-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

SEKULARIZMI – PROPOZIM I KAMOTSHËM I KREUT TË MUNAFIKËVE

Më të lexuarat

Buhariu dhe Muslimi shënojnë se pejgamberi Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, njëherë kaloi pranë një tubimi ku kishte muslimanë, idhujtarë – adhurues idhujsh dhe hebrenj, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli (kreu i munafikëve – hipokritëve). I Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i përshëndeti me selam, i ftoi në fenë e Allahut dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubeji tha: “O njeri, s’ka më mirë se kjo që thua, po qe se është e vërtetë. Por, mos na shqetëso në tubimet tona dhe kthehu në shtëpinë tënde. Kujtdo nga ne që vjen te ti, mund t’ia kumtosh (fenë).”
Në qoftë se i kundroni fjalët e kreut të munafikëve, Abdullah ibn Selulit, do të gjeni se ato përkojnë plotësisht me sekularizmin, meqë sekularizmi thërret në ndarjen e fesë nga jeta e përditshme, sikurse edhe fjalët e këtij munafiku. Fjala që ia tha të Dërguarit të Allahut: “Kthehu në shtëpinë tënde” është pikërisht baza e sekularizmit, gjegjësisht mendimi se feja duhet të kufizohet në faltore dhe në shtëpi, në mënyrë që në botë të mos përhapet nuri i fesë e të ndriçojë pastaj errësirat në fusha të ndryshme të jetës, qoftë në aspektin ekonomik, politik, shoqëror a në aspekte të tjera.
Thënia e tij: “Kujtdo nga ne që vjen te ti, mund t’ia kumtosh (fenë)” është pikërisht liria e mbajtjes së fesë, me të cilën mburren sekularistët, të cilët thonë se njeriu është i lirë të zbatojë dhe të kumtojë fenë në shtëpinë e vet, porse nuk ka të drejtë, sipas tyre, të kumtojë fenë në vende publike (e institucione sh.p.). Madje propagandimi i fesë në vende publike konsiderohet krim sipas botëkuptimit të munafikëve, meqë një gjë e tillë llogaritet shqetësim i njerëzve, gjë që përkon plotësisht me thënien e kryemunafikut: “Mos na shqetëso në tubimet tona”. Ai e konsideronte kumtimin e fesë së Allahut në mënyrë të hapur bezdisje e shqetësim që konsiderohet krim, i cili duhet penguar patjetër. Kjo vërehet qartë edhe në sjelljen e sekularistëve, të cilët e konsiderojnë thirrjen e njerëzve në fenë e Allahut krim, edhe nëse thirrësi thërret me urtësi e fjalë të mira, siç e kërkon feja, sepse sipas sekularistëve feja nuk duhet t’u kumtohet fare njerëzve.
Subhan-Allah! Sa shumë ka ngjashmëri ndërmjet munafikëve të moçëm dhe atyre bashkëkohorë! Përgëzojmë sekularistët që atyre u bashkëngjitet edhe njëri ndër armiqtë më të mëdhenj të Allahut!
Allahu e shkatërroftë sekularizmin! Sa i çuditshëm që është! Krerët e tij bashkëkohorë ateistët perëndimorë e lindorë, kurse i pari i tyre kreu i munafikëve!
Allahu ynë, përmirësoje gjendjen e këtij umeti, bëji pasues të rrugës së Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem!) dhe ruaji nga kurthet e munafikëve të hapur e të fshehur!

Dr. Abdullah ibn Abdul-Aziz el Ankariu
Përktheu: J. Kastrati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit