Vazhdon samiti i G7-s në Cornwall, Angli. Vendet e pasura të industrializuara premtuan 1 miliardë doza vaksine për vendet e varfra. Por edhe klima e forcimi i demokracive perëndimore janë në fokus të samitit.
Samiti i G7-s hapi dyert në Cornwall të premten, vend mikpritës Anglia. Në një objekt serë që mban brenda pyllin më të madh artificial në botë biseduan Mbretëresha Elisabeth dhe presidenti amerikan, Joe Biden për çështjet e shëndetit dhe mbrojtjen e llojeve. Mbretëresha Elisabeth i kishte ftuar demokracitë perëndimore për një eksursion në „Projektin Eden” një atraksion turistik në Cornwall. Djali dhe trashëgimtari i mbretëreshës, Princi Charles foli në pritjen mbretërore për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës, stabilitetin e klimës dhe luftimin e pandemive. „Lufta kundër kësaj pandemie të tmerrshme ka treguar, se sa shpejt e sa fort mund të zbusë bashkësia ndërkombëtare krizat, nëse kombinohen vullneti politik, ideja e biznesit dhe mobilizimi i opinionit”, tha Princi 72 vjeçar.
Delegacionet nga SHBA, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, vendi mikpritës, Britania e Madh, por edhe përfaqësuesit kryesorë të BE, presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe presidentit i Këshillit të BE, Charles Michel të shtunën publikojnë „Deklaratën e Carbis Bay”, me qëllim mposhtjen e pasojave të pandemisë në botë dhe rimëkëmbjen e saj më mirë se më parë. Krahas kësaj duhet të pengohen pandemitë e ardhshme, duke forcuar shkencën, mbrojtjen e mjedisit dhe një kujdes shëndetësor më të mirë.
Takimi me Mbretëreshën Elisabeth
G7, e cila deri tani i ka përdorur për vete tre të katërtat e vaksinave në dispozicion premtoi të ndryshojë këtë procedurë të kritikuar shpesh nga OKB. Së bashku vendet e G7-s dhe BE do të japin 1 miliardë doza për vendet e varfra deri në fund të vitit. 500 milionë doza do të vijnë nga SHBA, premtoi presidenti amerikan, Joe Biden. 100 milionë doza nga Britania e Madhe. Të dyja shtetet deri më tani gati nuk kanë eksportuar asnjë vaksinë. BE ka dhënë deri më tani 315 milionë doza, gati gjysma e dozave të prodhuara në BE. Përmes iniciativës “Covax” do të pasojnë disa milionë doza të tjera.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, megjithatë u shpreh, se ndihmat e premtuara nuk mjaftojnë. “Ne kemi nevojë për një plan botëror vaksinimi”, tha Guterres në një konferencë me video para reporterëve në Cornwall. “Ndryshe pandemia rrezikon të përhapet si zjarri në pyje në vendetnë zhvillim.” Vendet e G7-s janë të mendimit, se duhet të shtohen kapacitetet e prodhimit të vaksinës në botë. Qëndrimin amerikan për pezullimin e patentave nuk e mbështesin disa vende europiane.
Demonstrues të kuq kërkojnë mbrojtjen e klimës
Me protesta paqësore dhe plot fantazi disa qindra demonstrues kanë shoqëruar punimet e samitit të G7-s. Njerëz të veshur si politikanë të G7-s, zogj të zinj, apo lajmëtarë të kuq të vdekjes shëtisnin nëpër rrugët e vogla të qytetit bregdetar, Cornwall. Në plazh i bihej daulleve dhe këndohej. „Pyes veten, nëse ata do të arrijnë diçka. Njerëzit duhet të përqëndrohen tek çështjet e mëdha që duhet të vendosen”, thotë pensionistja Margaret, që nga kopshti i saj ka një pamje të mrekullueshme drejt bregut të St.Ives. „Jemi në lokdaun, ka një javë që nuk dal dot në rrugë, u mbyll gjithçka”, ankohet një banore për zonën e sigurisë së samitit. „Megjithatë është interesante, kam parë shumë samite të G7-s por në televizor, por nuk e kisha idenë, se ç’bëhej pas kuintave për gjithë këtë.”
Sinjale multilaterale nga Joe Biden
Krerët e shteteve dhe qeverive të G7-s, SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Japonia si edhe përfaqësues të BE, takohen nga e premtja për të diskutuar edhe mbi klimën. Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe të ftuar të tjerë të samitit kanë premtuar reduktimin e emetimeve të gazrave karbonikë. Por ide të reja nuk janë parashikuar të dalin për këtë temë në Carbis Bay.
Qëllimi kryesor i takimit të parë personal prej dy vjetësh është forcimi i demokracive të botës kundër shteteve autoritare, thotë një diplomat i lartë, që ka përgatitur takimin. Prandaj për Angela Merkel është e rëndësishme që të takojë presidentin Biden. « Ai përfaqëson aprovimin e multilateralizmit që na ka munguar në vitet e fundit”, tha Angela Merkel pas mbërritjes në Carbis Bay duke nënkuptuar me këtë presidentin Donald Trump që nuk i vlerësonte instanca të tilla ndërkombëtare, si G7.
Protesta për klimën
Në shumë raunde bisedimesh, Joe Biden kërkon që deri të dielën të farkëtojë një aleancë kundër Kinës, që ai e konsideron si kërcënimin më të madh për vlerat perëndimore, mirëqenien dhe ndikimin që ka ajo. Kancelarja Merkel dhe përfaqësues të vendeve të BE kanë qëndrimin, se Kina nuk është vetëm rival sistemi dhe konkurrent ekonomik, por në disa çështje edhe partnere. « Kemi nevojë për të gjithë në botë », tha Merkel. « Duhet të bashkëpunojmë, sidomos në temën e mbrojtjes së klimës dhe biodiversitetit. Këtu nuk do arrihen asnjëherë zgjidhje pa Kinën. » Vendet e G7-s duan të flasin edhe për strategjinë e tyre kundrejt Rusisë. Marshimet e fundit të trupave në Ukrainë dhe shtypja e opozitës në Rusi dhe Bjellorusi e bëjnë të nevojshme një përgjigje të fortë, thuhet nga diplomatët e G7-s, që përgatisin deklaratën e samitit. /DW