1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Së pari besimi (1)

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar muslimanë!
Para së gjithash do të flasim për akiden (besimin), që të njihemi së pari me besimin e drejtë. Ajo që më shtyu të flas për akiden është sepse ju dua për hir të Allahut të Lartësuar. Është me rëndësi të flitet për besimin e drejtë për disa arsye. Në vazhdim po cekim disa prej tyre:
-këshilla është e domosdoshme për muslimanët. Ajo duhet të jepet nga hoxhallarët, nga studentët e dijes dhe nga besimtarët e sinqertë. Dini islam është këshillë dhe kjo duhet të bëhet për hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij;
-Allahu i Lartësuar krijoi krijesat, zbriti librat dhe dërgoi Pejgamberët që t’ia mësojë njeriut adhurimin e drejtë të Allahut.
-moskujdesi i nevojshëm mbi parimet themelore të besimit islam, duke e konsideruar si çështje dytësore.
-mosndikimi i besimit në jetën e shumicës së muslimanëve.
-kërkesa e armiqve të Islamit, që të mos i kushtohet rëndësi shkencës së besimit.
-përhapja e bidateve, e risive dhe shirkijateve.
-botëkuptimi i shkencës së besimit vetëm si shkencë teorike duke e përzier me metoda dialektike dhe filozofike.
-përparimi dhe ngritja e muslimanëve arrihet vetëm duke mësuar së pari besimin.
-mosnjohja e shumë parimeve bazë të besimit islam nga një pjesë e madhe e muslimanëve.

Dëshiroj t’jua prezantoj akiden e drejtë islame në formë të lehtësuar, në mënyrën më të lehtë me të vetmin qëllim që ta njohin muslimanët dhe të jetë më e lehtë për ta kuptuar.
Boshti i hytbes së sotme do të shtjellohet në këto pika:
1. Ç’është akideja?
2. Nga duhet ta marrim akiden?
3. Si ta kuptojmë akiden?
4. Pse akiden duhet ta mësojmë së pari?
5. Pejgamberët ftonin në “La ilahe il-lAllah”
E lus Allahun e Lartësuar që të na mundësojë kuptimin e drejtë të besimit islam!

Të nderuar muslimanë!
Pasi lumturia në këtë botë dhe në botën tjetër është në besimin e drejtë, muslimanët duhet ta njohin akiden.
Po të ndalemi dhe t’i hedhim një vështrim Librit të Allahut, do të mësojmë se përpjekja dhe aktiviteti i të gjithë Pejgamberëve, prej Nuhut alejhis-selam deri te Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, pra fillim dhe mbarim ka qenë akideja.
Pa dyshim që lumturia e njeriut në të dy botë qëndron në besimin e drejtë, kurse çdo e keqe tjetër është rezultat i besimit jo të drejtë. Umeti islam nuk mund të bashkohet, të unifikojë radhët dhe të dalë fitues para armiqve përveçse me besim të drejtë. Ajo që e ka gjetur sot umetin islam, si: injorimi, nënçmimi, përulja, dobësia, varfëria…, të gjitha janë rezultat i besimit jo të drejtë.
Së bashku le të kujtojmë fjalën e Allahut: “…të mos jeni prej mushrikunëve (mohues të Njësisë së Allahut, që i vënë shokë Allahut). Nga ata të cilët e shpërbënë fenë e tyre (të cilët e lanë Islamin e vërtetë) dhe u bënë degëzime më vete (duke sjellë bidate – risi e rishikime të fesë së pastër e të vërtetë duke e përzier me gjëra jofetare si dhe duke ndjekur dëshirat e tyre boshe), secila degë duke u kënaqur me të vetën.’’1

Ç’është akideja?
Akide gjuhësisht do të thotë lidhje, shtrëngim i fortë. Në terminologjinë fetare është çështje të cilën duhet ta besojë zemra, të rehatohet shpirti, derisa të bëhet bindje e plotë, që nuk ka pikë dyshimi në të. Akideja është gjykim që nuk pranon dyshim tek ai që beson, zaten edhe qëllimi i misionit të Pejgamberëve ishte njësimi i Allahut në besim.
“O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk ka Ilah (të adhuruar) tjetër pos Atij.’’
Akideja në Islam nuk është vetëm një të menduar e thjeshtë, një shprehje vullnetare ose një çështje që duhet të llogaritet si një fusnotë e parëndësishme. Ajo është çështje e lindur tek njerëzit, nevojë e vetes dhe e shpirtit. Nëse humb besimi, krijohet në shpirt një zbrazëti që nuk mbushet si dhe një rrënim dhe shkapërderdhje e ndërgjegjes.

Nga duhet ta marrim akiden?
A duhet të merret besimi i drejtë nga librat filozofikë, romanet ëndërrorë, gazetat ditore, mediumet çoroditëse?!
Jo!
Besimi ynë merret nga libri i Allahut, i Krijuesit të Lartësuar: “…ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.’’2
Besimi merret nga Suneti i Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.’’3
Kurani dhe Suneti janë dy fondamente bazë, te të cilat muslimanët duhet të kapen fort.

Si ta kuptojmë akiden?
Ne duhet ta kuptojmë akiden nga Kurani dhe Suneti patjetër ashtu siç e ka kuptuar dhe jetësuar gjenerata e artë e Islamit, ‘’selefu salih’’, e cila ndërroi rrjedhat e historisë së njerëzimit.
Të nderuar, a i njihni këta burra kush janë?
Këta janë sahabët dhe tabiinët dhe pasuesit e tyre në shekujt e artë prej prijësve, dijetarëve pasues të Sunetit, që i janë larguar bidateve (risive në fe), për udhëheqjen e të cilëve umeti islam ka rënë dakord. Të gjithë këta janë të parët tanë të nderuar (selefus salih).
Siç e kanë kuptuar ata akiden, ashtu duhet ta kuptojmë edhe ne. Për sahabët Allahu tha: ‘’Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga muhaxhirunët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medinë) dhe ansarët (besimtarët e Medinës që i strehuan dhe i ndihmuan ata) si dhe ata që i ndoqën besnikërisht ata (në besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë më se të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta kopshte të begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor.’’4
Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Më të mirët njerëz janë ata të shekullit tim, pastaj ata që i pasojnë të parët, pastaj ata që i pasojnë ata.”5
Të nderuar besimtarë!
Kuptuam dhe mësuam se besimi i drejtë islam është në librin e Allahut dhe ai duhet kuptuar ashtu si e kuptuan selefi, se vetëm në këtë mënyrë mund të kthehet krenaria dhe dinjiteti. Atëherë:
Pse akiden duhet ta mësojmë së pari?
Dëshiroj t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje duke kujtuar së bashku disa vlera.
Së pari besimin duhet ta mësojmë sepse akideja është bazë dhe themel i fesë.
Po të thotë dikush se unë kam mundësi ta ndërtoj katin e dytë para të parit, themi se kjo nuk është logjike dhe një i mençur nuk mund ta thotë këtë.
Duhet të mësohet së pari akideja sepse baza duhet të jetë e shëndoshë dhe e fortë, kështu që në çdo rrethanë nuk lëkundet asnjëherë. Atëherë kur baza është statike, mund të ngrihen muret lart dhe t’i qëndrojë kulmi. Allahu i Lartësuar thotë: ‘’A nuk e sheh se si Allahu sjell shembull (e krahasim)? Një fjalë të mirë si një pemë të mirë, rrënja e së cilës është e ngulur fort dhe degët e saj ngrihen (lart) në qiell. Duke dhënë frytet e saj në çdo kohë me lejen dhe vullnetin e Zotit të saj. Kështu Allahu i sjell shembujt krahasues për njerëzit, me qëllim që ata të mund të përkujtojnë.’’6
Pemë e mirë me rrënjë të forta dhe me degë lart në qiell, që në çdo kohë frytet e saj janë të pranishme sepse baza është e fortë. Por nëse baza është e dobët, shpejt përfundon çdo gjë, sepse kështu Allahu i Lartësuar e ka bërë që të mos ketë qëndrueshmëri:
“Dhe shembulli krahasues për një fjalë të ligë është si ai i pemës së keqe e shkulur nga sipërfaqja e tokës duke mos pasur aspak qëndrueshmëri.’’7

Të nderuar besimtarë!
Pejgamberët ftonin në “La ilahe il-lAllah”
Nuk ka pasur të Dërguar të Allahut që nuk ka ftuar së pari në besim duke ngritur bazën e akides tek njerëzit. Të gjithë kanë ftuar në besimin e drejtë. Të gjithë ftonin njerëzit në adhurimin e Allahut të Vetmit, i Cili është Një. Të kujtojmë fjalët e Allahut:
‘’Dhe me të vërtetë që Ne kemi dërguar te çdo umet (bashkësi njerëzish, popull, komb) të Dërguar (duke shpallur): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet pos Allahut).” Pastaj, pati prej atyre popujve të cilët Allahu i drejtoi, pati edhe të tjerë të cilët e merituan dhe iu bë e pashmangshme rruga e gabuar. Udhëtoni pra nëpër tokë dhe shikoni se si ishte fundi i atyre të cilët përgënjeshtruan (të vërtetën).’’8
Të kujtojmë Nuhun alejhi selam, i cili i tha popullit të vet: ‘’O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk keni Ilah (të adhuruar, Perëndi) tjetër veç Atij. La ilahe il-lAllah (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Allahut).’’9
Të kujtojmë Hudin alejhi selam, kur i tha popullit të vet: ‘’O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk ka Ilah (të adhuruar) tjetër pos Atij.’’10
Të kujtojmë Salihun alejhi selam, kur i tha popullit të vet: ‘’O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni Ilah (të adhuruar) tjetër veç Atij. Ai ju solli juve nga toka dhe ju vendosi në të, kështu pra, kërkoni faljen e Tij dhe kthejuni Atij me pendim. Me të vërtetë Zoti im është kurdoherë i afërt (pranë robit të Tij me kujdesin dhe dijen e Tij), i Përgjigjshëm (që i përgjigjet thirrjes së robit).’’11
Të kujtojmë të Dërguarin e fundit, Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ku gjatë qëndrimit trembëdhjetëvjeçar në Mekë ngriti bazën e besimit të drejtë dhe i forcoi në zemrat e njerëzve, duke i ftuar në ‘’La ilahe il-lallah’’, saqë idhujtarët thanë: “A i ka bërë ai (të gjithë) zotat në Një Zot?! Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!’’12
Të nderuar besimtarë!
Akideja është nevojë e patjetërsueshme për njeriun, bile nevoja për të është edhe më e madhe se për ujë dhe bukë. Njeriu nuk mund të jetojë pa këto dy të fundit! Po edhe pa besim të drejtë nuk mund të ketë identitet; ai pa besim është i humbur, i tretur, nuk e di qëllimin e krijimit dhe statusin e vet në këtë botë.
Të parët tanë të nderuar kishin akide të mbështetur në baza të forta në besim, në punë dhe në moral. Këto baza mbështeten në librin e Allahut të Lartmadhëruar dhe në çdo gjë që gjendet në Sunetin e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, duke i kuptuar këto ashtu siç i kanë kuptuar të parët e këtij umeti prej sahabëve, tabiinëve dhe ata që i ndoqën me besnikëri.
Allahu im! Të lutem me emrat e Tu të bukur dhe cilësitë e Tua të larta, forcoje besimin tonë në zemrat tona!

Vazhdon…

1 Rum, 31-32.
2 Fusilet, 42.
3 Nexhm, 3-4.
4 Teube, 100.
5 Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
6 Ibrahim, 24-25.
7 Ibrahim, 26.
8 Nahël, 36.
9 Araf, 59.
10 Hud, 50.
11 Hud, 61.
12 Sad, 5.

Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit