0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Samiti: Ose një pakt për solidaritetin klimatik ose vetëvrasje kolektive!

Më të lexuarat

Paralajmërimi: Bota po i afrohet rrezikshëm një pike pa kthim…

Bota ka dy opsione – një pakt solidariteti klimatik ose një pakt kolektiv për vetëvrasje, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres të hënën në samitin e klimës COP27 në Egjipt.

Në një fjalim në Sharm El Sheikh, Guterres tha se bota po i afrohet rrezikshëm një pike pa kthim që do t’i bëjë ndryshimet klimatike të pakthyeshme dhe se njerëzimi “po lëviz në autostradën drejt ferrit klimatik me këmbën e tij në pedalin e gazit”.

Në fjalimin e tij plot paralajmërime, portugezi theksoi se “lajmi i mirë” është se bota ka njohuritë, financat dhe mjetet teknologjike për të luftuar ndryshimet klimatike dhe se mundësia ende nuk është humbur.

Ajo që nevojitet në “dekadën vendimtare”, në të cilën beteja me ndryshimet klimatike do të “fitohet ose humbet”, është bashkim më i madh dhe solidaritet ndërkombëtar, theksoi Guterres.

Ai tha se bota është përballur me shumë kriza, por se kriza klimatike nuk duhet të shtyhet në plan të dytë, aq më tepër që një pjesë e madhe e konflikteve aktuale është e lidhur me “kaosin klimatik”.

“Lufta në Ukrainë ekspozoi rrezikun e madh të varësisë sonë nga karburantet fosile,” theksoi ai.

Thyerja e varësisë nga lëndët djegëse fosile

Prandaj Guterres bëri thirrje për një pakt “historik” midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim në Sharm El Sheikh, ku morën pjesë më shumë se 120 krerë shtetesh.

“Ose do të ketë një pakt për solidaritetin klimatik, ose një për vetëvrasjen kolektive”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Pakti i propozuar për sigurinë klimatike do të konsistonte në detyrime shtesë të shteteve për të reduktuar emetimet dhe për të përshpejtuar tranzicionin energjetik të vendeve në zhvillim përmes ndihmës së kombeve më të pasura dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Guterres bën thirrje për t’i dhënë fund varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe ndërtimin e termocentraleve me qymyr në vendet e OECD deri në vitin 2030 dhe në pjesën tjetër të botës deri në vitin 2040.

Ai veçoi dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kinën dhe SHBA-në, si vende me një “përgjegjësi të veçantë” për ta bërë realitet paktin.

Presidenti kinez Xi Jinping nuk do të vijë në Egjipt, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po mbërrin pas zgjedhjeve afatmesme të së martës, në të cilat republikanët që kundërshtojnë veprimin ndërkombëtar të klimës mund të marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit