Ndonëse Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës janë dy organizata të pavarura, sanksionet e BE-së mund të ndikojnë në anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës, këtë vit. Kështu mendojnë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por, ka që mendojnë edhe ndryshe, e që thonë se pengesë me e madhe se masat e BE-së mund të jenë rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi.
Pas dorëzimit të aplikacionit në maj të vitit 2022, Kosova, në prill të këtij viti bëri një hap të rëndësishëm duke kaluar fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ndërkohë, pas tensionimit të situatës në veri të vendit, në qershor, Bashkimi Evropian vendosi disa sanksione për Kosovën, duke kërkuar shtensionimin e situatës.
Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimeve politike në Kosovë, kanë mendime të ndryshme për sa i përket ndikimit që mund të kenë sanksionet e BE-së në anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas profesorit universitar, Dritëro Arifi, këto sanksione, fatkeqësisht mund të ndikojnë negativisht për Kosovën.
“Nuk besoj se do të ketë anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës këtë vit. Kjo do kohë. Por, duke e ditur se jemi edhe nën sanksione, kjo nuk besoj do të vije në shprehje, sepse partnerët tanë, pa ndihmën të cilëve nuk mund të anëtarësohemi do të na injorojnë, për aq kohë sa nuk do të ketë shtensionim në veri e jo vetëm”, tha ai.
Ndërsa, profesor Dorajet Imeri thotë për Radio Kosovën se ndikimi i BE-së në anëtarësimet e reja në Këshillin e Evropës është i pamundur.
“Nëse shtetet e BE-së do ta pengonin Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës ku ato janë anëtare, atëherë vetë shtet anëtare të Këshillit të Evropës që vijnë nga BE-ja do të ishin kundër marrëveshjes së Ohrit që vetë e kanë sponsorizuar. Por, gjithçka është e mundur. Ju e dini çfarë qasje kanë pasur e kanë shtete të Evropës ndaj proceseve politike nëpër të cilat kalon vendi”, tha Imeri.
Analisti politik, Gazmir Raci, beson se masat e BE-së ndaj Kosovës do të largohen në shtator. Sipas tij, më shumë se masat do ndikojë diçka tjetër.
“Nuk mendoj se masat e BE-së kanë ndërlidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, natyrisht se, rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Brukseli, do të kenë efekt shumë të rëndësishëm edhe në rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës’, tha Raci.
Këshilli i Evropës që aktualisht i ka 46 anëtarë është organizatë ndërkombëtare që merret me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.