bien ndesh mes tyre.

Pra, vetëm përmes njohjes gjithëpërfshirëse mund të kemi një panoramë të plotë të njohjes së Kuranit dhe koncepteve të tij dhe të Sunetit gjithashtu, sepse vetëm kështu e kemi shumë më të lehtë kuptimin gjithëpërfshirës të fesë. Dhe kjo njohje gjithëpërfshirëse të mundëson gjithashtu, të kuptosh edhe gabimin e atyre që shkëpusin copëza nga ky korpus unik dijeje, duke krijuar më pas sekte, apo qasje dhe interpretime të gabuara.

Allahu na e ka bërë të qartë në Librin e Tij, se copëzimi i shpalljes së Zotit, duke marrë prej saj diçka e duke lënë diçka tjetër, është lajthitje dhe humbje. Ai thotë në Kuran: “Atëherë a besoni vetëm një pjesë të Librit e tjetrën e mohoni?!” (el-Bekare: 85) Dhe këtu, Allahu i drejtohet jehudëve, sepse ata vepronin në këtë mënyrë, por kjo sigurisht vlen edhe për muslimanët, sepse kjo shkarje ndodh me të gjithë.

Po nëse edhe pas kësaj, përsëri ka tekste, të cilat ngelen të paqarta, si duhet t’i kuptojmë ato?

Ashtu si Allahu na ka mësuar në Kuran, kur thotë:

“Është Ai (Allahu) që ta zbriti ty (o Muhamed) Librin (Kuranin). Në të, ka ajete të qarta, të cilat janë baza e Librit. Në të, ka ajete të tjera, që janë jo krejtësisht të qarta.” (Ali Imran: 7)

Vini re me kujdes fjalët “të cilat janë baza e Librit”, sepse këtu qëndron përgjigjja për pyetjen e mësipërme. Në arabisht, fjala që është përkthyer në shqip si ‘baza’ është fjala أم (um), që në përdorim të përditshëm vjen me kuptimin ‘nënë’. Po përse është përdorur fjala ‘nënë’ këtu, me kuptimin bazë apo themel? Sepse ashtu si nga nëna lindin fëmijët, qofshin këta djem apo vajza, me tipare të ndryshme, të gjithë ata kanë të njëjtin burim dhe janë bijtë e saj, e kanë të njëjtat gjene dhe të njëjtën prejardhje. Pra, kjo do të thotë se ajetet e Kuranit që janë tepër të qarta, janë themeli, baza, apo janë nëna nga dalin edhe kuptimet e tjera të Kuranit, ndaj dhe ato nuk mund të kuptohen vetëm se duke iu referuar pikërisht këtyre ajeteve bazë dhe themel.

Shkurt: ashtu si një godinë nuk mund të qëndrojë në ajër pa pasur themele, ashtu dhe një ajet apo koncept kuranor jo shumë i qartë nuk mund të kuptohet, por vetëm se duke iu referuar dhe kthyer ajeteve bazë, themel apo nënë, dhe shpjeguar nën frymën e tyre.

Ky është rregull shumë i rëndësishëm, sepse moszbatimi i tij ka sjellë dhe sjell devijime të shumta, dhe është një nga dilemat që përdor djalli për të vënë në dyshim besimin e njerëzve, apo për t’i devijuar ata. Prandaj dhe Allahu vazhdon dhe thotë në po të njëjtin ajet, pas fjalëve që cituam më sipër:

“Por ata, zemrat e të cilëve anojnë nga e shtrembra, gjurmojnë ato që janë jo shumë të qarta, për të shkaktuar hutim, gjoja sikur kërkojnë komentin e tyre. Por, askush nuk e di domethënien e tyre përveç Allahut dhe dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij (Kuranit). Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë.” Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të mençur.”

Allahu këtu na tregon se domethënien e këtyre ajeteve jo shumë të qarta e di vetëm Allahu. Dhe sipas një këndimi tjetër të Kuranit, ndalesa bëhet pas fjalëve “dijetarët”, që do të thotë se domethënien e tyre e dinë vetëm Allahu dhe dijetarët e thelluar. Por në çdo rast, si ata që e dinë ose jo, domethënien e këtyre ajeteve, njerëzit e dijes pohojnë se të gjitha vijnë nga Zoti. Pra, ajo që thamë më sipër, se Kurani duhet lexuar si një i tërë, sepse i tillë është, si të ishte një fjali e vetme, duke mos lënë jashtë tij asgjë.

Ky ajet i përmbledh të dyja përgjigjet që dhamë këtu, sesi duhet shmangur copëzimi i kuptimit të Kuranit dhe vetë kuptimit të Islamit në fakt, duke qenë gjithëpërfshirës në kuptimet e tij dhe duke vendosur si referencë dhe bosht të kuptimit ajetet bazike tepër të qarta të tij.

Kështu pra, Allahu jo vetëm që na e ka zbritur shpalljen e Tij të qartësuar përmes vetë shpalljes, por Ai na ka dhënë edhe metodologjinë sesi ajo duhet kuptuar dhe interpretuar. E kush nuk e ndjek këtë rrugë të qartë, atëherë vërtet ai është njeri i humbur.

“Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Padyshim, Ti je Dhuruesi i madh.” (Al Imran:8)

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit