1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Sekspërgjimi dhe feministet e shtirura që mbrojtën Ermirën

Më të lexuarat

Andi BUSHATI

Regjistrimi audio i dy politikanëve të lartë shqiptarë në Maqedoni, ende i pavërtetuar nëse është autentik apo jo, ka nxjerrë nga strofkulla e tyre një luzmë “feministesh” tarallake dhe fallco. Me pathos qesharak, me protagonizëm pa mend në kokë, me militantizëm që ka humbur rrugës thelbin, ato janë sulur të mbrojnë deputeten shqiptare Ermira Mehmeti.

E njoh pak Mehmetin dhe kam respekt për të. I kam parë shfaqjet e saj televizive, studimet që ka kryer dhe qëndrimet politike që ka mbajtur, shpeshherë edhe në kundërshtim me vijën e forcës së saj politike (BDI) prandaj jam i bindur se ajo qëndron shumë më lart sesa bibat e çartura që u hodhën në sulm për ta mbrojtur.

Ajo nuk ka nevojë për to.

Eshtë e vërtetë se ajo u gjend viktimë e një përgjimi që dëshmonte shumë detaje intime, të cilat do ta vinin në pozicion të vështirë secilin prej nesh. Kujtdo që t’i dalin në shesh regjistrime, përgjime, foto private qoftë dhe nga momentet e tij më të pafajshme, do të gjendej në një pozicion të vështirë dhe aspak komod.

Por çështja e sekspërgjimit maqedonas nuk është aspak ajo e respektit apo denigrimit të një gruaje, e përdhosjes apo jo të një nëne, e një shoqërie që mban të ngritur kultin e dhunës ndaj “seksit të dobët”, apo që e dënon atë.

Jo, kjo nuk ishte një fushë beteje e feministeve fallco.

Sepse, ajo që ndodhi ishte një aferë politike, që nuk u kurdis për të goditur një grua, por për të goditur dy politikanë shqiptarë.

Dhe si e tillë ajo përbënte objekt diskutimi për tjetër gjë.

Pyetja e parë që shtrohet ishte: A duhej publikuar apo jo?

Këtu idetë janë shumë të ndara. Nëse ishte thjesht për shantazh, absolutisht që jo. Duke mos qenë të sigurtë për këtë, ne të Lapsi.al, pas një diskutimi redaksional, morëm vendimin, për ta hequr nga botimi.

Por, në rast se ajo ndriçonte një situatë politike, pra në rast se tregonte se si zgjidhen, mbështeten dhe promovohen deputetët e një force politike, atëherë çështja merr interes publik dhe ajo është e botueshme. Atëherë, kjo aferë nuk ka të bëjë më me sferën private. Fakti se në atë përgjim nuk flitej vetëm për një grua dhe një burrë, por edhe për një zv/kryeministër dhe një deputete, e komplikon situatën.

Pyetja që shtrohet është: nëse ne kemi sot një rast të ngjashëm të Edi Ramës me një deputete apo ministre të tij, a duhet ta publikojmë apo jo? Nëse do të kishim pasur dje të njëjtën situatë me Sali Berishën dhe gratë e tij të pakta politike, a duhet të kishim bërë të njejtën gjë?

A është zhvillimi i karrierës përmes seksit, dhe jo meritokracisë, një temë po aq e diskutueshme, sa edhe ngjitja në hierarki, përmes nepotizmit, korrupsionit dhe lidhjeve të tjera okulte?

Dilema e dytë që ngjall diskutim është ajo nxjerrjes së imtësive të sekspërgjimit në media, pra ajo e kufirit  tejet të hollë mes sëmundjes së vuajerizmit nga njëra anë dhe raportimit të elementëve që mbështesin një të vërtetë.

Për disa, nxjerrja e detajeve të asaj bisede me sfond të theksuar seksual, rrjedh nga dëshira për sensasion, nga çmenduria për të mbledhur klikime, nga frenezia për të shtuar leximet.

Ndërsa për të tjerë, që mendojnë krejt ndryshe, raportimi   i detajeve në këtë rast është i nevojshëm, sepse ato janë elementë të shtuar që vërtetojnë jo dëshirën për “scoop”, por konfiktin e interesit.

Kështu, si ky grupim i dytë, janë sjellë shumë nga kolegët tanë amerikanë në çështjen Monika Levinski, të cilët nuk u mjaftuan  vetëm me faktin nëse kishte gënjyer apo jo nën betim presidenti Klinton, por shkuan deri në imtësitë e seksit të tij oral.

Po kështu janë sjellë edhe fqinjët tanë përtej Adriatikut, që nuk u mjaftuan të raportonin nëse kryeministri Berluskoni kishte shkelur apo jo ligjin, por raportonin deri në hollësi trimëritë e shtratit të tij, prej nga kalonin modele të panumërta.

Pra, kufiri prej filigrani mes “të ndershmëve” dhe “mëkatarëve” që ngjallte rasti i publikimit të sekspërgjimit të dy politikanëve shqiptarë në Maqedoni, mund të ishte temë e madhe debati dhe këtej në anët tona. Me të gjithë argumentet pro dhe kundër që ai ngërthen brenda vetes.

Por këtë mundësi e përdhosën dhunshëm një tufë feministesh injorante që, duke hyrë brutalisht në këtë butik qelqurinash, nxituan të imponojnë një debat tjetër: atë të nëpërkëmbjes së një gruaje.

Në fakt debati i tyre është idiot dhe i pavend.

Së pari, sepse në këtë aferë nuk u godit Ermira- grua, por Mehmeti- politikane.

Së dyti, sepse ajo nuk qe vetëm. Po ta shikosh ngjarjen në tërësinë e saj, Ermira aty supozohet se flet me një burrë. Ai është Musa Xhaferri. Ai është familjar, ndërsa Mehmeti beqare. Ai ka një post të lartë shtetëror dhe në parti është hierarku i deputetes. Pra nga kjo pikpamje, publikimi i kësaj ngjarjeje dëmton atë shumë më tepër. Ai rrezikon familjen si pasojë e adulterit. Ai rrezikon edhe karrierën pasi veprimi i tij mund të etiketohet si shfrytëzim posti.

Pra, nëse shikohet nga ky kënvështrim, çmimi që paguan Xhaferri, zv/kryeministër dhe i martuar, është shumë më i madh se ai i Ermirës, grua e lirë dhe deputete.

Në rastin më të mirë, kryqëzimi më i madh rëndon mbi të dhe në rastin më normal, ata janë të prekur në mënyrë të barabartë.

E di që këtu luzma e feministeve të çartura do të reagojë. E ndjej pas këtyre argumentave nënqeshjen e tyre dhe pyetjet që u rrjedhin lumë: Po pse njësoj është? Po a e ke parasysh mjedisin shqiptar? A e ke parasysh Çairin e Shkupit nga i cili Ermirës do t’i duhet të kalojë? A jeton këtu, apo bën enkas sikur nuk e kupton se si gjykohet gruaja në këto raste?

Natyrisht e di, që shumë nga feministet mendjelehta nisen nga kjo vorbull pikpyetjesh kur marrin shpatën për të mbrojtur raste si ky i Ermirës.

Por, pikërisht për këtë ato janë gabim.

Sepse të nisesh nga kjo premisë, është njësoj sikur të pranosh automatikisht ekzistencën e seksit të dobët, të pranosh Ermirën më vulnerabël dhe më të cënueshme se “një mashkull”. Eshtë të pranosh apriori se ajo nuk qenka e barabartë dhe se ka nevojë për më shumë mbështetje sesa politikani burrë me të cilin u gjend në të njëjtin hall. Paradoksalisht ato që e mbrojnë Ermira Mehmetin, nga ky këndvështrim, e përdhosin atë dyfish, më shumë sesa ata që donin ta linçonin si politikane.

Duke e njohur pak Mehmetin dhe duke i çmuar qëndrimet e saj publike, jam i bindur se asaj duhet t’i vijë turp nga këto lloj mbrojtësesh. Kam bindjen e thellë se po aq sa duket një grua e fortë që di të përballet me komandantët e partisë së vet, po aq mund të jetë një grua e lirë, që i ka flakur komplekset seksuale dhe që di të jetojë jetën që i pëlqen.

Ndaj ta mbrosh atë duke e trajtuar si viktimë vetëm sa e dëmton.

Ermira Mehmeti u gjend në këtë skandal,  të vërtetë apo të trilluar, jo për hir të seksit, por për hir të detyrës që kryen, njëlloj si Musa Xhaferri.

Prandaj dhe fallciteti i vajzave trendy të Tiranës dhe i atyre meshkujve që u shkojnë nga pas, për ta shndërruar atë në kauzë të feminizmit lokal, është qesharak. Eshtë dëshirë idiote protagonizmi dhe kacavjerrje pas një beteje të rreme.

Pikërisht për këtë, nxitimi për të mbrojtur Ermirën për rastin e gabuar, vjen erë të keqe. /Lapsi.al/  

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit