4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Sekti i Devijuar – SHIA

Më të lexuarat

Bashkohuni ju të gjithë rreth litarit të Allahut e mos u përçani… (Ali Imran, 103).

Ndërkaq Muhamedi a.s. thotë: “Jehuditë u ndanë në 71 grupe, të krishterët në 72, e ndërkaq muslimanët do të ndahen në 73 grupe, që të gjitha këto do të jenë në zjarr, përveç njërit, a ai është Xhemati, apo rruga në të cilën jam unë dhe shokët e mi”. (Tirmidhiu)

Mësimet e fesë islame janë një dhe të pandara prej njëra-tjetrës. Ato nuk përbëjnë ndarje a divergjenca të ndryshme, por të gjithë këto ndarje i kanë shkaktuar grupe të ndryshme pseudoislame përgjatë historisë, të cilat, sa ma shumë që janë larguar prej burimeve të fesë, Kuranit dhe Hadithit, aq ma shumë kanë lajthitur drejt humbjes dhe devijimit të rrugës së drejtë. Pa dyshim që njëri prej këtyre grupeve të devijuara janë Shiiat, të cilët, duke pandehur se janë përkrahës të familjes së Muhamedit a.s., me apo pa vetëdije devijuan aq thellë, saqë e shtrembëruan rrugën e fesë së pastër islame. Kjo, nuk do mend, edhe po të krahasohet përqindja e tyre që nga fillimi e deri më tani, e ata përbëjnë një pakicë absolute të Ymetit islam, më pak se 10 %, ndërkohë që shumica absolute e muslimanëve apo mbi 90 % janë sunnij. Armiqtë e fesë Islame, pasi pësuan disfatë frontale përballë muslimanëve, filluan të përdornin një metodë paksa më moderne apo praktike, futjen e përçarjes në mesin e muslimanëve përmes mospajtimeve rreth mësimeve të fesë. E që të realizohej kjo gjë, nuk do mend se druri duhet çarë me pykën e vet, kështu që filluan përpjekjet e para qysh pas vdekjes së Muhamedit a.s. se kush do të ishte udhëheqësi pas tij. Mynafikët në krye me Ibn Sebein si dhe një pjesë e muslimanëve të tradhtuar prej tij, menduan se ai që duhet ta trashëgonte Muhamedin a.s., duhej të ishte nipi i tij, Aliu r.a.. Kështu, përmes dashurisë jo të sinqertë ndaj familjes së Pejgamberit a.s., ata përjashtuan të gjithë ashabët e merituar, duke i quajtur si zullumqarë, hipokritë, mashtrues etj., Zoti na ruajttë nga fjalët e tyre. Kjo ishte vetëm një si hyrje e shkurtër për të vazhduar më tej me të dhëna paksa më të gjera rreth këtij grupi të devijuar që i atribuohet Islamit, e që në fakt ka të bëjë me të fare pak.

Kuptimi gjuhësor i fjalës- Shii- apo Shiatu.

Shiat janë një grup njerëzish që pasojnë njëri-tjetrin. Sa i përket emërtimit të grupit, këto të dyja i përshtaten të njëjtit kuptim dhe të njëjtit program. Ata konsiderohen përkrahës, ndihmës, pasues, prandaj gjuhësisht themi përkrahësit e filan njeriut, mbështetës dhe ndihmës të tij.
Thotë Allahu xh.sh. në nj; ajet kuranor: “Prej përkrahësve të tij ishte Ibrahimi”. (Es-Safat,83). Ibn Mendhuri- Shiat janë një popull që bien në ujdi rreth një çështjeje. Ata janë pasues dhe përkrahës të një personi të caktuar. Por, ky emërtim -Shia- si zakonisht përdoret për atë që mbështet Aliun r.a. apo dikë prej familjes së tij.(1)

Kuptimi terminologjik.

Ebul Hasen Eshariu – 324-h. Shiat i definon në këtë mënyrë: “Secili person që pason Aliun r.a., e përkrah dhe mbështet atë, duke i dhënë atij përparësi ndaj
Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit apo edhe ndaj të gjithë ashabëve, ai person quhet shii”.(2) Ndërkaq Ehli Syneti e mbështesin, pasojnë dhe përkrahin Aliun r.a., si Halifeja i katërt pas Muhamedit a.s., si zbatues të Kur’anit të madhëruar dhe Synetit të Pejgamberit a.s., por një kohësisht duke pranuar edhe udhëheqjen e Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Mirëpo Ehli Syneti nuk i japin përparësi atij ndaj ashabëve të tjerë, sidomos jo ndaj udhëheqësve para tij.(3)
Ibn Hazmi El Endelusi, lidhur më emërtimin e tyre, thotë: Kush pajtohet se Aliu r.a. është personi më i mirë pas Pejgamberit a.s. dhe që është më i merituari për udhëheqje pas tij, e më pastaj djemtë e tij e kështu me radhë, ai person konsiderohet shii.(4)
Mendim të ngjashëm me këtë ka shfaqur edhe dijetari i famshëm – Shehristani, veçse ai thekson që ekziston edhe një kusht për të qenë shii, e ai është Imameti, i cili konsiderohet si bazament i fesë, dhe, si i tillë, erdhi tekstualisht nga Pejgamberi a.s.. Kështu mendojnë Shiat.(5)

Formimi i Shiizmit

Historianët përmendin shkaqe të ndryshme, që ndikuan në fillet e formimit të shiizmit, e ato mund t’i përkufizojmë në këto etapa: Formimi i Shiizmit daton qysh në kohën e Pejgamberit a.s., ose pas vdekjes së tij. Ky sekt u formua në betejën e Deves, dhe pas kohës së marrëveshjes në mes Aliut r.a. dhe Muaviut.(6)
Këto janë tri prej periudhave kryesore rreth të cilave sillet tërë historia e formimit të shiizmit. Disa dijetarë perëndimorë, si Prof. Doze, konstatojnë: “Drejtimi shii në esencë është persian; kjo sepse arabët besojnë në liri,kurse persianët mbështesin më shumë monarkinë apo trashëgiminë e familjes së mbretit”.(7)
Ata nuk e njohin mënyrën demokratike të zgjedhjes së udhëheqësit. Pejgamberi a.s. kaloi nga kjo botë dhe nuk la trashëgimtarë a djalë, prandaj njeriu më i merituar, sipas tyre, ishte Aliu r.a.. Ata që e morën pushtetin para tij, sipas tyre, konsiderohen si rrëmbyes apo diktatorë. Persianët u mësuan me shenjtërinë e perandorit, prandaj trajtuan kësisoj edhe Aliun r.a. dhe bijtë e tij, duke thënë: “Nënshtrueshmëria ndaj udhëheqësit është obligim dhe nënshtrimi ndaj tij është nënshtrim ndaj Allahut”.(8)
Kjo gjë mund të argumentohet edhe më shumë duke pasur parasysh faktin se shiat e parë ishin nga Persia. Gjithashtu disa dijetarë të tjerë perëndimorë përmendin se shiat morën nga feja jehudite më shumë sesa nga ajo islame, duke argumentuar se Abdullah ibn Sebe ishte i pari që bëri thirrje për shenjtërinë e Aliut r.a.. Nuk do mend, të gjithë e dimë se Ibn Sebbe ishte jehudi
i konvertuar falso në Islam.(9)
Ky vlerësim i këtyre dijetarëve rreth ndikimit të Jehudizmit në drejtimin shii, shpie në konstatimin se shiizmi konsiderohet si një pasqyrim i besimeve të vjetra politesite, si Budizmi, Hinduizmi, po vetëm i mbështjellë me petkun islam. Mendim të ngjashëm më këta dijetarë evropianë kanë edhe Ibn Hazmi dhe Esh’abiu, i cili, lidhur me këtë çështje, thotë: -Shijat janë jehudët e këtij Ymeti.
Ndërkaq ibn Hazmi thotë: – Shiat e trasuan rrugën e jehuditëve, të cilët kanë thënë se Iljasi a.s. dhe Fenkasi janë ende gjallë. Këtë gjë ndoqën edhe disa sufistë, që menduan se Hudejri dhe Iljasi janë ende gjallë. Por, me thënë të vërtetën, nuk mund të konsiderohen vetëm këto elemente si shkaqe të formimit të shiizmit. Një gjë duhet të cekim, se lufta për pushtet ka qenë gjithmonë
e pranishme, me përjashtim të Katër Halifëve të Drejtë. Kështu, edhe shtypja e vazhdueshme e familjes së Aliut r.a., pra Ehli- Bejtit, nga ana e pushtetit të emevitëve, pati ndikim të madh në formimin e këtij grupi devijues. Vetëm që duhet cekur një gjë: Familja a pasardhësit e Pejgamberit a.s. nuk kishin bindje të tilla siç kanë shiitë sot. Ata ishin njerëz të devotshëm, të cilët pasonin me përpikëri rrugën e Muhamedit a.s..(10)

Grupet kryesore të shiave

Ndër grupet kryesore të shiave, janë këto: Gulatu Shia, Imamije- Ithna Asherije, Batinije-Ismailije, Karamita, Druuz, Zejdije. Këtu, përjashto grupin Zejdijje, të cilët në të gjitha aspektet janë më afër sunive se sa shiive, mirëpo në çështjen e imametit kanë mendim të njëjtë për t’i dhënë përparësi Aliut r.a., përveçse këta nuk fyejnë apo nënçmojnë ashabët e tjerë, përfshirë këtu edhe Halifët e Drejtë.
Për sa u përket grupeve të tjera, mendimet e përgjithshme të tyre sillen rreth këtyre çështjeve, të cilat, padyshim, e largojnë njeriun nga feja e pastër islame: – Se Xhibrili a.s. gaboi kur ia dërgoi shpalljen Muhamedit a.s.. Ai është dashur t’ia shfaqte Shpalljen Aliut r.a., porse këtu Muhamedi a.s. i ka përngjarë shumë Aliut, prandaj paska ndodhur gabimi nga ana e Xhibrilit.
(Sekti- Gurabije). – Se Zoti është personifikuar në Aliun, kështu që filluan ta thërrisnin Aliun r.a., duke i thënë: Ti je zoti. Aliu r.a. vendosi t’i digjte në zjarr për këtë dalje nga besimi.
– Se vetëtima është zëri i Aliut, murmurima – të qeshurit e tij dhe, kur dikush nga Sebeit dëgjon vetëtimën, thotë: Selami qoftë mbi ty, o Emir i besimtarëve.
– Elementi i fshehtësisë- apo shfaqja me gjërat që nuk i mendojmë, apo, siç quhet në gjuhën arabe- Tekijje.
E kjo do të thotë të paraqitesh ashtu sikur nuk je në realitet, pra hipokrit.
Duhet ta dimë se elementi i fshehtësisë në çfarëdo feje qoftë, dhe sidomos të shiat, është argumenti më i qartë i pavlefshmërisë së saj. Fshehtësia nuk njeh tjetër përveç errësirës, kështu që apostrofimi me simbole nuk ka qëllim tjetër përveçse humbjes, gënjeshtrës, falsifikimit dhe mashtrimit. Islami refuzon lëvizjen në errësirë, ai zbulon hapur besimin, adhurimin, sjelljet, etikën, duke
kërkuar nga të gjithë njerëzit të hynë në fenë e Allahut Një dhe të Vetëm.(11)
Këto janë disa prej mendimeve të gabuara të këtij sekti shkatërrimtar, që iu vesh Islamit, që e lakoi rrugën e tij në shërbim të djallit. Ndaj shtrohet pyetja:
Kur të gjithë e dimë se Muhamedi a.s. ka thënë: – Ymeti im nuk bashkohet apo nuk bie në ujdi në rrugë të gabuar- atëherë si është e mundur që një minoritet i Ymetit të jetë në rrugë të drejtë, e shumica absolute ta kenë gabim? Fundja, që prej kohëve të hershme, shiizmi si grupacion politik, më shumë sesa fetar, dhe deri më sot, Ymetit islam nuk i solli kurrfarë dobie, përveçse devijim, lajthitje, dhe shkatërrim. Na mjafton ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, si në Siri, Irak, Liban etj..

_____________________
1) Ibn Mendhur- Lisanul Arab- kuptimi i fjalës shiia.
2) Buhuth fil firekil islamijeti- f. 6 Dr. Muhamed Enver Hamid Isa,
Kajro, 1995).
3) Po aty.
4) (El Fasl Fil Milel vel Ehvai ve-nihal,
pjesa e 4.
5) Elmilel ve Nihal- f.147, pjesa1- Shehristani).
6) Buhuth fil Firekil Islamije- Dr.Muhamed Enver Hamid Isa-po
aty f. 8- Kajro.)
7) Muhamed Ebu Zehre- Terihul Medhahibul Islamijeti- Kajro- f 35).
8) Fexhrul Islam- prof.dr. Ahmed Emin).
9) ElImam Muhamed ebu Zehre-Terihul- medhahibul Islamijeti f.32- Kajro .
10) Terihul medhahibul islamijjeti- 203.
11) Po aty

Mr. Adnan Bërbatovci
DituriaIslame 285

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit