Kancelari gjerman Olaf Scholz, përmes në letre publike i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut, që t’a pranoj propozimin francez, duke theksuar se edhe pas pranimit të këtij propozimi rruga e anëtarësimit nuk do të jetë e lehtë.
“Ne duam që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së. Dua të jem plotësisht i sinqertë me ju: edhe pas pranimit të këtij kompromisi, procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Do të ketë pengesa të tjera që do të duhet të kapërcehen. Por unë ju them gjithashtu: Së bashku do të zotërojmë detyrat që na presin. Sepse ne dëshirojmë që ju të jeni anëtar i BE-së”, shkruan kancelari Scholz.
Tutje, në letër ai shkruan se i kupton dyshimet në Maqedoninë e Veriut, për atë se vallë ky hapë do të çelë rrugën për hyrjen në BE.
“Të gjithë e dimë se kompromiset ndonjëherë nënkuptojnë lëshime të dhimbshme. Bashkimi Evropian përbëhet nga kompromise – ditë për ditë. Por jam plotësisht i bindur se edhe kompromiset e vështira në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të forte”, thotë Scholz.
Më 30 qershor deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes ministrisë së Punëve të Jashtme, nga presidenca franceze arriti propozimi i ri, me çka filloi procesi konsultativ brenda Qeverisë, pastaj me Presidentin e vendit, mediat, sektorin civil dhe opozitën
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në konferencë për shtyp më 1 korrik deklaroi se propozimi i ri i përfshinë vërejtjet dhe qëndrimet e qarta të palës maqedonase, gjegjësisht ai parasheh qartë dhe pa dyshim njohjen e gjuhës maqedonase, si dhe kërkesën që protokolli me Bullgarinë të mos jetë pjesë e kornizës negociuese.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, vlerësoi se me propozimin e ri është gjetur zgjidhje kompromisi për të dy palët.
Partia më e madhe opozitare në bllokun maqedon VMRO-DPMNE, e shoqëruar nga partia “E Majta”, për më shumë se dhjetë ditë organizojnë protesta në Shkup. Javën e kaluar protestat eskaluan në përleshje ndëretnike mes protestuesve dhe qytetarëve shqiptar.