5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Scholz dhe Putin flasin për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Më të lexuarat

Presidenti Putin theksoi se kriza e vazhdueshme buron nga politikat e afatgjata të NATO-s, të cilat ai i përshkroi si “agresive”.

Presidenti rus Vlladimir Putin dhe kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilluan bisedën e tyre të parë telefonike që nga dhjetori 2022 dhe diskutuan perspektivat për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini, biseda ishte iniciuar nga pala gjermane dhe diskutimi përfshinte “një shkëmbim të detajuar dhe të sinqertë pikëpamjesh mbi situatën në Ukrainë”.

Presidenti Putin theksoi se kriza e vazhdueshme buron nga politikat e afatgjata të NATO-s, të cilat ai i përshkroi si “agresive” dhe që synojnë të vendosin një prani anti-ruse në Ukrainë, duke shpërfillur shqetësimet e sigurisë së Rusisë dhe të drejtat e popullatave rusishtfolëse.

Lidhur me zgjidhjet e mundshme politike dhe diplomatike, Putin përsëriti qëndrimin e hapur të Rusisë për rifillimin e negociatave, të cilat ai tha se u ndërprenë nga Ukraina.

Ai tha se çdo marrëveshje duhet të pasqyrojë interesat e sigurisë së Rusisë, të pranojë “realitetet e reja territoriale” dhe të adresojë shkaqet rrënjësore të konfliktit, duke kujtuar se këto propozime janë përshkruar në fjalimin e tij në qershor në Ministrinë e Jashtme ruse.

Liderët diskutuan gjithashtu gjendjen e marrëdhënieve ruso-gjermane, të cilat Putini i përshkroi si të degraduara rëndë për shkak të asaj që ai i quajti “politikat jomiqësore të Gjermanisë”.

Ai nënvizoi përmbushjen e vazhdueshme të detyrimeve kontraktuale të Rusisë në sektorin e energjisë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm, me kusht që Gjermania të tregojë interes.

U bisedua gjithashtu edhe në lidhje me krizën në rritje në Lindjen e Mesme. Putin e informoi Scholz-in mbi përpjekjet e Rusisë për të promovuar de-përshkallëzimin dhe zgjidhje paqësore në rajon.

Në bisedë u ra dakord që ndihmësit e të dy liderëve do të mbajnë kontakte për të vazhduar diskutimin.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit konfirmoi se Scholz dhe Putin zhvilluan një bisedë telefonike të premten, në të cilën siç tha ai, Scholz përsëriti qëndrimin e Gjermanisë për konfliktin në Ukrainë, duke i kërkuar Rusisë që të përfundojë operacionet e saj ushtarake në këtë vend dhe të tërheqë forcat e saj.

Kancelari gjermane bëri thirrje gjithashtu për diskutime me Ukrainën që shënjestrojnë arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të barabartë të konfliktit.

Hebestreit theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Ukrainën në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur kundër veprimeve ushtarake dhe vuri në dukje se Scholz ishte konsultuar më parë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, përpara bisedës së tij me Putinin.

Hebestreit deklaroi se Scholz po eksploron mundësi për angazhime të mëtejshme diplomatike, duke përfshirë mundësinë e një konference të dytë paqeje, pas një samiti të mëparshëm në Zvicër, me potencialin për pjesëmarrje ruse.

Në muajt e fundit, Scholz ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar me Putinin kur ta shohë të përshtatshme, duke theksuar rëndësinë e koordinimit me liderët e tjerë dhe palët e interesuara paraprakisht.

Koha e bisedës telefonike thuhet gjithashtu se lidhet me samitin e ardhshëm G20 në Rio de Zhaneiro, ku Scholz pritet të takohet me liderë të tjerë botërorë. Në samit pritet të marrë pjesë edhe ministri i jashtëm rus Sergej Llavrov.

/trt BALLKAN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit