-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Sekreti i jetës është që Allahu të jetë gjithmonë në mendjen tuaj

Më të lexuarat

Sekreti i jetës nuk është në profesionin dhe punën të cilën e punoni, por në faktin që Allahu të jetë gjithmonë në mendjen tuaj.

I Dërguari i Allahut (savs), një herë u tha shokëve të tij: “Allahu nuk dërgoi asnjë të dërguar, që nuk ishte bari delesh.” Ata thanë: ‘Kurse ti, o i Dërguari i Allahut?’Ai u përgjigj: “Po, edhe unë, gjithashtu, i kam ruajtur delet e banorëve të Mekës me pagesë.”

I Dërguari i Allahut (savs) e pëlqeu që njeriu të kishte zanat dhe profesion nga i cili do të fitonte dhe do ta mbante veten dhe familjen e tij, kështu që ka thënë: “Askush nuk mund të hajë ushqim më të mirë sesa atë që e fiton me duart e veta. Davudi (a.s.), ka jetuar nga puna e tij.”  Ai, gjithashtu, ka thënë: “Zekerija (a.s.), ka qenë zdrukthëtar.”

Hazreti Omeri (r.a.), ka thënë: “Nganjëherë takoj ndonjë njeri që më mahnit me pamjen e tij, kështu që e pyes: ‘A ke ndonjë profesion apo zanat?’, nëse më thotë ‘jo’, ai menjëherë bie në sytë e mi.”

“Dëshmia e madhështisë dhe lartësisë së Allahut është, se Ai ka bërë që njerëzit të jenë varur nga njëri-tjetri, kështu që mjeku ka nevojë për marangozin, farkëtari ka nevojë për fermerin, tregtari i pasur ka nevojë për punëtorin me mëditje, ndërkaq, të gjithë kanë nevojë për bukëpjekësin.”

“Secili biznes i cili sjell të ardhura hallall është biznes fisnik, dhe pronari i tij meriton respekt, sepse përpiqet të fitojë për veten e tij dhe familjen e tij dhe të mos varet nga njerëzit e tjerë.”

“Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe nëse njeriu kërkon një punë prestigjioze dhe dëshiron që fëmija i tij të bëhet mjek, jo bukëpjekës, inxhinier dhe jo këpucëtar, por problemi është se ai e përbuz dhe e shikon me përçmim bukëpjekësin dhe këpucarin kur të bëhet mjek.”

Qëllimi i profesionit është fitimi i parave dhe sigurimi i jetesës, jo të bëhet dallimi mes njerëzve. Është e vërtetë, që disa profesione sjellin prestigj shoqëror më shumë se të tjerët, dhe se njerëzit i shohin pronarët e tyre me një ndjenjë respekti, por është keqkuptim i jetës, nëse maten njerëzit sipas profesioneve të tyre dhe nëse vlerësohen në bazë të pozitave që zënë dhe parave që fitojnë.

Prandaj, mos të kemi turp për profesionin tonë, për sa kohë që e fitojmë bukën hallall. Le ta ngremë kokën dhe të krenohemi me veten tonë. Rrobat tona të ndotura të punës nuk janë turp, është turp të veshim rroba të pastra dhe elegante, kurse zemrën ta kemi të ndotur dhe pasurinë ta kemi të fituar në mënyrë haram.

Duart e mbushura me plagë, për shkak të goditjeve të shumta gjatë punës, janë dëshmi e vetëbesimit, pas besimit tek Allahu, kurse duart e ndotura nga ngjyra, nga yndyrërat dhe pluhuri janë dëshmi e heqjes dorë nga papunësia, ngurrimi dhe dembelizmi.

Sekreti i jetës nuk është në profesionin dhe punën të cilën e punoni, por në faktin, që Allahu të jetë gjithmonë në mendjen tuaj, që të punoni ashtu siç ka urdhëruar Ai, dhe siç është i kënaqur Ai në cilindo profesion. Sepse, në jetë do të takojmë doktor të sinqert dhe të ndershëm, por edhe zdrukthëtar mashtrues, do të takojmë inxhinier i cili është i prirur për ryshfet dhe korrupsion, por edhe nëpunës komunal të ndershëm. Allahu nuk do të na pyesë për profesionin tonë, por për mënyrën se si punojmë në profesionin tonë.

“Më i urrejtur është njeriu që regjistrohet në fakultet, pastaj ka turp për profesionin dhe karrierën e ultë të babait të vet, në vend se të krenohet me babanë dhe profesionin e tij, i cili arriti ta dërgojë në fakultet.”

Disa ditë më parë, lexova për një vajzë krenare, e cila diplomoi në fakultet, të cilën e luti babai i saj, që të mos i tregonte askujt se babai i saj është punëtor i shërbimeve komunale, përkatësisht pastrues i rrugëve. Mirëpo, ajo i veshi rrobat solemne të diplomimit dhe shkoi në vendin e punës të babait të saj dhe i kërkoi një punëtori që ta fotografonte duke e puthur babanë në kokë. Më pas ajo postoi foton në mediat sociale, dhe poshtë saj ajo shkroi: “Ky është një njeri i madh – ky është babai im!” (Edhem Sherkavi)

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit